3
– Bibla në përkthimin Bota e Re
Organizata e DJ-ve, për të mësuar anëtarët
e saj, ka nxjerrë një version të sajin të Biblës në anglisht. Ky version quhet përkthimi Bota e Re (BR). DJ-të thonë se versione të tjera të Biblës
janë të gabuara dhe të pasakta, përmbajnë keqpërkthime, gabime etj. Ata thonë se versioni i tyre, BR-ja, është një
version shumë më korrekt dhe është ai që ka autoritet përfundimtar për ta.
BR-ja u shtyp për herë të parë më 1950, në
ShBA. Ky ishte një prodhim i punës së
kryetarëve të organizatës së DJ-ve në Nju Jork. Qysh atëherë deri më sot ka
pasur disa rishtypje të BR-së, secilën me ndryshime nga versioni i mëparshëm.
Gjëja e parë që bie menjëherë në sy si
diçka e çuditshme është fakti se emrat e njerëzve të cilët “përkthyen” këtë
version mbaheshin sekret ndaj publikut për shumë vjet dhe se gjithë përpjekjet
për të zbuluar saktësisht se kush e kishte përkthyer atë dështonin. Vetëm këto vite të fundit është bërë e ditur
se kush u përfshi në punën e përkthimit të BR-së. Organizata e DJ-ve i mbajti sekret për një
kohë të gjatë emrat e tyre dhe refuzonte të tregonte se kush ishin ata. Kjo, pa dyshim, bëhej për t’i mbrojtur ata nga
hetimet e ndryshme që mund të bëheshin mbi nivelin e diturisë së tyre dhe
aftësisë së tyre për të përkthyer nga hebraishtja dhe greqishtja.
Dikush ka thënë: “A është e mundur t’i
besosh një kirurgu apo një avokati në qoftë se ai refuzon të t’i tregojë emrin
dhe kualifikimet e tij dhe në qoftë se nuk ke asnjë lloj dëshmie për aftësinë
dhe zotësinë e tij?” Është e rëndësishme
t’i njohim ata që na bëjnë shërbime, por është e një rëndësie më të madhe të
njohim ata njerëz të cilëve ua besojmë jetën tonë frymërore. Kush ishin ata? Çfarë kualifikimi, aftësie dhe zotësie kishin?
DJ-të e zhgënjyen publikun në këtë pikë aq
thelbësore. Ata refuzuan t’i jepnin
emrat dhe kualifikimin e anëtarëve të komisionit për prodhimin e BR-së së tyre.
Pse gjithë ky sekret i madh? A nuk kishin “përkthyesit” asnjë lloj
kualifikimi? Dhe, në fakt, kjo ishte e
vërteta! Siç e pamë edhe në kapitullin 1, katër njerëz u morën me përkthimin e
BR-së dhe vetëm njëri prej tyre kishte një farë njohurie për gjuhët biblike.
Ndryshime të
qëllimshme dhe keqpërkthime të teksteve tek BR-ja
Kur bëjmë një studim të përkthimit të
BR-së, në krahasim me versionet e tjera të Biblës (d.m.th. ato që janë pranuar
prej kishave të krishtere) dhe me origjinalin në greqisht (në rastin e DhR-së),
shohim se, tek BR-ja, janë bërë ndryshime të caktuara e të qëllimshme të
tekstit në mënyrë që t’u shkojnë për shtat doktrinave të DJ-ve, d.m.th. DJ-të
kanë imponuar doktrinat e tyre në Bibël, në vend që të përkthenin atë që thotë
faktikisht teksti greqisht. Më poshtë në
këtë kapitull do të shqyrtojmë disa nga këto ndryshime të qëllimshme dhe
keqpërkthime.
Gjoni 1:1
Ndoshta më i njohuri nga keqpërkthimet e
qëllimshme në BR-në është përkthimi tek Gjoni 1:1. Në vend të përkthimit “Në fillim ishte Fjala.
Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (të cilën specialistët e
pranojnë si përkthimin e vërtetë), ata bëjnë një ndryshim shumë të vogël por
mjaft domethënës. Formulimi që ata i
bëjnë këtij vargu në BR-në (përkthyer në shqip) është: “Në fillim Fjala ishte,
dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi”.
Ky ndryshim i vogël (shtimi i fjalëve një dhe perëndi në vend të fjalës Perëndi)
përbën një përpjekje të madhe për t’ia zhveshur Jezu Krishtit të qenët Hyjni të
Tij. Jezui bëhet kështu vetëm “një
perëndi”. Duhet të shtojmë se specialistët kryesorë nuk e pranojnë këtë
formulim të tillë të tekstit greqisht. Ata
bien dakord për faktin që DJ-të janë në gabim këtu.
Sidoqoftë, ky keqpërkthim tek Gjoni 1:1
ngre një pyetje mjaft interesante. Në
qoftë se Jezui është një perëndi,
atëherë çfarë do të thotë kjo? Çfarë
është një perëndi? Ashtu siç pyesim edhe
në kapitullin 4: Çfarë nënkuptojnë saktësisht DJ-të, kur e quajnë Jezuin një perëndi? A mund të na japin një shpjegim bindës për
këtë? Sa Perëndi kanë dhe besojnë DJ-të?
Në qoftë se ata e përkthejnë në këtë
mënyrë, atëherë janë politeistë, besojnë në dy Perëndi. Ky keqpërkthim është thjesht një përpjekje e
qëllimshme për t’i shtrembëruar Shkrimet, në mënyrë që ato t’u vijnë për shtat
doktrinave të tyre. Ata thjesht nuk duan
të besojnë se “Fjala ishte Perëndi” d.m.th. që Jezui është Perëndi.
Është diçka interesante që e njëjta formë
gramatikore e cila gjendet në origjinalin greqisht tek Gjoni 1:1 (d.m.th. që
fjalës theos i mungon nyja shquese),
përsëritet edhe tek vargjet 1:6,12,13. Megjithatë,
në këto vargje, DJ-të, në BR-në e tyre, kanë përkthyer me fjalën Perëndi dhe jo me shprehjen një perëndi. Kjo përbën një kontradiktë. Ata përgjigjen e thonë se fjala në vargjet 6,
12 dhe 13 përdoret për Atin dhe jo për Birin dhe për këtë duhet të jetë Perëndi dhe jo një perëndi. Kjo thjesht na
zbulon ndryshimin e qëllimshëm që është bërë në përkthimin e tyre. Ata nuk duan të pranojnë që Jezui është
Perëndi. Fakti që në vargun 1 fjalës theos i mungon nyja shquese nuk do të thotë që ajo nuk mund të
përkthehet si Perëndi. Arsyeja pse i mungon nyja shquese është
thjesht që në atë varg zbatohet një rregull e veçantë gramatikore të
greqishtjes së vjetër.
DJ-të e bëjnë pyetjen: “Si ka mundësi që
Fjala të jetë me Perëndinë dhe të jetë Perëndi në të njëjtën kohë?” Përgjigjja për këtë është kjo: “Ai që, prej natyre, është Perëndia, është, prej natyre, edhe Fjala; d.m.th. Jezui
ka natyrë hyjnore, Ai shpreh se kush është Perëndia”. Kjo është një zbulesë e thellë, e lavdishme
dhe madhështore. Perëndia është një
Perëndi triun që na e ka zbuluar Vetveten në Personin e Zotit Jezu: “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne...”
(Gjoni 1:14). Jezui nuk është një qenie
e krijuar; Ai ka ekzistuar nga gjithë përjetësia dhe nëpërmjet Tij ne mund të
arrijmë ta njohim Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë!
Kolosianët 1:16-17
Në tekstin greqisht të këtyre vargjeve,
fjala greke allos, për fjalën tjetër, nuk gjendet aspak. Sidoqoftë, në përkthimin e tyre për këto
vargje, ata e kanë shtuar këtë fjalë jo më pak se katër herë! Kjo është një përpjekje për të bërë që të
duket se Jezui është një pjesë e Krijimit të Perëndisë, d.m.th. që Ai është një
qenie e krijuar dhe jo vetë Krijuesi i përjetshëm. Po e japim më poshtë versionin e tyre nga
BR-ja, përkthyer në shqip, dhe vetë lexuesi do të kuptojë atë ndryshim të madh
që sjell futja e kësaj fjale. Përemri
vetor nënkupton natyrisht Jezuin:
“sepse
me anë të tij u krijuan të gjitha gjërat [e tjera] që janë në qiejt dhe mbi
dhe, gjërat e dukshme dhe gjërat e padukshme; çfarëdo që të ishin - frone apo
zotërime apo principata apo pushtete. Të gjitha gjërat [e tjera] janë krijuar
nëpërmjet tij dhe për të. Gjithashtu, ai është përpara gjithë gjërave [të
tjera] dhe me anë të tij të gjitha gjërat [e tjera] erdhën në ekzistencë...”
Gjoni 8:58
Në këtë varg Jezui thotë: “Para se të
lindte Abrahami, unë jam”. Çifutët e kuptuan menjëherë se çfarë po thoshte
Jezui dhe menjëherë morën gurë për ta vrarë meqë mendonin se blasfemoi. Sigurisht, këtu, Ai e kishte fjalën për
ekzistencën e Tij të përjetshme. Ai nuk
tha: “Para se të lindte Abrahami, unë isha”, apo: “Para se të lindte Abrahami,
unë ekzistoja”, por “unë jam”. Fjalët
greke për këtë janë ego eimi. Folja eimi
është në mënyrën dëftore të kohës së tashme dhe mund të përkthehet vetëm unë jam.
Megjithatë, le të shohim se çfarë kanë
bërë DJ-të me këtë varg! Në botimin e
parë të BR-së, në vitin 1950, ata kanë dhënë përkthimin me fjalët “unë kam qenë”
dhe e quajtën këtë “koha e kryer e pashquar”. Ky është një budallallëk, sepse nuk ekziston
një kohë foljore e tillë. Kjo tregon
thjesht injorancën e dalluar të përkthyesve të BR-së. Në botimin e mëvonshëm të BR-së, DJ-të e
kishin kuptuar gabimin e tyre dhe e quajtën “mënyra dëftore e kohës së kryer”. Por përsëri, e kishin gabim. Ai njeri, që di sado pak nga greqishtja e
DhR-së, e di se ego eimi është mënyra
dëftore e kohës së tashme!
Shikojmë që edhe këtu ndodh e njëjta gjë –
një përpjekje nga ana e përkthyesve për të imponuar doktrinën e tyre në Bibël. Në qoftë se kjo shprehje përkthehet “unë kam
qenë”, atëherë Jezuit i zhvishet ekzistenca e Tij e përjetshme, pra, të qenët
Hyjni. “Unë jam” sugjeron të qenët
Perëndi dhe ishte kjo ajo që po thoshte Jezui. Ai po barazonte Veten me Perëndinë dhe
pikërisht kështu e kuptuan drejt çifutët atë që po u thoshte Ai.
Futja e emrit “Jehova” në tekstet e DhR-së
në BR-në
DJ-të e theksojnë me të madhe se emri i
Perëndisë në hebraisht është Jehova
(kur në fakt ky është vetëm njëri nga emrat e Tij). Për këtë, emri Jehova në BR-në e tyre, shfaqet shpesh. Sidoqoftë, fjala greke që përdoret për Perëndi në DhR-në, është fjala θεος (theos), ndërsa për Zot, është fjala κυριος (kyrios).
Këto fjalë greke mund të përkthehen
vetëm me fjalët Perëndi dhe Zot. Gjithashtu, ato janë fjalë greke dhe jo hebreje.
Fjala hebreje Jehova nuk gjendet në
tekstin greqisht të DhR-së.
Megjithatë, kur lexojmë DhR-në në BR-në,
mund të shohim se DJ-të e kanë futur emrin Jehova
në shumë pjesë. Në qoftë se e shohim
çështjen më nga afër, na bëhet e qartë pse e kanë bërë këtë. Përsëri, ata e kanë bërë këtë për të
mbështetur doktrinat e tyre, d.m.th. kanë imponuar idetë dhe doktrinat e tyre
në Bibël në vend që ta pranojnë atë që faktikisht thotë Bibla.
Për shembull, mund të marrim versionin e
tyre nga BR-ja, përkthyer në shqip, tek Romakët 14:8-9:
“sepse
edhe nëse rrojmë, rrojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe po të rrojmë edhe po të vdesim, ne i përkasim Jehovait. Sepse për këtë qëllim vdiq edhe Krishti dhe u
kthye në jetë, që të jetë Zot mbi të vdekurit dhe të gjallët”.
Në vargun 8, fjala greke kyrios gjendet tri herë dhe çdo herë
është keqpërkthyer me fjalën Jehova
në vend të fjalës së duhur Zot. Në vargun 9 fjala kyrios gjendet një herë dhe përkthehet Zot. Pse? Duket qartë pse-ja! Në qoftë se do të ishte përkthyer Jehova, kjo do të thoshte që Jezui të
ishte Jehova i të vdekurve dhe i të gjallëve, d.m.th që Jezui është Jehova!
Vargje të tjera interesante në BR-në
Ka edhe disa vargje të tjera shumë
interesante tek BR-ja. Një i tillë
gjendet tek Isaia 9:5. DJ-të e pranojnë
se ky ka të bëjë me Jezuin, Birin që u profetizua se do të lindte. Vargu tek BR-ja e quan Atë “Perëndi i fuqishëm”.
Jezui këtu quhet Perëndi! Kur i kam pyetur DJ-të se çfarë mendojnë për
këtë, ata përgjigjen duke thënë: “Po ja, nuk e quan Atë të gjithëfuqishëm, për
këtë Ai nuk mund të jetë Perëndia”. Po a
është Jezui Perëndi, apo jo? Çfarë thotë
vargu? Shumë herë në shkrimet e DhV-së,
Perëndia quhet Perëndia i Fuqishëm
dhe fjala i Gjithfuqishëm nuk
përdoret për çdo rast. Shih, p.sh., tek
Isaia 10:20,21 ku Jehovai quhet i
Fuqishmi.
Një pjesë tjetër interesante e BR-së
gjendet tek Zbulesa 1:8 ku ata e kanë përkthyer se Jehova thotë se është Alfa
dhe Omega, duke abuzuar këtu me emrin Jehova,
siç e kemi thënë edhe më sipër. Megjithatë, tek Zbulesa 22:13-16, na thuhet
qartë se është Jezui, Ai që i thotë këto fjalë (vargu 16) dhe Ai e quan Veten Alfa dhe Omega (vargu 13)! Prej kësaj, meqë ka vetëm një Alfa dhe Omega,
Jezui është Jehova! Asnjë prej DJ-ve nuk
më ka dhënë një përgjigje bindëse për këtë.
Shumë gjëra të tjera mund të përmenden për
BR-në, por meqë nuk është qëllimi ynë që në këtë libër të bëjmë një studim të
plotë të problemeve të BR-së, kemi dhënë shembujt e mësipërm për t’i treguar
lexuesit problemet që ekzistojnë. Besojmë
se kjo do t’i shërbejë lexuesit si një bazë për të argumentuar besimin e tij me
DJ-të.
Sidoqoftë, nga shembujt e mësipërm mund të
shohim se në tekstin e BR-së janë bërë mjaft ndryshime të qëllimshme, në mënyrë
që t’u shkojnë për shtat doktrinave të DJ-ve. Në jetën time kam takuar mjaft prej DJ-ve, por
nga ata që kam takuar vetëm një pakicë prej tyre janë të vetëdijshëm për disa
nga këto probleme të shumta, mbase ngaqë nuk inkurajohen të bëjnë studime të
pavarura e objektive të Shkrimeve për veten e tyre. Atyre u mësohet që thjesht të besojnë dhe të
gëlltisin gjithçka që u serviret. Ata
kritikojnë pa pushim pothuaj çdo përkthim tjetër të Biblës nga të krishterët,
por nuk arrijnë të bëjnë një studim objektiv të BR-së së tyre.
Atëherë, as që diskutohet se BR-ja është
një dokument që nuk mund të besohet dhe që nuk ka asnjë autoritet frymëror. Ai nuk është një përkthim i saktë e besnik i
Biblës. Në këtë përkthim, doktrinat e
Biblës janë ndryshuar në një mënyrë të tillë që t’u shkojnë për shtat mësimeve
të DJ-ve. DJ-të i kanë marrë tekstet
ekzistuese dhe i kanë ndryshuar, duke futur doktrinat e tyre në to, dhe kështu
kanë formuar një Bibël të tyren, duke ndryshuar Fjalën e Perëndisë.
Mjaft mësues të mirënjohur të Biblës, të
cilët kanë një njohuri të thellë të greqishtes dhe që janë marrë me punën e
përkthimit të Biblës, nuk i pranojnë ndryshimet që i janë bërë asaj prej DJ-ve.
Të gjithë thonë se keqpërkthimin që ata
i bëjnë Gjonit 1:1 është i gabuar dhe nuk mund të pranohet.
Paralajmërimi tek Zbulesa 22:18-19
Tek Zbulesa 22:18-19 jepet një
paralajmërim mjaft i ashpër për ata që u shtojnë apo u heqin fjalëve të
shkruara dhe natyrisht, në parim, ky paralajmërim përfshin të gjitha Shkrimet. Askush nuk e ka të drejtën që të luajë me Fjalën
e Perëndisë dhe qëllimisht t’i ndryshojë fjalët e saj që, si e si, këto të
përputhen me idetë e tij. Kushdo që bën
një gjë të tillë është përgjegjës para Perëndisë për atë që ka bërë dhe duhet
të japë llogari para Tij.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.