09 Ringjallja trupore e Krishtit

9 – Ringjallja trupore e Krishtit
      DJ-të mohojnë të vërtetën biblike të ringjalljes trupore të Jezu Krishtit.  Ata thonë se Ai nuk u ringjall me një trup fizik, por vetëm me atë që ata e quajnë “trup prej fryme” (në anglisht, a spirit body).  Ai u ngjall vetëm si “një krijesë fryme e fuqishme” (në anglisht, a mighty spirit creature).
      Kështu ata thonë se kur u ringjall, Ai nuk kishte një trup real, por vetëm një “trup prej fryme”.  Kjo na bën që menjëherë të ngremë pyetjen: “Atëherë në çfarë mënyre iu paraqit Ai dishepujve të Tij?” DJ-të përgjigjen, pa dhënë qoftë edhe një fragment prove prej Biblës që ta mbështetin besimin e tyre, se në shfaqjet e Tij pas ringjalljes Ai thjesht u materializua në trup vetëm për një kohë të shkurtër, në mënyrë që dishepujt e Tij të mundë ta shihn dhe të besonin.  Ata thonë se ishte vetëm ngaqë Thomai refuzoi të besonte, që Jezui u shfaq në një trup të ngjashëm me atë në të cilin Ai vdiq.
      Kur u kërkohet të shpjegojnë se çfarë mendohet sipas tyre t’i ketë ndodhur trupit të Krishtit që ndodhej në varr, DJ-të nuk kanë asnjë përgjigje.  Duket se askush prej tyre nuk e di se çfarë ndodhi me të.  Por në historinë e tyre ata kanë dalë me disa ide të çuditshme.  Në librin e tyre Po afron koha (“The Time is at Hand”), në faqen 129, ata thonë: “nëse ai [trupi i Krishtit] u shpërbë në gaze apo nëse ruhet akoma diku si përmendore e madhe e dashurisë së Perëndisë, bindjes së Krishtit dhe shpengimit tonë, askush nuk e di”.  Dhe në botimin e vitit 1953 të librit të tyre Sigurohu për gjithçka (“Make Sure of All Things”), në faqen 314, thuhet: “Ai [Krishti] thjesht u materializua në mish e gjak në mënyrë që të shihej dhe të besohej”.  Këto janë ide pa bazë a mbështetje në Bibël.
      DJ-të përpiqen t’i faktojnë besimet e tyre duke u munduar të kapen pas vargjeve të ndryshme të Shkrimeve.  Por mjerisht, siç do ta shohim, interpretimet që ata u bëjnë këtyrë vargjeve janë të gabuara. Do t’i shqyrtojmë këto një nga një.
      Ata mundohen të kapen pas 1 Kor. 15:44,45: “Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror.  Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar:  «Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë»”.  Ata nxjerrin përfundimin se Krishti nuk kishte një trup real, por një trup jofizik “prej fryme”, që kur u ringjall, Ai ishte një person prej fryme.
      Por nuk është kjo ajo që këto vargje thonë në të vërtetë.  Së pari, vargjet flasin rreth një trupi frymëror.  Ky nuk është një “trup prej fryme” por një trup frymëror, madje një trup.  Trupi frymëror i Krishtit ishte trupi që Ai kishte kur u ringjall.  Ai u ngrit sërisht me një trup frymëror, dhe jo si një person prej fryme.  Trupi i Tij pas ringjalljes ishte thjesht një formë e pavdekshme e trupit që Ai kishte para se të vdiste.  Ky ishte i njëjti trup.  Vini re përsëritjen e fjalës trup në vargun 44: “Mbillet trup... ringjallet trup...” – të dyja herët fjala trup i referohet të njëjtës gjë, trupit fizik.  Ajo që mbillet është ajo gjë që ringjallet.  Vargu 42 thotë të njëjtën gjë: “Trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje”.  Këtu kemi të njëjtën kryefjalë, fjalën trupi për të dyja veprimet – mbjelljen dhe ringjalljen.  Është i njëjti trup.  Trupi që vdes e varroset është trupi që ringjallet e ngrihet së vdekuri.
      Së dyti, duke u munduar të kapen pas pjesës së dytë të vargut 45, DJ-të pretendojnë se Krishti ishte një frymë pas ringjalljes së Tij, d.m.th. që Ai nuk kishte një trup real.  Sidoqoftë, vargu 45 nuk ka të bëjë me të pasurit apo të munguarit e formave të jashtme, trupore dhe fizike, qoftë kjo për rastin e Adamit apo atë të Krishtit.  Këtu bëhet fjalë për llojin e jetës që ata kishin në brendësi të tyre.  “Adami u bë shpirt i gjallë”, që jepet me fjalën greke psyche.  Kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte trup, diçka që ai sigurisht që e kishte.  Në të njëjtën mënyrë, fraza që thotë se Krishti “është Frymë që jep jetë”, që jepet me fjalën greke pneuma, bën fjalë për jetën që Krishti kishte në brendësi të Tij, jetë të vërtetë frymërore, dhënë prej Perëndisë, atë lloj jete që është burimi i jetës frymërore të besimtarëve.  Kjo nuk do të thotë se Ai nuk kishte trup.  DJ-të nuk kanë asnjë të drejtë të thonë në bazë të vargut 45 se Krishti nuk kishte trup pas ringjalljes.  Në fakt gjithë mësimi i kapitullit 15 tek 1 Korintasit ka të bëjë me ringjalljen e trupit.
      Ata duan të kapen gjithashtu edhe te 1 Pjetri 3:18: “U vra në mish, por u ngjall nga Fryma”.  Origjinali në greqisht këtu është paksa i paqartë dhe kështu në disa versione ky varg përkthehet kështu: “por u ngjall në frymë” dhe DJ-të e përdorin këtë version të thonë se Krishti ishte frymë kur u ngrit sërisht.  Sidoqoftë përkthimi nga Diodati i Ri “por u ngjall nga Fryma” është një mënyrë të shprehuri mjaft e pranueshme.  Me fjalë të tjera kjo është një referencë që na flet për Frymën e Shenjtë që e ringjalli Krishtin së vdekuri.  Në fakt interpretimi i DJ-ve është një tallje me mësimin e Biblës.  Nëse ata besojnë se fraza do të thotë që Krishti ishte frymë, atëherë duhet të vazhdojnë në të njëjtin interpretim dhe të nxjerrin, për shembull, përfundimin se, për këtë arsye, të gjithë besimtarët romakë të cilëve Pali po u shkruante në letrën e tij ishin gjithashtu frymëra, se nuk kishin trupa.  Sepse te Rom 8:9 ai u thotë atyre: “ju nuk jeni më në mish, por në Frymë...” (apo, në frymë).  Nëse ata nuk kishin trupa, ky do të ishte absurditet.
      Ata mundohen të kapen edhe pas 1 Kor. 15:50: “mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”.  Ata prapë përfundojnë duke thënë se Krishti, pas ringjalljes së Tij, nuk kishte një trup fizik.  Sidoqoftë, fraza “mishi dhe gjaku” këtu u referohet trupave tanë në gjendjen e tanishme natyrale, të prishshme, të dobët dhe të vdekshme ashtu siç na thotë edhe pjesa e dytë e vargut: “as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen”.  Me fjalë të tjera, trupat tanë në këtë gjëndje që ndodhen tani, përderisa nuk kanë ndryshuar për sa i përket anës cilësore, përderisa nuk janë kthyer në trupa frymërorë, nuk kanë për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë.  Por pas ringjalljes, kur të kemi trupat frymërorë, ne, me këta trupa, do të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë.

Krishti kishte një trup fizik pas ringjalljes së Tij
      Nëse shqyrtojmë me kujdes DhR-në, duke vëzhguar të gjitha faktet që gjejmë atje, duket qartë se Krishti u ringjall trupërisht dhe se ishte pikërisht ai trup që vdiq dhe u varros trupi që u ringjall ditën e tretë.
      Në shërbimin e hershëm të Tij, Jezui foli për ringjalljen e trupit të Tij.  Te Gjoni 2:19-22 Ai u thotë judenjve: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri”.  Ata e keqkuptuan dhe kujtuan se Ai po i referohej Tempullit në Jeruzalem, gjë që e kuptojmë nga përçmimi që ata treguan në përgjigjen e tyre ndaj këtyre fjalëve të Tij. Por Gjoni, në vargjet 21 e 22, na shpjegon se për çfarë e kishte fjalën Ai: “Por Ai fliste për tempullin e trupit të vet.  Kur, më pas, Ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se Ai këtë ua kishte thënë”.  Gjoni na e thotë qartë se Krishti po fliste për trupin e Tij fizik dhe thotë madje edhe vetë se kështu e kuptuan edhe dishepujt e Tij.
      Në mjaft nga shfaqjet e Tij pas ringjalljes, Jezui bëri çmos që t’u vërtetonte dishepujve se Ai vërtet dhe me gjithë mend ishte ringjallur fizikisht.  Në mbrëmjen e ditës së ringjalljes, te Lluka 24:36-44, ata bënë të njëjtin gabim që bëjnë edhe DJ-të, kur menduan se po shihn një hije, një frymë apo shpirt.  Duket qartë që ata nuk besonin akoma se Ai do të ngrihej sërisht.  “Ai u tha atyre: «Pse jeni shqetësuar dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?  Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam.  Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shih se unë kam!»  Dhe si tha këtë Ai u tregoi atyre duart dhe këmbët.  Por duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: «A keni këtu diçka për të ngrënë?»  Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.  Dhe ai i mori dhe i hëngri para tyre”.
      Vini re fjalët e Tij: “Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”  Ai kishte eshtra.  Eshtra. Eshtrat janë eshtra, dhe kjo nuk diskutohet.  Ishin reale e solide, jo frymë.  Ai u kërkoi t’i shihnin duart dhe këmbët e Tij. Duket që ato akoma kishin shenjat e plagëve të kryqëzimit.  Ai i përdori këto shenja si fakte për t’u vërtetuar atyre se ishte vërtet Ai, dora vetë, vërtet i ringjallur prej së vdekuri.  Madje, për t’ua vërtetuar këtë atyre, Ai shkoi edhe më tutje dhe u kërkoi diçka për të ngrënë.  Ata i dhanë pak peshk – ushqim të vërtetë solid – dhe Ai e hëngri atë në prani të tyre. Është me rëndësi të vëmë re se Jezui e bëri këtë dhe tha këto fjalë si prova që vërtetonin se Ai vërtet ishte ringjallur në trup fizik dhe se ky trup ishte i njëjti trup që ishte kryqëzuar.  Nëse trupi i Tij nuk do të ishte ringjallur me të vërtetë dhe nëse Ai ishte materializuar në një trup fizik vetëm për momentin, atëherë detyrohemi të nxjerrim përfundimin se, këtu, Jezui ishte fajtor për një mashtrim flagrant, se qëllimisht Ai bëri që dishepujt e Tij të besonin diçka që nuk ishte e vërtetë.  Ky do të ishte një mashtrim sepse kështu dishepujt sigurisht se do të besonin se Ai ishte ringjallur me të vërtetë fizikisht.  Por dihet se sigurisht ne nuk besojmë që Jezui ishte mashtrues.
      Te Gjoni 20:24-29 na tregohet për mosbesimin e Thomait dhe çfarë bëri Jezui për këtë.  Thomai nuk pati qenë prezent kur Jezui iu shfaq për herë të parë dishepujve dhe u betua se nuk do të besonte për sa kohë që nuk kishte vënë gishtin e tij mbi shenjat e plagëve që gozhdët kishin lënë në duart e Jezuit, dhe dorën mbi plagën në brinjën e Tij. Zoti iu paraqit atyre pas një jave dhe Ai madje e ftoi me qëllim Thomain të bënte pikërisht atë që kishte kërkuar të bënte.  Tek vargu 27 lexojmë se Ai i thotë Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”  Përsëri, Jezui i tregon plagët fizike që akoma ishin mbi trupin e Tij si provë që vërtetonte se vërtet Ai ishte ringjallur fizikisht.
      Në një rast tjetër për të cilin na flitet te Gjoni 21:1-14, kur dishepujt po peshkonin në Detin e Tiberiadës, Jezui u shfaqet edhe pse në fillim ata nuk e njohën dhe bëri një mrekulli për t’u vërtetuar se ishte vërtet Ai vetë.  Më vonë, ata të gjithë u ulën në breg të liqenit dhe hëngrën të gjithë bukë dhe peshk për mëngjez.  Përsëri, Ai e bëri këtë për ta vërtetuar ringjalljen e Tij fizike.
      Te Marku 16:1-8 na tregohet për vizitën e grave te varri.  Vini re fjalët e engjëllit në vargun 6: “Mos u trembni!  Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; Ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë...”.  Engjëlli deklaroi se Ai ishte ringjallur dhe i ftoi gratë të shihnin tek vendi ku kishte qenë më parë trupi i Tij.  Trupi nuk ndodhej më atje.  Këtë na e thotë edhe Gjoni te Gjoni 20:3-9.  Kur ai dhe Pjetri shkuan te varri, u futën brenda dhe panë se trupi nuk ndodhej më atje, por rrobat e varrit ndodheshin akoma atje (vargjet 6 dhe 7). Engjëlli përdori qartë faktin që trupi nuk ndodhej më atje si një provë për të vërtetuar se ky trup ishte ringjallur.  Nëse trupi nuk ishte ringjallur me të vërtetë, atëherë mungesa e tij në varr nuk do të vërtetonte asgjë.  Ai thjesht mund të ishte vjedhur, për shembull. Kështu pra, engjëlli nuk mund të shpallte se trupi ishte ringjallur thjesht duke u mbështetur në faktin se ai nuk gjendej atje.  Pra, ose engjëlli po i mashtronte, ose ai për vete ishte gënjyer, ose thjesht po thoshte të vërtetën, që trupi i Jezuit ishte ringjallur vërtet fizikisht.  Dhe këtu lind pyetja: “Nëse Jezui nuk u ringjall fizikisht, atëherë, çfarë ndodhi vallë me trupin e Tij?  Ku ishte trupi?  Pse nuk ndodhej më në varr?”
      Së fundi, është diçka interesante kur sheh që Lluka thotë te Veprat 1:3 se Krishti, pas ringjalljes së Tij, iu paraqit dishepujve “me shumë prova bindëse” të cilat vërtetonin se Ai ishte i gjallë.  Duket qartë, dishepujt nuk kishin nevojë të bindeshin më për vërtetësinë e këtij fakti, që Ai ishte vërtet i gjallë, pasi mbaroi periudha 40-ditore gjatë së cilës Ai iu paraqit atyre pas ringjalljes.  Vini re që është Lluka, një mjek (pra jo një sylesh që mashtrohet lehtë) ai që e shkruan këtë.  Një mjek do të ishte njeriu i parë që do ta vinte në dyshim faktin se Krishti ishte ringjallur.  Por këtu, shohim se Lluka kishte dëgjuar prova të mjaftueshme nga dishepujt të cilat kishin mjaftuar për ta bindur atë vetë.

Trupi që kishte Krishti pas ringjalljes
      Siç e kemi thënë edhe më sipër, trupi i Krishtit pas ringjalljes ishte thjesht një formë e pavdekshme e trupit që Ai kishte pasur para vdekjes së Tij.  Trupi i Tij pas ringjalljes kishte disa karakteristika interesante. Ai ishte një trup fizik, material, i fortë (Lluka 24:39), Ai mund të hante (Lluka 24:42; Gjoni 21:13,15) por Ai edhe mund të shfaqej dhe zhdukej (Gjoni 20:19,26; Lluka 24:31).

Pyetje të cilave DJ-të duhet t’u gjejnë përgjigje
      Nëse është e vërtetë që Jezui nuk u ringjall trupërisht, atëherë DJ-ve u dalin disa pyetje shumë të vështira, për të cilat ata nuk kanë përgjigje:
1.      Çfarë ndodhi me trupin?  Pse nuk u gjend në varr?  Ku ishte?  Pse askush nuk mundi ta gjente më pas?  U kërkoj të gjithë DJ-ve që lexojnë këtë libër t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: “Çfarë ndodhi me trupin e Krishtit?”
2.      Nëse Krishti nuk ishte ngjallur vërtet, atëherë përse u shqetësuan aq shumë farisenjtë?  Ata hapën se dishepujt e kishin grabitur trupin (Mat. 28:11-15).  Pse nuk mundën ata ta vërtetonin me fakte dhe prova këtë pretendim që kishin?  Në fakt, si ka mundësi që dishepujt ta kishin grabitur trupin, kur te varri kishte rojë gjatë gjithë kohës, rojë që ishte vënë atje posaçërisht që trupi të mos vidhej (shih tek Mat. 27:62-66)?  Ishte e pamundur që dishepujt ta vidhnin trupin.  Për më tepër, ata nuk ishin në një gjendje të tillë psikologjike që të arrinin ta bënin këtë.  Ata ishin krejtësisht të dërrmuar; kishin humbur të gjitha shpresat; kishin marrë arratinë kur Krishtin po e merrnin për t’i bërë gjyqin; i kishte zënë tmerri dhe ishin fshehur prapa dyerve të kyçura nga frika se mos u merrnin edhe atyre jetën (Gjoni 20:19).  Kështu, nëse ata nuk e vodhën trupin, ç’u bë me të?  Varri ruhej.  Po, ku ishte trupi?  Si doli ai nga varri?  Ringjallja trupore e Krishtit mund të hidhej poshtë mjaft lehtë nga judenjtë, thjesht duke nxjerrë para syve të të gjithëve trupin e vdekur të Tij. Pse nuk e bënë këtë judenjtë?
3.      Pse ishte bosh varri?  Pse ishin lënë rrobat e varrit në varr?  Pse Jezui kishte akoma shenjat e plagëve të kryqëzimit mbi trupin e Tij kur u shfaq?  Nëse Ai thjesht ishte materializuar në trup, nuk ishte nevoja aspak për këto shenja, ata do të kishin arritur ta njihnin Atë edhe pa to.

Pse dishepujt nuk e njohën Atë në disa raste?
      DJ-të duan të kapen pas faktit se në disa nga shfaqjet e Tij pas ringjalljes, dishepujt dhe gratë duket se nuk e njohën Jezuin.  “Për këtë,” – thonë ata, - “trupi në të cilin Ai u materializua në ato raste ishte një trup tjetër.”  Le t’i shqyrtojmë ato raste.
1.      Te Gjoni 21:1-14 dishepujt në fillim nuk e njohën Atë (v4).  Pse vallë?  Ata kishin qenë duke peshkuar për tërë natën, kështu, duket që ata nuk e prisnin që Ai t’u shfaqej para syve.  Kjo nuk ishte diçka që ata prisnin të ndodhte.  Ishte herët në mëngjes dhe dita akoma nuk kishte zbardhur mirë.  Ata ishin akoma mbi varkë, pra akoma ndodheshin larg bregut, nga ku Jezui po i thërriste, për këto arsye ata nuk mund ta dallonin qartë Atë. Por shih reagimin e tyre të menjëhershëm kur e kuptuan se ishte Ai (v7,8).  Kur dolën në breg ata e dinin se ishte Ai dhe as që e vunë këtë në dyshim.
2.      Te Lluka 24:13-35 dy nga dishepujt po ecnin rrugës për në Emaus dhe gjatë rrugës Zoti i takon.  Shkrimi nuk na thotë se ata nuk e njohën, por na thotë se sytë e tyre u penguan që të mos e njihnin (v16), diçka krejt tjetër kjo.  Kjo ishte diçka që ua bëri Perëndia, në mënyrë që t’u mësonte më parë diçka.  Pas bisedës që vijoi, Ai më në fund theu bukën me ta (v30-31) dhe pikërisht në këtë moment sytë e tyre u hapën dhe ata e njohën.  Vini re përsëri, nuk na thuhet se Jezui ndryshoi formën e Tij në mënyrë që ata ta njihnin, na thuhet se sytë iu çelën dhe, pa u dashur që Ai të ndryshonte aspak, ata e njohën.  I gjithë ky pasazh nuk vë aspak në dyshim paraqitjen fizike të Jezuit, ai na tregon se sytë e tyre u penguan që të mos e njihnin Atë, gjë kjo krejt e ndryshme.  Paraqitja e Tij ishte e tillë sa ata vërtet e njohën menjëherë pasi sytë e tyre u hapën.  Pikërisht mbi këtë bazë duhet të interpretojmë fjalët që na jepen te Marku 16:12 për shfaqjen e Jezuit ndaj këtyre njerëzve në një formë të ndryshme.  Problemi qëndronte te vetë këta njerëz, në faktin që sytë e tyre u penguan që të mos arrinin ta njihnin Atë dhe jo në paraqitjen e Tij fizike, pasi ata e njohën Atë menjëherë sapo u hapën sytë e tyre.  Për sa kohë që sytë e tyre nuk ishin të hapur, sigurisht që Ai do t’u dukej i ndryshëm.
3.      Te Gjoni 20:1-18 lexojmë se si Maria Magdalena takoi Zotin e ringjallur dhe nuk e kuptoi se ishte Jezui (v14).  Pse vallë?  Ngaqë Ai nuk kishte të njëjtin trup dhe dukej ndryshe?  Jo!  Le t’i shqyrtojmë faktet: ishte shumë herët në mëngjes, akoma e errët (v1); Maria po qante dhe natyrisht ishte e dëshpëruar dhe e çoroditur (v11); ajo po dridhej, e tmerruar dhe e habitur, dhe kishte frikë (Marku 16:8); shikimin duhej ta kishte të paqartë prej lotëve; ajo nuk besonte se Ai do të ringjallej (shih tek Marku 16:3) dhe kështu as që i shkonte në mendje se njeriu që ndodhej atje pranë mund të ishte Zoti.  Ajo thjesht mendoi se Ai ishte dikush tjetër, kopshtari.  Nuk na thuhet ashtu si kanë pretenduar DJ-të gjatë historisë së tyre, se Ai iu shfaq asaj si kopshtari (shih librin e tyre Po afron koha (“The Time is at Hand”), faqe 128), na thuhet se ajo vetë mendoi se ishte kopshtari.  Tek vargu 14 na thuhet se ajo u suall prapa dhe pa Atë, pra duket që ajo nuk ishte përqëndruar te Ai, por te fakti që trupi nuk ndodhej më atje; vargu 16 na e bën të qartë se asaj iu desh të kthehej përsëri kur Ai i foli për herë të dytë, kështu, përsëri ajo nuk ishte përqëndruar te Ai.  POR kur Ai e thirri me emër, ajo e njohu menjëherë!  Dhe kërkoi të mbahej pas Tij (vargu 17, shih edhe tek Mateu 28:9), pra duket që tek Ai ajo pa të njëjtin Jezu që kishte njohur më parë.  Ajo e dalloi nga toni i zërit të Tij dhe nga paraqitja e Tij fizike.

Ringjallja trupore e Krishtit është shtylla e Krishterimit
      1 Korintasit 15 na e bën të qartë se ringjallja e Krishtit është baza e besimit tonë.  Ringjallja është e një rëndësie parësore për besimin, po aq e rëndësishme sa edhe vdekja e Krishtit (v3-4).  Nesë Krishti nuk është ringjallur, atëherë besimi ynë është i kotë, feja jonë është boshe dhe predikimi ynë është i padobi (v14,17).  Nëse Krishti nuk është ringjallur, atëherë ne jemi dëshmitarë të rremë dhe mashtrues, sepse themi se Ai vërtet u ngrit sërisht prej së vdekuri (v15).  Nëse Krishti nuk është ringjallur, atëherë të gjithë ata që vdiqën duke besuar në Të janë të humbur dhe jetuan për të besuar më kot një gënjeshtër (v18). Vërtet, atëherë ne, në mes të gjithë njerëzve, do të ishim më të mjerët dhe do të ishim bërë për të të ardhur keq (v19).  Nëse Krishti nuk është ringjallur, atëherë ne nuk kemi si të shpallemi të drejtë nga Perëndia (Rom. 4:25).
      Ky kapitull na mëson gjithashtu se ashtu si Krishti u ngrit trupërisht prej varrit, atëherë po kështu do të ndodhë me ne si besimtarë (v20,21).  Ai është fryti i parë!  Ringjallja e Tij na jep sigurinë dhe shpresën për ringjalljen tonë të ardhme.  Vini re këtë gjë: ringjallja jonë trupore është garantuar me ringjalljen trupore të Krishtit. Pa ringjalljen e Tij, ne nuk kemi shpresë se do të ringjallemi trupërisht. Dhe, kuptohet qartë, meqë ringjallja e Krishtit na tregon tipin e ringjalljes, atëherë edhe ne, kur të ringjallemi, do të kemi të njëjtin lloj trupi, ashtu siç e kishte Ai pas ringjalljes së Tij, pikërisht ashtu si Ai kishte të njëjtin trup që ne kemi tani, gjatë jetës së Tij tokësore.  Siç e kemi parë edhe më sipër, trupi i Tij pas ringjalljes ishte një trup fizik. Ishte një trup frymëror, por sidoqoftë fizik gjithashtu, dhe ishte i njëjti trup që vdiq dhe u varros.  Prandaj, në ringjalljen e ardhme të besimtarëve, trupat tanë do të ringjallen si trupa frymërorë dhe megjithatë fizikë gjithashtu.
      Ne jemi shpëtuar duke besuar në ringjalljen (dhe vdekjen) e Krishtit.  Tek Romakët 10:9 thuhet: “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh”.

      Të mjerët DJ-ë që nuk besojnë se Ai u ringjall trupërisht!  Ata nuk kanë asnjë shpresë për një ringjallje të ardhme trupore; shpëtimi dhe shpallja e tyre si të drejtë varet nëse besojnë këtë, të cilën ata, për të zezën e tyre, nuk e besojnë.  Mes gjithë njerëzve ata janë më të mjerët, për të cilët të vjen keq; ata nuk kanë asnjë shpresë në një Zot të ringjallur dhe të gjallë që mposhti tmerrin e vdekjes; asnjë rrugë që tani të njohin sigurinë, gëzimin, ngushëllimin dhe shpresën që sjell ky besim!

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.