13
– Vetëm 144.000?
Mos ka dy klasa besimtarësh?
DJ-të thonë se ka dy grupe besimtarësh. Sipas tyre Jehovai ka caktuar një grup prej
144.000 besimtarësh të cilët do të jenë udhëheqësit e Mbretërisë së Tij dhe që
do të ndihmojnë në mbretërimin e Tij, duke sunduar mbi pjesën tjetër të
besimtarëve. Klasa e parë, të 144 mijët,
janë ata që kanë lindur sërisht dhe do të shkojnë në qiell e do të sundojnë që
prej atje me Jehovain; klasa e dytë janë pjesa tjetër e besimtarëve, që nuk
mund të lindin sërisht dhe që nuk do të shkojnë në qiell, por do të kalojnë
përjetësinë në një parajsë tokësore, duke u sunduar prej 144 mijëve që nga
qielli.
Këtë e mëson libri i tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në Parajsë
mbi Tokë. Tek faqja 124 i gjejmë
këto fjalë: “Prandaj, sipas Biblës, jo të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në
qiell, por vetëm 144.000 individë besnikë dhe të sprovuar që duhet të
mbretërojnë me Krishtin”.
Dhe tek faqja 126 shkruhet: “së bashku me
[Krishtin] do të mbretërojnë në qiell 144.000 individë të marrë prej racës
njerëzore”.
Dhe tek faqet 125 e 126 thuhet: “Përfundimisht,
vetëm 144.000 individë gjithsej do ta formojnë «kongregacionin e Perëndisë». Vetëm pak prej këtyre, një mbetje, janë akoma
mbi tokë. Të krishterët që shpresojnë
për të jetuar përgjithmonë mbi tokë e pranojnë udhëheqjen frymore të
pjesëtarëve të këtij «kongregacioni të Perëndisë së gjallë». Bibla, këtë
kongregacion prej 144.000 pjesëtarësh, e quan edhe me shprehje të tilla si
«nusja, gruaja e Qengjit», «trupi i Krishtit», «tempulli i Perëndisë», «Izraeli
i Perëndisë» dhe «Jeruzalemi i Ri»“.
Ata përdorin shumë vargje nga Bibla për të
arritur në këto besime, por qëllimi i këtij libri nuk është të analizojmë
thellësisht e të shpjegojmë saktësisht se si i përdorin ata Shkrimet duke u
përpjekur ta provojnë këtë. Sidoqoftë,
ata përdorin atë pasazh te Mateu 24:45 që të thonë se ka dy klasa të veçanta
besimtarësh (një keqinterpretim trashanik i këtij vargu!): “Cili është, pra, ai
shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e
vet, për t’u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur?”
Në interpretimin e tyre ata thonë se
shtëpiarët janë masa e besimtarëve të zakonshëm dhe “Klasa e Shërbëtorëve
Besnikë dhe të Mençur” (në anglisht “The Faithful and Wise Servant Class”), siç
e quajnë ata, janë 144.000-ët që sundojnë me Jehovain dhe ushqejnë të tjerët. Është pikërisht ky varg që flet për këtë “klasë”
ai që ka bërë që sekti të sundohet prej Trupit Udhëheqës në Nju Jork dhe që
autoriteti e mësimet e këtij trupi udhëheqës të jenë të padiskutueshme. Fundja, këta udhëheqës janë pjesëtarë të
144.000-ve e janë caktuar prej Jehovait për të ushqyer të tjerët! Kjo na ndihmon të kuptojmë pse, çdo javë në
Sallat e Mbretërisë (vendet ku ata takohen), gjithë DJ-ve u mësohen të njëjtat
mësime që u mësohen edhe grupeve të tjera (shih tek faqja 2 në revistat e tyre Kulla e Rojës). Ky është ushqimi i tyre prej së larti! Numri 144.000 është marrë nga shkrime të tilla
si Zbulesa 7:2-8 e 14:1-5 dhe i vihet këtij grupi udhëheqësish.
Kështu, DJ-të besojnë se vetëm një numër i
caktuar (144.000) njerëzish të privilegjuar mund të lindin sërisht dhe të
kalojnë përjetësinë në qiell pas Krijimit të Ri. Besimtarët e tjerë, pas Krijimit të Ri, do të
kalojnë përjetësinë mbi Tokë, të sunduar prej qiellit nga Jehovai me anë të
kësaj klase 144 mijëshe prej shërbëtorësh të vajosur. Ja pse njëri nga librat e
tyre mban titullin Ti mund të jetosh
përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Pra
grupi tjetër, në fakt shumica dërrmuese e besimtarëve, nuk kanë asnjë shpresë
për të lindur sërisht, për të shkuar në qiell. Ata nuk kanë asnjë shpresë se ndonjëherë do të
gëzojnë praninë e Perëndisë së tyre. Jeta
për ta nuk ka shpresë tjetër veç përpjekjeve të tyre për të qenë besimtarë të
mirë që mundohen për të jetuar në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë që të mundë
të mbijetojnë pas Armagedonit dhe që pastaj të presin të kalojnë përjetësinë në
këtë Tokë. DJ-të thonë se ky ishte
qëllimi fillestar i Perëndisë me Adamin, d.m.th. që ai të jetonte përgjithmonë
në Tokë dhe, sipas tyre, kështu duhet të jetë edhe tani, d.m.th. që besimtarët
duhet të mbeten përgjithmonë në Tokë. Por,
a nuk gëzoi Adami praninë e afërt të Perëndisë duke ecur me Të në agimin dhe
muzgun e freskët të Edenit? Atëherë pse të mos shpresojnë të gëzojnë praninë e
afërt të Perëndisë në përjetësi edhe gjithë besimtarët e tjerë?
Në shumë raste, kur kam folur me DJ-të dhe
u kam treguar disa vargje nga DhR-ja, vargje që flasin për të lindurit sërisht
apo të pasurit e Frymës së Shenjtë, përgjigjja e tyre gjithmonë ka qenë se këto
vargje bëjnë fjalë për klasën e zgjedhur (144.000-ët) dhe se nuk janë për
pjesën tjetër të besimtarëve (shih, për shembull, tek citimi i tretë i mësipërm
nga libri i tyre). Kështu, ata i ndajnë
Shkrimet e DhR-së në mënyrë të tillë që disa të kenë të bëjnë me një grup besimtarësh
dhe disa me grupin tjetër. Kur sfidohen
dhe u përmendet ky fakt, ata gjithmonë nuk arrijnë të të thonë se ku qëndron
kjo vijë ndarëse. Kjo mbetet gjithmonë e
errët, ashtu siç u vjen për mbarë atyre! Për këtë ata nuk mund të japin asnjë përgjigje.
Është qëllimi i këtij kapitulli të tregojë
se kjo doktrinë e DJ-ve është e gabuar dhe të japë qartë duke shpjeguar në
mënyrë biblike të kundërtën.
Për cilët u shkruan letrat e DhR-së?
Duke pasur parasysh këtë mësim të DJ-ve,
është e domosdoshme të shqyrtojmë objektivisht disa vargje të cilat gjenden
nëpër letrat e DhR-së.
Pali u thotë besimtarëve në Romë se ata
kanë marrë Frymën e birërisë dhe se kanë dëshminë e Frymës brenda tyre se janë
bij të Perëndisë, duke e njohur dhe duke e quajtur Perëndinë Atë të tyre (Rom.
8:15-16); u thotë korintasve se të vërtetat e Perëndisë na janë zbuluar prej
Frymës së Tij (1 Kor. 2:10); flet për galatasit se kanë marrë Frymën (Gal.
3:2-5,14); u thotë efesianëve se besimtarët janë një ndërtesë në të cilën
Perëndia jeton nëpërmjet Frymës së Tij (Efes. 2:22), i inkurajon ata të mbushen
me Frymën (5:18) dhe u thotë të luten në Frymën në të gjitha rastet (6:18); ai
u flet filipianëve për pjesëmarrjen (shoqërinë) e Frymës (Fil. 2:1); u thotë
selanikasve se Perëndia jep Frymën e Tij dhe i porosit që të mos e shuajnë
zjarrin e Frymës (1 Sel. 4:8; 5:19); ai thotë se ata u zgjodhën për t’u
shpëtuar me anë të shenjtërimit të Frymës (2 Sel. 2:13); tek Hebrenjtë 6:4 na
flitet për besimtarët që janë bërë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë.
Pjetri thotë se besimtarëve të cilëve ai u
shkroi letrat e tij ishin njerëz të lindur sërisht nëpërmjet një fare që nuk
prishet, Fjalës së Perëndisë (1 Pjetri 1:3,23); zgjedhur... me anë të
shenjtërimit të Frymës (1:2); ata ishin pjesëtarë të natyrës hyjnore (2 Pjetri
1:4). Shih edhe tek 1 Pjetri 2:9. Juda flet në letrën e tij për besimtarët që
luten në Frymën e Shenjtë (v20).
Kështu, pyesim ne, ku qëndron dallimi, në
këto letra, mes një grupi besimtarësh të veçantë dhe të privilegjuar (që janë
të lindur sërisht, që kanë Frymën dhe do të shkojnë në qiell) dhe pjesës tjetër
të besimtarëve (të cilët nuk mund të lindin sërisht dhe që nuk do të shkojnë
kurrë në qiell)? Sipas vargjeve të
mësipërme, ose letrat ishin
shkruar vetëm për ata që ishin lindur sërisht, që kishin Frymën e Shenjtë dhe
do të shkonin në qiell (d.m.th. 144 mijët e DJ-ve) dhe nuk ka ndonjë mësim për
pjesën tjetër të besimtarëve, ose këto të vërteta qëndrojnë për gjithë besimtarët e vërtetë në të
gjitha kohërat dhe nuk ekziston asnjë dallim mes grupeve të besimtarëve (kjo
është doktrina normale e krishterë, e pranuar dhe e mësuar prej të gjithë
mësuesve të Biblës).
Mjaft thjesht, apostujt nuk njihnin
dallime të tilla dhe kurrë nuk bënin dallime mes një grupi besimtarësh dhe një
tjetri. Gjithë mësimet në letrat e DhR-së nënkuptojnë të gjithë Trupin e Krishtit. Nuk mund të themi se një varg këtu është për
të ashtuquajturit të lindur sërisht dhe një varg tjetër atje është për ata
besimtarë që nuk mund të përjetojnë një lindje të re. Të ndash DhR-në në këtë mënyrë është një
ekzegjezë krejt false. U bëjmë sfidë
DJ-ve të na shpjegojnë me përpikmëri se ku qëndron vija ndarëse, sipas mësimeve
të tyre, mes grupeve të ndryshme të besimtarëve në secilën nga letrat e DhR-së.
Është mësim i DhR-së, në gjithë tërësinë
e saj, se çdo person që thërret në emrin e Zotit do të shpëtohet, do të lindë
sërisht prej Frymës së Tij dhe do të ketë shpresën se do të kalojë përjetësinë
në praninë e Perëndisë dhe Shpëtimtarit të Tij!
Të gjithë ata që vërtet besojnë janë të
lindur sërisht
Dy nga vargjet më të rëndësishme në Bibël
për sa i përket mësimeve false të DJ-ve janë tek Gjoni 1:12-13 “të gjithë atyre
që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në
emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as
nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia”. Këto janë vargje që DJ-të nuk i pëlqejnë sepse
ato kundërshtojnë qartë mësimin e tyre të rremë se lindja e re është vetëm për
144.000-ët. Këto vargje japin qartë se të gjithë atyre që e pranojnë Krishtin u
jepet pushteti të bëhen bij të Perëndisë dhe janë lindur nga Perëndia. Të
thuash se vetëm 144.000 njerëz mund të lindin sërisht, do të thotë të mohosh të
drejtën e njerëzve për t’u bërë bij të Perëndisë, të njohin Perëndinë si Atin e
tyre dhe të njohin fuqinë jetëshndërruese të Perëndisë në jetën e tyre. Lindja
sërisht është e drejtë e TË GJITHË atyre që besojnë në Krishtin.
Ka edhe një varg tjetër shumë të
rëndësishëm te Romakët 8:9 ku Pali thotë se nëse një person nuk e ka Frymën e
Shenjtë ai nuk i përket aspak Krishtit. Me
fjalë të tjera, nëse një person është besimtar i vërtetë, ai e ka Frymën e
Shenjtë në jetën e tij (dhe kështu ka lindur sërisht e mund ta njohë fuqinë
jetëshndërruese të Ungjillit); nëse nuk e ka Frymën e Shenjtë, ai nuk i përket
aspak Krishtit, d.m.th. ai madje as që mund të konsiderohet se është besimtar. Të gjithë besimtarët e vërtetë e kanë Frymën e
Shenjtë! Nëse DJ-të thonë se vetëm
144.000 njerëz mund të lindin sërisht dhe ta kenë Frymën e Shenjtë, atëherë ata
thonë se vetëm 144.000 njerëz janë besimtarë të vërtetë dhe vetëm këta 144.000
mund të shpëtohen.
TË
GJITHË ata që vërtet e pranojnë dhe besojnë në Jezu Krishtin lindin sërisht,
bëhen bij të Perëndisë, marrin Frymën e Shenjtë të banojë në zemrat e tyre, dhe
kështu bëjnë jetë të ndryshuara prej fuqisë së Perëndisë. Ky është thelbi i Ungjillit të vërtetë të
krishterë!
Shprehjet “Trupi i Krishtit”, “Nusja,
gruaja e Qengjit”, “Tempulli i Perëndisë”, “Izraeli i Perëndisë” etj. janë që
të gjitha fraza që në DhR-në përdoren për të përshkruar besimtarët e vërtetë në
Krisht, që të gjithë kanë lindur sërisht, që e kanë Frymën e Shenjtë që banon
në ta dhe që do të shkojnë në qiell.
A duhet marrë numri 144.000 tekstualisht?
DJ-të thonë se vetëm 144.000 njerëz do të
shkojnë në qiell. Ata e marrin këtë
numër tekstualisht. Ka interpretime të
ndryshme rreth këtij numri dhe numrave të tjerë që përmenden në librin e
Zbulesës. Sidoqoftë, nëse DJ-të e marrin këtë numër tekstualisht, atëherë, për
të vazhduar në po këtë këndvështrim, ata detyrimisht duhet të marrin
tekstualisht gjithçka që thuhet në pasazhet ku përmendet ky numër. Ata nuk mund të bëjnë këtë: të marrin numrin
tekstualisht pa marrë tekstualisht gjithçka tjetër në këto pasazhe.
Pastaj, duke parë Zbul. 7:2-8 dhe 14:4
(vargjet ku përmendet ky numër), nëse marrim numrin tekstualisht, atëherë duhet
të përfundojmë në këtë, që 144.000-ët janë meshkuj, 12.000 nga çdo fis historik
i Izraelit d.m.th. këto pasazhe flasin për judenjtë, besimtarët meshkuj. Për
rrjedhojë, nëse numri merret tekstualisht, atëherë DJ-të s’kanë se si të thonë
se 144.000-ët janë besimtarë nga kombet jojude. Nëse e thonë këtë, atëherë ata nuk janë
konsekuentë në atë që thonë dhe ekzegjeza e tyre është një ekzegjezë e rremë. Kështu, sipas mësimeve të DJ-ve, na del se të
vetmit që do të shkojnë në qiell janë 144.000 meshkuj judenj!
A do të shkojnë
gjithë besimtarët në qiell apo vetëm 144.000?
Le të shohim disa vargje nga DhR-ja të
cilat na tregojnë se apostujt i siguruan besimtarët se ata të gjithë kishin
shpresën e qiellit.
Pali i siguron korintasit se “ne kemi një
godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej” (2 Kor. 5:1); ai thotë
se efesianët rrinë “në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efes. 2:6); ai u
thotë filipianëve se qytetëria e tyre është në qiejt (Fil. 3:20); të krishterët
hebrenj na përshkruhen si “pjesëtarë të thirrjes qiellore” (Heb. 3:1). Pjetri flet për trashëgimin e besimtarit, që “është
ruajtur në qiejt” për të (1 Pjetri 1:4).
Mund të lexojmë te Zbulesa 7:9-17 për
turmën e panumërueshme besimtarësh që adhurojnë Perëndinë. Bëjmë një pyetje të thjeshtë: ku janë ata? Në qiell apo në tokë? Ata janë para fronit dhe përballë Qengjit (v9)
dhe do t’i shërbejnë Perëndisë ditë e natë në Tempullin e Tij (v15). Pra përgjigjja është: “Ata janë në qiell”. Një turmë e panumërueshme në qiell, shpenguar
prej gjakut të Krishtit (v14)! Vini re
që këta nuk janë thjesht 144.000-ët që përmenden te Zbulesa 7:4-8. Ata janë një
turmë e panumërueshme besimtarësh! Është
e vërteta madhështore e Shkrimeve se çdo besimtar që e njeh Krishtin ka këtë
shpresë të madhë dhe të lavdishme se do të kalojë përjetësinë në qiell në
praninë e Perëndisë së bashku me çdo besimtar tjetër që beson në Krishtin.
Do t’i thoshim lexuesit të shihte te
kapitulli 12, për të parë se çfarë na mësojnë Fil. 1:23 dhe Zbul. 6:9-11 lidhur
me faktin që besimtarët shkojnë në qiell pas vdekjes së tyre.
Është qëllimi i Perëndisë që të gjithë
besimtarë të jenë me Të dhe ta gëzojnë praninë e Tij përherë. Vini re fjalët te Zbul. 21:3: “Ja tabernakulli
i Perëndisë me njerëzit! Dhe Ai do të
banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i Tij dhe vetë Perëndia do të jetë
bashkë me ta, Perëndi i tyre”. Vërtet i
gjithë pasazhi Zbulesa 21:1-22:5 na mëson se në përjetësi, pas Krijimit të Ri,
të gjithë besimtarët do të banojnë me Perëndinë dhe do të gëzojnë si praninë e
Tij ashtu edhe praninë e Qengjit, Zotit tonë Jezu, përherë dhe gjithmonë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.