11
– A mund ta adhurojmë e t’i lutemi Jezuit?
DJ-të gjithmonë protestojnë fuqimisht ndaj
faktit që të krishterët i lutemi Jezuit. Meqë ata nuk e pranojnë faktin që Jezui është
Perëndi, sigurisht që nuk mund të pranojnë se mund t’i lutemi Atij. Në anën tjetër, i krishteri, që e di se Jezui
është Perëndi, nuk ka problem të pranojë se mund t’i lutet Jezuit, dhe ka parë
kaq e kaq herë nga përvoja se Ai u është përgjigjur lutjeve të tij.
DJ-të besojnë se duhet t’i lutemi vetëm
Atit, ashtu si Jezui i mësoi dishepujt e Tij të bënin dhe ashtu si Ai vetë
bëri. Dhe, sigurisht, që edhe ne biem
plotësisht dakord me faktin që mund dhe duhet t’i lutemi Atit. Sidoqoftë, në Bibël ka vargje, pasazhe dhe
premtime, që na tregojnë se vërtet mund t’i lutemi Jezuit dhe të cilat DJ-të
nuk duan t’i përmendin.
Së pari, në librin e Veprave, kemi një
shembull të mirë të dikujt që iu lut Jezuit. Kur çifutët po vrisnin me gurë
Stefanin, Bibla na thotë se Stefani lutej e thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje
frymën time!” (Veprat 7:59).
Së dyti, Jezui u dha dishepujve të Tij një
premtim të madh tek Gjoni 14:13-14 “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta
bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në
qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj”. Vini re këto fjalë: “DO TA BËJ... UNE DO TA
BËJ”. Këtu Jezui po u thotë shumë qartë dishepujve të Tij se ata mund t’i luten
Atij, dhe ua jep edhe një premtim të lavdishëm: “Unë do ta bëj”.
Përkthimi i fjalës greke proskyneo në DhR-në
Një nga fjalët greke që është përkthyer adhuroj në DhR-në është fjala proskyneo. Ajo do të thotë: adhuroj (i falem), kam
respekt të thellë, përkulem në shenjë nderimi etj. Kjo fjalë përdoret për adhurimin drejtuar
Perëndisë e gjithashtu edhe vetë Krishtit. Lexo vargjet e mëposhtme për të gjetur shembuj
të adhurimit drejtuar Perëndisë (Gjoni 4:23; Zbulesa 7:11, 19:10, 22:8) dhe
Krishtit (Mateu 2:2,11).
Është interesante kur lexon versionin
BR-në të Biblës që kanë DJ-të dhe sheh se si e kanë përkthyer ata këtë fjalë. Ndërsa, kur përdoret për Atin, e kanë
përkthyer me fjalën adhuroj, për
Krishtin përdorin fjalën përkulje (në
anglisht, to do obeisance). Duke bërë këtë ata bëjnë një dallim të qartë
mes Atit Perëndi dhe Jezuit. Përsëri,
mund të shohim se DJ-të, në përkthimin e tyre, në mënyrë të stërholluar kanë
futur doktrinat e veta në Bibël. Bibla
thotë ta adhurosh vetëm Perëndinë dhe kështu, duke përdorur fjalën përkulje kur është fjala për Krishtin,
ata thonë në fakt që Krishti nuk është Perëndi. Ata e kanë bërë atë më inferior se Perëndia. Kjo për shkakun se fjala përkulje ka një kuptim paksa të ndryshëm nga ai i fjalës adhurim. Fjala përkulje
mund të nënkuptojë një veprim të jashtëm që bëhet formalisht (pa pasur aspak
domethënien se atij që i përkulesh është Perëndia; dhe vërtet kjo mund të bëhet
edhe para njerëzve apo perëndive paganë), kurse fjala adhurim, kur lidhet me Perëndinë, ka të bëjë me një qëndrim të
zemrës që e pranon dhe e njeh faktin se kush është Ai.
Për shembull, tek Gjoni 4:20-24 fjala proskyneo përdoret dhjetë herë dhe çdo
herë është përkthyer adhurim tek
BR-ja, pasi ka të bëjë me Atin. Ndërsa,
tek Lluka 24:52, sipas BR-së, dishepujt iu
përkulën Jezuit dhe nuk e adhuruan.
Shih gjithashtu edhe pasazhet tek Mateu
2:11; 14:33; 28:9,17 dhe Gjoni 9:38.
Ka pasazhe të ndryshme në Bibël të cilat
na tregojnë se njerëzit e adhuruan Krishtin. Gjëja më interesante është se, në asnjë nga
këto raste, Jezui nuk u thotë që të mos e adhurojnë, por në çdo rast Ai e
pranoi adhurimin e tyre. Për shembull,
pas lindjes së Tij, Jezui u adhurua prej dijetarëve nga lindja (Mateu 2:2,11);
u adhurua nga njeriu që kishte lindur i verbër, pasi u shërua prej Tij (Gjoni
9:38); u adhurua prej dishepujve pas ecjes së Tij mbi ujë (Mateu 14:33); u
adhurua nga gratë pas ringjalljes së Tij (Mateu 28:9) dhe nga dishepujt para
dhe pas ngritjes së Tij në qiell (Mateu 28:17, Lluka 24:52).
Në qoftë se Jezui nuk ishte Perëndi, do ta
kishte refuzuar adhurimin që të tjerët i bënin. Vetëm Perëndia mund dhe duhet të adhurohet. Tek Zbulesa 19:10 dhe 22:8, Gjoni bie më
gjunjë për të adhuruar një engjëll, por u qortua dhe iu tha që të mos adhuronte
engjëllin por Perëndinë. Po kështu, tek
Veprat 14:8-18, një turmë njerëzish u përpoqën të bënin flijime për Palin dhe
Barnabën, duke menduar se ata ishin perëndi në trajtë njerëzore, për arsye të
mrekullisë që kishin bërë. Pali dhe
Barnaba u tmerruan dhe u thanë se ishin vetëm njerëz dhe, për këtë, turma nuk
duhej të bënte flijime për ta. Një
ndodhi e ngjashme i ndodhi edhe apostull Pjetrit tek Veprat 10:25-26. Atëherë,
në qoftë se Jezui nuk ishte Perëndi, pse nuk veproi si apostujt e mësipërm? Duke pranuar dhe duke mos refuzuar adhurimin e
të tjerëve (nëse vërtet nuk ishte Perëndi), atëherë Jezui na del më pak i
përshpirtshëm se apostujt që e refuzuan këtë gjë!
Tek Hebrenjtë 1:6 gjejmë një pasazh shumë
të rëndësishëm: “kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e
Perëndisë”. Këtu ne gjejmë një
urdhër shumë të qartë që Ati u jep engjëjve të Tij; ata duhet të adhurojnë
Krishtin, Birin e Perëndisë. Asgjë nuk mund të na e tregojë më qartë se ky
pasazh faktin që Jezui duhet adhuruar!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.