10 – Shpëtimi në saje të hirit dhe të
shpallurit të drejtë me anë të besimit
Veprat apo hiri?
Në botë ka dy tipa fesh teiste. Tipi i parë përfshin gjithë ato që mësojnë se
njeriu mund të fitojë shpëtimin dhe pranimin prej Perëndisë nëpërmjet meritave,
përpjekjeve dhe veprave të tij të mira. Tipi
i dytë është Krishterimi i cili mëson se shpëtimi vjen vetëm në saje të hirit
të Perëndisë.
Arsyeja pse janë vetëm këta dy tipa është
thjesht ngaqë këto dy rrugë shpëtimi përjashtojnë njëra-tjetrën. Të shpëtuarit në saje të hirit përjashton
veprat; dhe, në të njëjtën mënyrë, veprat përjashtojnë hirin.
Parimi që duhet të kuptohet është ky: nëse mesazhi i shpëtimit në saje të hirit
dhe me anë të besimit nuk kuptohet prej njeriut, atëherë e vetmja rrugë tjetër
me anë të së cilës ai mund të përpiqet t’i afrohet Perëndisë është nëpërmjet
meritave të jetës dhe veprave të tij dhe kjo thjesht ngaqë nuk ka rrugë tjetër!
Nëse ai nuk mund të shpëtohet në saje të
hirit, me anë të besimit, atëherë e vetmja rrugë që mbetet është të përpiqet ta
fitojë ai vetë atë me anë të veprave të tij. Kjo është ideja bazë që mbështet gjithë fetë
teiste përveç Krishterimit biblik. Gjithë
fetë e tjera në fakt mësojnë: bëj këtë, përpiqu aq sa duhet, bëj një jetë të
mirë, bëj çmos dhe do të shpëtohesh, Perëndia do të të pranojë. Krishterimi mëson se kjo ide është e gabuar. Perëndia nuk mund të na pranojë nëpërmjet
jetës dhe veprave tona të mira, sepse mëkatet tona kërkojnë gjykimin e Tij dhe
veprat tona të mira nuk mund t’i fshijnë mëkatet tona të këqija. Nëse njeriu mund të shpëtohet me anë të
veprave të tij të mira, atëherë vdekja e Krishtit në kryq nuk ka kuptim, sepse
ishte pikërisht për mëkatet tona që Ai vdiq, duke marrë në vendin tonë dënimin
që ne meritonim. Nëse mund të shpëtohemi
me anë të veprave tona, atëherë Krishti nuk kishte pse të vdiste. Mesazhi
thelbësor i Kryqit është ky: njeriu nuk mund ta shpëtojë veten e vet.
Gjithë Bibla nga fillimi në fund na mëson
qartë se shpëtimi ynë nuk është diçka që mund ta fitojmë apo ta meritojmë, por
ai është një pasojë e hirit të Perëndisë dhe dëshirës së Tij për të na
shpëtuar. Nganjëherë fjala hir
kapërcehet dhe kuptimi i saj nuk vlerësohet plotësisht. Hir do të thotë favor i pamerituar. Shpëtimi
ynë nuk është diçka të cilën e meritojmë. Në fakt, ai është diçka që përfundimisht nuk
e meritojmë. Në të vërtetë e meritojmë
krejtësisht të kundërtën, gjykimin dhe dënimin e Perëndisë, për shkak të
mëkateve tona. Perëndia do të ishte krejtësisht i drejtë dhe do të vepronte tërë
drejtësi nëse nuk do të shpëtonte qoftë dhe asnjërin prej nesh! Por hiri dhe mëshira e Tij na japin një rrugë
shpëtimi nëpërmjet Jezu Krishtit. Hiri i
Tij do të thotë se shpëtimi është një favor i pamerituar që vihet falas në
dispozicionin e të gjithë atyre që do ta besojnë e ta pranojnë atë.
Kjo bëhet më se e qartë tek Efesianët
2:8-10: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe
kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos
mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e
tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më
parë, që ne të ecim në to”, dhe te Romakët 11:5-6: “Kështu, pra, edhe në kohën
e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej
veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të
ishte më vepër”.
Ja ku DJ-të bëjnë gabimin e tyre më të
madh. Ashtu si të tjerët ata e bëjnë
këtë gabim ngaqë nuk e kuptojnë domethënien e vërtetë të kryqit dhe hirin e
Perëndisë. Feja e tyre është një fe në
të cilën shpëtimi fitohet nëpërmjet veprave, jo në saje të hirit.
Jezui – vetëm ekuivalenti i Adamit?
Libri i tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, në faqet 61-62,
thotë: “Kështu që Adami e humbi vetë jetën e përsosur njerëzore mbi një tokë
parajsore. E humbi këtë të ardhme të
shkëlqyer edhe për të gjithë fëmijët që do të lindte... Për shkak të mosbindjes së tij, njeriu i
përsosur Adami, e humbi jetën e përsosur në një tokë parajsore për vete dhe për
gjithë fëmijët e tij. Jezu Krishti e dha
jetën e vet të përsosur për të riblerë atë që Adami kishte humbur”; dhe në faqe
63 thotë: “Jezui ishte ekuivalenti i njeriut të përsosur, Adamit”.
Ata thonë që vepra e Krishtit ishte vetëm ta rifitonte atë që Adami kishte
humbur, të drejtën për jetën e përjetshme në një parajsë tokësore. Efektivisht, nëpërmjet këtij mësimi, njeriu
vendoset në të njëjtën gjendje në të cilën Adami ishte para se të binte, lihet
kështu të fitojë shpëtimin me anë të meritave dhe bindjes së vet, dhe pastaj të
jetojë përgjithmonë në një parajsë tokësore. Sipas DJ-ve, kjo është gjithçka që njeriu mund
të presë prej shpengimit të tij nëpërmjet Krishtit. Çfarë shpëtimi mjeran që kemi ne të shkretët
sipas këtyre mësimeve të tyre!
Pasojat e këtij besimi, që ata duhet të
fitojnë të drejtën për të jetuar në një parajsë tokësore me anë të veprave të
tyre, dallohen mjaft qartë në punën e tyre si DJ-ë.
Një shembull është që ata presin prej
gjithë atyre që janë kthyer në besimin e tyre që të bëhen “dëshmitarë të mirë”
duke shkuar kudo për të shpërndarë fenë e tyre, duke shkuar nga dera në derë
për të shitur apo për t’u dhënë njerëzve revistën e tyre Kulla e Rojës. Nëse një DJ
nuk i bën këto gjëra, atëherë ai nuk konsiderohet si dëshmitar i mirë, humbet
favorin e Organizatës dhe për këtë nuk mund të fitojë favorin e Perëndisë. Efektivisht, ajo që ndodh është kjo që, nëse
ata nuk mund të plotësojnë ato që Organizata pret prej tyre, ata nuk mund të
shpëtohen. Ky është shpëtim me anë të
veprave!
Duke u përpjekur të mbrojnë pozicionin e
tyre ata citojnë fjalët e Jakobit 2:20-26 që flasin për të shpallurit të drejtë
(shfajësimin) me anë të veprave. Ata
mohojnë atë që njeriu mund të shpallet i drejtë vetëm me anë të besimit para Perëndisë.
Ata thonë se njeriu shpallet i drejtë
edhe me anë të besimit edhe me anë të
veprave. Sidoqoftë, interpretimi që ata
u bëjnë këtyre vargjeve të Jakobit është i gabuar.
Besimi apo veprat apo të dyja?
“Po,
a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur? Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të
veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat
e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: «Edhe
Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi»; dhe u quajt miku
i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu
shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. Gjithashtu a nuk u shfajësua
edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga
një udhë tjetër? Sepse, sikurse trupi pa
frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jak. 2:20-26).
Në këtë pasazh Jakobi flet rreth dallimit
mes besimit të vërtetë dhe atij fals (shih v24-25). Besimi i rremë nuk e provon veten me vepra,
besimi i vërtetë prodhon vepra. Vini re
se Hebrenjtë 11:31 tregon se veprimi i Rahabit ishte pasojë e besimit të saj. Veprat e vërteta që e kënaqin Perëndinë janë pasojë e besimit të vërtetë. Me fjalë të tjera, Jakobi thotë se nëse ke
besim të vërtetë atëherë kjo domosdo që do të prodhojë vepra të mira në jetën
tënde; nëse nuk ke vepra atëherë besimi yt nuk është i vërtetë. Nëse nuk ke vepra, atëherë besimi yt nuk është
ai lloj besimi që mund të bëjë që të shpallesh i drejtë para syve të Perëndisë;
mund të flasësh sa të duash për besimin e thuash sa të duash se ke besim, por
para syve të Perëndisë ti nuk ke dalë i drejtë. Këtë nënkupton Jakobi kur thotë se njeriu mund
të shpallet i drejtë para Perëndisë nga veprat.
Është Pali, në letrën e tij drejtuar
romakëve, ai që e nis çështjen e doktrinës së të shpallurit të drejtë vetëm me
anë të besimit dhe e provon vërtetësinë e saj. Pasazhi qendror është Rom. 4:1-5,16: “Çfarë do
të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit?
Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar
nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka
asgjë për t’u lëvduar. Në fakt, çfarë
thotë Shkrimi? «Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për
drejtësi». Edhe atij që vepron,
shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron,
por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për
drejtësi... Prandaj trashëgimia është
nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që
premtimi të jetë i siguruar”.
Judenjtë kishin menduar se njeriu duhet
vetëm t’i nënshtrohej ritit të jashtëm të rrethprerjes dhe të përpiqej të
zbatonte Ligjin e Perëndisë në DhV-në, në mënyrë që të pranohej prej Perëndisë.
Te Romakët 4 Pali thotë se si
rrethprerja ashtu edhe veprat janë të padobishme për fitimin e favorit para
Perëndisë. Argumentimi i tij bazohet në
faktin që Perëndia e llogariti Abrahamin për të drejtë ngaqë ai besoi (4:3,9,22; Zan. 15:6). Kështu pra njeriu del i drejtë vetëm nga
besimi, pa vepra! Por, ashtu siç thotë Jakobi, nëse besimi i njeriut është ky
lloj besimi vërtet shfajësues, atëherë ai do të tregohet në jetën e tij me anë
të veprave të mira dhe këto janë provë se ai ka dalë i drejtë. Te Gal. 3:2,5 Pali thotë se njeriu nuk mund të
shpëtohet nga një përzierje e besimit dhe veprave. Ai shpëtohet nga besimi, vazhdon me anë të
besimit dhe përfundon më anë të besimit! Shpëtimi është me anë të besimit, nga fillimi
në fund (Rom. 1:17)!
Sigurisht, njerëzit gjithmonë i përgjigjen
këtij mësimi duke thënë diçka të tillë si: “Mirë atëherë, nuk ka rëndësi se
çfarë jete bëj. Unë mund të pranoj
Krishtin me anë të besimit sot, të shkoj e të mëkatoj nesër dhe Perëndia
përsëri do të më pranojë!” Kjo quhet
antinomizëm dhe pikërisht me këtë merret Pali te Romakët 6. Kjo thjesht tregon që njeriu e ka keqkuptuar
krejtësisht Ungjillin! Të kuptuarit e
vërtetë e hirit të Perëndisë na mëson të themi: “Jo!” ndaj paperëndishmërisë
(Titi 2:11). Nëse një njeri vërtet e
kupton mëkatshmërinë e tij dhe mëshirën e hirin e Perëndisë në shpëtimin e Tij,
atëherë ai mund t’i përgjigjet Atij vetëm në dashuri që çon në bindje dhe
nënshtrim d.m.th. besim që çon në vepra, ashtu siç thotë Jakobi. Ky është besimi i vërtetë dhe kthimi i
vërtetë.
Fryti i një kthimi të vërtetë është të
kuptuarit e vërtetë të hirit të Perëndisë dhe një zemër plot me dashuri ndaj
Jezu Krishtit, dhe për pasojë një dëshirë shumë të madhe për t’u treguar të
tjerëve për dashurinë dhe hirin e Tij. Kjo
dashuri nuk është diçka e detyruar apo e panatyrshme. Kjo është krejtësisht e natyrshme për njeriun
e kthyer në besimtar dhe kështu përhapja e Ungjillit për të është një gjë e
natyrshme. Të dëshmuarit është diçka që
rrjedh natyrshëm prej zemrës së tij.
Kështu ne predikojmë dhe përhapim
Ungjillin sepse kjo është diçka që duam
ta bëjmë, kjo është diçka që na pëlqen ta bëjmë sepse dëshirojmë që ta bëjmë. Ne i
bindemi Atij pasi e duam (Gjoni 14:21,23). Ne e kemi kuptuar dashurinë që Perëndia ka për
ne, e gëzojmë dhe e njohim përditë këtë dashuri që Ai ka për ne dhe duam që ta
shpallim e ta përhapim këtë mesazh të dashurisë së Tij. Ne jemi shpëtuar me anë të besimit në saje të
hirit dhe dashurisë që Ai tregon ndaj nesh dhe dëshirojmë që të shkojmë e t’u
tregojmë edhe të tjerëve rreth kësaj si dhe rreth Atij. Kjo nuk është diçka që e bëjmë se e ndihemi të
detyruar dhe duhet ta bëjmë patjetër që të fitojmë miqësinë e Perëndisë, por e
bëjmë këtë pasi e duam Atë! DJ-të, në
anën tjetër, nuk e kanë kuptuar qartë këtë mesazh të dashurisë që Perëndia ka
për ta, pavarësisht nga ato që thonë, dhe kështu ata e përhapin fenë e tyre
ngaqë e ndiejnë se kanë një detyrim dhe
duhet ta bëjnë këtë.
Në Adamin, në Krishtin
Ideja që DJ-të kanë, ashtu siç thamë më
sipër, është se Krishti ishte vetëm ekuivalenti i Adamit dhe vdiq për të
riblerë vetëm atë që ishte humbur prej Adamit dhe asgjë më shumë. Njeriu
është pra në të njëjtën gjendje që Adami ishte para Rënies. Kështu njeriu mund të mëkatojë përsëri, të
largohet prej Perëndisë dhe të humbasë “shpëtimin” e tij. “Shpëtimi” i tij varet nga bindja e tij e
vazhdueshme (ndaj Organizatës) dhe është diçka që meritohet prej saj. Për ata shfajësimi i një njeriu para Perëndisë
nuk është kurrë i plotë, ai varet nga vazhdueshmëria e tij në rrugën e DJ-ve. Vargu i tyre më i preferuar në përpjekjet e
tyre për ta mbështetur këtë pikëpamje është Mateu 24:13: “ai që do të ngulmojë
deri në fund do të shpëtohet”.
Falsiteti i këtij mësimi të tyre duket
qartë nga një studim i vargjeve tek Romakët 5:12-21. Në këtë pasazh krahasohen dy gjëra, gjendja e
njeriut në Adam para kthimit dhe ajo pas kthimit në Krisht. Adami dhe Krishti shihen si dy krerë federalë
të njerëzimit; Adami, kreu i racës së rënë, në të cilin ne të gjithë marrim
pjesë me anë të lindjes, dhe Krishti, kreu i njerëzimit të shpenguar, në të
cilin marrin pjesë besimtarët. Adami, si kreu federal i njerëzimit të rënë,
solli në këtë botë mëkatin, vdekjen dhe dënimin për të gjithë
(5:12,15-16,17-19); Krishti, Adami i fundit (1 Kor. 15:45), si kreu i Kishës që
beson, solli hirin, shfajësimin dhe jetën e përjetshme për të gjithë ata që
besojnë (5:15-19,21; 1 Kor. 15:22). Perëndia
i sheh besimtarët si njerëz që janë në Krisht, jo në Adam (1 Kor. 1:30: “Por
prej tij [Perëndisë] ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne
dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim”).
Gjithë njerëzit që lindin në këtë botë
marrin pjesë në natyrën e Adamit dhe në pasojat e rënies së tij në mëkat. Të gjithë kanë një natyrë mëkatare, të gjithë
u nënshtrohen vuajtjeve dhe trilleve të kësaj jete pa shpresë, të gjithë vuajnë
sëmundje dhe më së fundi vdekje e dënim në Gjyqin e madh. Por besimtari, i përfshirë në Krishtin që kur beson (Efes. 1:13), merr pjesë në
gjithçka që është jona në Krisht dhe në pasojat e asaj që bëri Ai në Kryq për
ne – në hirin, faljen, paqen dhe pajtimin me Perëndinë, në jetën e përjetshme,
në drejtësi, në autoritetin frymëror, duke qenë bij të Perëndisë dhe
bashkëtrashëgimtarë me Krishtin (Rom. 8:17 etj.).
Letra drejtuar efesianëve është shumë e
rëndësishme në këtë aspekt. Shih gjithë
gjërat që janë tonat në Krisht: jemi
të zgjedhur në Krisht para krijimit të botës (1:4,11); paracaktuar në Krisht që
të birësohemi si bijtë e Tij (1:5) dhe në Krisht ne kemi shpengimin me anë të
gjakut të Tij dhe marrim faljen për mëkatet tona (1:7); jemi përfshirë në
Krishtin atëherë kur besuam (1:13); vulosur në Krisht me një vulë, Frymën e
Shenjtë (1:13); të ulur në vendet qiellore (2:6) etj.
KJO ËSHTË SHUMË MË TEPËR SE THJESHT TË
QENËT NË GJENDJEN NË TË CILËN ADAMI ISHTE PARA RËNIES. Adami nuk kishte asnjë lloj sigurie, nuk mund
të dilte kurrë të drejtë, gjithmonë jetonte më frikën se një ditë do të
humbiste lidhjen e tij me Perëndinë; Adami nuk kishte Frymën e Shenjtë dhe nuk
ishte i ulur në vendet qiellore! Shih sa më shumë kemi edhe tani ne si
besimtarë në krahasim me Adamin para se të binte! Në Krisht jemi në një gjendje shumë më të
madhe e të mirë se ishte Adami para se të binte! Adami nuk mund të dilte i drejtë, përveçse me
bindje të vazhdueshme, të pathyer dhe të përsosur (për të cilën sigurisht që do
t’i duhej një përjetësi e tërë!); shfajësimi ynë në Krisht është i plotë dhe total, TANI! Çfarë sigurie dhe paqeje që kjo sjell në zemrën e një
besimtari të vërtetë, kur di se Perëndia e ka falur dhe e ka pranuar atë
plotësisht, kur di se në jetën e tij ka gjithmonë përkujdesjen e një Ati të
dashur, kur njeh përkujdesjet e Tij për gjithë nevojat tona dhe në kohë të
vështira të jetës dhe kur ka sigurinë se do të jetë me Të pas vdekjes! Ç’dashuri
të thellë dhe të madhe për Shpëtimtarin e tij ndien besimtari në zemër si
pasojë dhe ç’dëshirë të madhe ta ndjekë Atë kudo që Ai mund ta thërrasë!
Llogaritja e drejtësisë së Krishtit tek
gjithë besimtarët
Të thuash se kur një njeri beson vihet
vetëm në gjendjen në të cilën Adami ishte para se të binte do të thotë se
njeriu nuk ka drejtësinë e Krishtit. E
vetmja gjë që ai ka atëherë me të cilën kërkon të fitojë shpëtimin e tij është
drejtësia e vet njerëzore (dhe veprat), e cila është ajo që do ta kishte
shpëtuar Adamin nëse nuk do të kishte rënë. Kjo menjëherë i vë gjithë njerëzit prapë nën
dënim, sepse drejtësia jonë njerëzore nuk mund të meritojë asgjë para
Perëndisë, sepse jeta dhe natyra jonë janë kaq të fëlliqura prej mëkatit. Drejtësia jonë njerëzore vetëm se i shton më
shumë dënimit tonë dhe e thekson më tepër atë; ajo është si një rrobë e ndotur
para syve të Perëndisë (Isa. 64:6)! Drejtësia njerëzore në mënyrë të
paevitueshme çon në vetëdrejtësi dhe kjo nuk ka asnjë vlerë, ajo nuk mund të na shpëtojë!
Por në Krisht shfajësimi ynë është i plotë
dhe total sepse na jepet drejtësia e
Krishtit (Rom. 4:3,5-6,11,13,23-24; 5:17,19; 2 Kor. 5:21; 1 Kor. 1:30). Kur vdiq Krishti mori mëkatet tona mbi vete
dhe, kur ne besojmë, drejtësia e Tij
(e përsosur) na llogaritet neve prej Perëndisë. Kjo do të thotë se kemi një
shfajësim të plotë dhe total para Perëndisë për gjithë kohën dhe përjetësinë, për shkak të Krishtit, jo për shkak të
meritave tona. Perëndia na sheh si në
Krisht.
Kështu nuk detyrohemi të fitojmë shpëtimin
dhe nuk mund ta meritojmë atë. Duhet që
thjesht të besojmë në Krishtin Jezu, Shpëtimtarin e gjallë, ta pranojmë Atë në
jetën tonë dhe të pendohemi për mëkatet tona. Pastaj besimi i vërtetë do të na çojë në një jetë
dashurie dhe bindjeje, duke treguar veprat e mira të Krishtit tek ne dhe
nëpërmjet nesh (Efes. 2:10).
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.