6
– Trinia
Jemi marrë edhe gjetkë, në kapitujt 4 dhe
5, me temat: “Hyjësia e Krishtit” dhe “Fryma e Shenjtë është Person hyjnor”,
kështu që nuk ka përse të merremi prapë me këto tema në këtë kapitull. Rezultatet e këtyre studimeve të mësipërme na
çojnë logjikisht në temën e këtij kapitulli, Trininë.
DJ-të gjithmonë e kanë mohuar doktrinën e
Trinisë dhe ky mohim është një nga temat e tyre kryesore. Në revistën e tyre Kulla e Rojës, botuar më 15 shkurt 1994, në faqen 30, thuhet: “A
është, pra, Triniteti një mësim nga Bibla? Jo... Ai nuk gjendet në Bibël, dhe as që nuk
është pjesë e «mënyrës së krishterë të të menduarit»“. Në kopjen e kësaj reviste, botuar më 1 maj
1994, i gjejmë këto fjalë të mëposhtme: “duke qenë të mësuar prej Perëndisë, ne
nuk besojmë në Trinitetin, por njohim se Jehovai është Më i Larti, se Jezui
është Biri i tij dhe se fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë”.
Ata gjithmonë thonë se fjala trini nuk gjendet në Bibël, dhe, për
këtë arsye, kjo doktrinë nuk mund të jetë e vërtetë. Sigurisht, ky është një argumentim fals. Fjala trini
është thjesht një term teologjik i përdorur për të përshkruar mësimet që Bibla
na jep mbi natyrën e Perëndisë. Fakti që
një fjalë nuk gjendet në Bibël nuk do të thotë që kjo fjalë nuk mund të jetë e
vërtetë ose nuk mund të përdoret! Në
fakt, duke përdorur këtë argumentim DJ-të kundërshtojnë e hedhin poshtë
vetveten, sepse edhe vetë atyre u pëlqen shumë të përdorin disa fjalë që nuk
gjenden në Bibël. Për shembull, fjala teokraci, e cila përdoret për të
përshkruar mënyrën në të cilën qeveriset organizata e tyre, nuk gjendet në
Bibël. Pra, a duhet ta përdorin ata këtë
fjalë në atë masë që e përdorin?
Një arsye tjetër kryesore që ata nuk
besojnë në Trininë është për shkak të racionalizmit të tyre. Ashtu siç e kemi thënë edhe gjetkë, nëse DJ-të
nuk mund të kuptojnë diçka me kapacitetin e kufizuar të mendjes së tyre
njerëzore, atëherë hamendësojnë se kjo nuk mund të jetë e vërtetë. “Ne mund të kuptojmë të gjitha misteret!” –
thonë ata. Përsëri kjo është diçka e
gabuar. Ka shumë gjëra të Perëndisë,
natyrës, universit dhe jetës gjithashtu, të cilat as i kuptojmë dhe as mund t’i
kuptojmë, por kjo nuk do të thotë se thjesht mund t’i mohojmë ato. Do të ishim të marrë po ta bënim një gjë të
tillë! DJ-të mendojnë se gjithçka rreth
Perëndisë është zbuluar dhe prandaj mund të kuptohet; kështu, nëse diçka nuk
mund të kuptohet, atëherë kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne thjesht do të thoshim: a e ka kuptuar
dhe a do të arrijë njeriu të kuptojë plotësisht ndonjëherë Perëndinë e
përjetshëm dhe të pakufi që krijoi këtë univers në të cilin ai jeton vetëm me
mendjen e tij të kufizuar, të vogël (dhe madje mëkatare!)? Jo, sigurisht që jo! Le ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndia dhe të
pranojmë se gjithmonë do të ketë shumë gjëra rreth Perëndisë, të cilat nuk do t’i
kuptojmë dot. Te LiP. 29:29 lexojmë: “Gjërat
e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne
dhe bijtë tanë për gjithnjë”.
Problemi tjetër kryesor që kanë DJ-të
është se ata nuk duan të pranojnë zbulesën e Biblës mbi Perëndinë. Meqenëse nuk mund ta kuptojnë atë plotësisht,
ata i mohojnë ato që s’mund t’i kuptojnë, dhe pastaj fillojnë të imponojnë
idetë e tyre në Bibël e përpiqen ta bëjnë që Bibla të thotë atë që ata
dëshirojnë të thuhet prej saj, në vend që të pranojnë thjesht dhe me përulësi
atë që Bibla thotë. Vendosin ata se ç’duhet
të thotë Bibla, në vend që të lënë Biblën të thotë saktësisht atë që thotë
pavarësisht nga fakti se sa e vështirë është nganjëherë për të kuptuar atë që
thotë.
Kështu racionalizmi i tyre thotë: “Si mund
të jetë Perëndia 3 në 1, ose 1 në 3? Mos ka 3 Perëndi?” Dhe, meqenëse nuk e kuptojnë mësimin e Biblës
mbi Trininë, ata e mohojnë atë plotësisht.
Janë tre Persona
Ka vende të shumta në shkrimet e DhR-së ku
shohim tre Personat përbri njëri-tjetrit. Më poshtë po japim disa nga referimet.
Mateu 28:19 “duke i pagëzuar ata në emër të Atit
e të Birit e të Frymës së Shenjtë...” Vini
re që këtu thuhet në emër (njëjës) të tre Personave. Një emër, tre
Persona! Dhe, cili është ky emër?
2 Kor. 13:13 “Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria
e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë”. Fjala Perëndisë
në këtë varg duket që përdoret për Atin, por nuk do të thotë se Zotit Jezu dhe
Frymës së Shenjtë u mungon natyra hyjnore pasi vargje të tjera në Shkrimet, siç
e kemi parë tashmë, na tregojnë për natyrën e tyre hyjnore.
Mateu 3:16-17 “Dhe Jezui, sapo u pagëzua, doli nga
uji; dhe ja, qiejt iu hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një
pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri
im i dashur, në të cilin jam kënaqur»“.
Secili Person ka natyrë hyjnore
Kemi parë në kapitullin 4 se Jezui është
Perëndi, d.m.th. që Ai ka natyrë hyjnore. Ai është Perëndi-njeriu. Gjithashtu, kemi parë në kapitullin 5 se Fryma
e Shenjtë është Qenie frymore, një Person me natyrë hyjnore, d.m.th. që është
Perëndi. Dhe, sigurisht, fakti që Ati
është Perëndi është i pakundërshtueshëm. Atëherë ç’mund të themi? Kemi tri Perëndi të
veçantë, apo një Perëndi triun?
Ka vetëm një Perëndi
Fakti që ka vetëm një Perëndi na jepet
mjaft qartë në Bibël. Shih tek LiP. 6:4:
“Dëgjo, Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm”; Rom. 3:30: “sepse ka
vetëm një Perëndi...”; Jakobi 2:19: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen!”
Jehovai është Perëndi triun
Atëherë kjo na çon te doktrina e Trinisë
si e vetmja rrugë për t’i shpjeguar të gjitha faktet që na paraqiten mbi Perëndinë
në Bibël. Ka vetëm një Perëndi, i cili ekziston përjetësisht në tre Persona;
Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Ka tre
Persona në një Perëndi. Ka një Qenie
hyjnore, e cila ekziston në tre Persona. Këta tre Persona përbëjnë Hyjninë ose Qenien e
Perëndisë.
Përsëri, nuk themi se e kuptojmë këtë
doktrinë plotësisht. Por kjo nuk do të
thotë që, thjesht meqë nuk e kuptojmë plotësisht, ose nuk arrijmë ta
konceptojmë këtë gjë në mendjen tonë, duhet ta mohojmë atë. Nëse e mohojmë, atëherë thjesht po mohojmë ato
që Bibla na i thotë mjaft qartë për Qenien dhe natyrën e Perëndisë. Nëse mohojmë Trininë, atëherë duhet ta mohojmë
hyjësinë e Krishtit gjë të cilën nuk mund ta bëjmë se kjo na jepet mjaft qartë
në Bibël. Megjithëse fjala ‘trini’ nuk gjendet në Bibël, doktrina e Trinisë na zbulohet mjaft
qartë në të.
DJ-të besojnë se Ati (Jehovai siç thonë
ata) krijoi Jezuin Birin, një perëndi. Për
ta Jehovai është një Perëndi jotrini. Në
fakt, Bibla mëson se Jehovai është Perëndia triun. Jehovai është trini! Ja pse Ati quhet Jehovai, ja pse edhe Biri
Jezu (Filizi, ose Mesia) quhet Jehovai te Jer. 23:5-6, ja pse Fryma e Shenjtë
quhet Fryma e Jehovait, ose Fryma e Zotit (Isa. 61:1). Kjo na shpjegon pse Bibla i referohet
engjëllit të Zotit si Zoti (Jehovai) dhe jo thjesht si engjëlli i Zotit (Gjyq.
6:11-12,14,16,18,20). Na shpjegon edhe
se pse Jehovai mundi t’i paraqitej Abrahamit në formë njeriu dhe të fliste me
të para çadrës së tij (Zan. 18:1-2,10,13-14,17-33), e kështu me radhë.
Arianizmi dhe Kuvendi i Nicës
Doktrina e Trinisë gjithmonë është pranuar
si e vërtetë biblike nga kishat historike të krishtere nëpër shekuj. Doktrina u formua për herë të parë gjatë
mbledhjes së njëri prej Kuvendeve të Kishës së hershme, në Nicë në shekullin e
4-t. Arsyeja pse nuk ishte formuar para
kësaj kohe ishte se kjo doktrinë nuk ishte kundërshtuar më parë.
Pikërisht në këtë kohë, një njeri i
quajtur Ari u ngrit dhe i bëri një sfidë mësimit se Jezui kishte natyrë
hyjnore. Drejtuesit e hershëm të Kishës
u detyruan të mblidhen së bashku për të shqyrtuar me hollësi këto doktrina dhe
të formulonin atë që Kisha besonte. Ishin
njerëz si Athanasi, ata që, me anë të Shkrimeve argumentuan fuqimisht dhe
bindshëm se Jezui kishte natyrë hyjnore dhe që vërtetuan mësimet e Shkrimeve
përballë mësimeve të gabuara të njerëzve si Ariu. Në fakt, nëse studjojmë mësimet e Ariut (për
sa u përket mësimeve të tij të gabuar për natyrën e Krishtit), do të shohim se
duket mjaft qartë që ato janë të ngjashme me mësimet e DJ-ve të ditëve të
sotme. Nuk ka asgjë të re nën diell! Mësimet e DJ-ve janë thjesht një ridalje në
dritë e mësimeve të njerëzve të tillë si Ariu në kishën e hershme.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.