14 – Po ferri?
DJ-të, së bashku me sekte të tjera,
mohojnë faktin që njerëzit do të jenë të vetëdijshëm në ferr. Ata thonë se Perëndia është kaq i dashur sa
nuk mund t’i dërgojë njerëzit përjetësisht në një vend mundimesh, nuk ka kurrë
mundësi që Ai të mundë ta bëjë këtë. Në
librin e tyre Lajmi i mirë i cili na bën
të lumtur, tek faqet 105, 106 dhe 110, lexojmë sa më poshtë vijon: “Mësimi
për mundimet e ferrit është shumë larg nga ajo që ka mësuar Jezui... Sipas Biblës Perëndia vetëm njerëzit e lig që
s’pendohen do t’i dënojë përgjithmonë – por jo me mundime të përhershme, por në
mënyrë të mëshirshme, ashtu që ekzistimin e tyre do ta shfaros përgjithmonë... Perëndiu aq i mëshirshëm kurrë nuk do të
lejonte që shpirtrat përgjithmonë të mundohen”.
Ky lloj arsyetimi është, sigurisht,
arsyetim i emocionuar dhe racionalist. Problemi
qëndron në faktin që këta njerëz lexojnë Shkrimet pasi kanë marrë një vendim në
mendjen e tyre se nuk kanë për t’i besuar një gjëje të tillë, kështu ata
lexojnë Shkrimet me paragjykim dhe me syze të ngjyrosura. Ata zgjedhin atë që duan të besojnë dhe çfarë
nuk duan të besojnë. Ata parapëlqejnë të
besojnë se pasazhe të Shkrimeve që flasin për këtë çështje nuk duhet të
interpretohen tekstualisht dhe kështu ndjekin një vijë arsyetimi që u heq
këtyre Shkrimeve gjithë kuptimin e tyre.
Ata besojnë se Shkrimet flasin për Gehenën
si për një vend të vërtetë dhe se atje Perëndia do t’i dërgojë të papenduarit,
por, përsëri, sipas tyre, Ai është kaq i dashur sa nuk mund të lejojë që ata të
mundohen përjetësisht. Kështu ata thonë
se këta njerëz do të jenë të vetëdijshëm në mundimet e tyre vetëm për një pjesë
të sekondës ndërsa futen në Gehenë, dhe pastaj do të asgjësohen d.m.th. nuk do
të ekzistojnë më. Ata thonë se Gehena,
vendi për të papenduarit pas Gjykimit të Fundit, që përfaqëson vdekjen e dytë,
është një vend ku frymërat e njerëzve nuk janë të vetëdijshme por shkatërrohen
përjetësisht. Shih tek faqja 89 në
librin e tyre Ti mund të jetosh
përgjithmonë në parajsë mbi Tokë: “Gehena nuk është vend i mundimeve, por
Bibla e përdor atë si simbol të shkatërrimit të përhershëm”.
Në këtë kapitull do të shohim këto
pikëpamje dhe do të bëjmë disa vëzhgime serioze në bazë të disa pasazheve ta
caktuara të Shkrimeve.
1.
DJ-të mohojnë që njerëzit do të jenë përjetësisht në mundime në ferr. Sidoqoftë, ata pranojnë që ata (të 144.000-ët)
që do të shkojnë në qiell do të gëzojnë përjetësisht lumturi në praninë e
Perëndisë. Kjo është diçka që nuk shkon.
Ka mjaft vargje ku të dyja anët vihen
krahpërkrah. Kështu, nëse mohojmë
njërën, automatikisht duhet të mohojmë edhe tjetrën d.m.th. nëse nuk duam të
besojmë në ekzistencën, përjetësinë apo mundimet e ferrit, atëherë nuk mund të
besojmë as në ekzistencën, përjetësinë dhe bekimet e parajsës. Ose, nëse mohojmë atë që njerëzit do të
mundohen përjetësisht në ferr, duhet atëherë të mohojmë edhe faktin që
besimtarët do të gëzojnë lumturinë e përjetshme në parajsë. Këto janë dy gjëra që, së bashku, ose
qëndrojnë, ose bien. Por shohim shtrembërimin nga ndjenjat e tyre në faktin që
ata duan të besojnë në lumturinë e përjetshme të 144 mijëve, por jo në mundimin
e ferrit për të papenduarit. Ata thonë
se askush nuk e meriton të mundohet në ferr, por është fakt se askush nuk
meriton ta gëzojë lumturinë e përjetshme në parajsë. Nuk ka asnjë mëkatar që të meritojë të shkojë
në parajsë! Mateu 25:46 “Dhe ata do të
shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme”. Ose pranoji të dyja, ose mohoji të dyja, por
mos bëj atë që të mohosh njërën dhe të pranosh tjetrën!
2.
DJ-të kapen pas vargjeve të tilla si 2 Mbret. 16:3, 17:17, 21:6; 2 Kron.
33:6 dhe Jer. 7:31 të cilat thonë se Perëndisë nuk i shkoi kurrë në mendje që
ndonjëherë mund të bëhej diçka e tillë si flijimi i njerëzve në zjarr. Por, sigurisht, ky është vetëm një shembull
tjetër i ekzegjezës së tyre false. Këto
pasazhe flasin për flijimet e njerëzve gjatë ritualeve pagane, të njerëzve të
pafajshëm, nganjëherë edhe fëmijëve, të cilët flijoheshin ndaj hyjnive pagane
duke i djegur të gjallë. Këto pasazhe
nuk flasin aspak për gjykimin e Perëndisë ndaj mëkatit. Ato nuk kanë të bëjnë aspak me këtë fakt të
gjykimit të Perëndisë. Ato bëjnë fjalë
vetëm për praktikat e lemerishme të paganizmit, të cilat Perëndia i urrente. Është interesante të vëmë re që mbreti Josia
bëri një përpjekje tepër të guximshme t’u jepte fund këtyre praktikave në
reformat e tij (2 Mbret. 23:10).
Në përgjigje ndaj kësaj çështjeje, do t’i
kërkonim lexuesit t’u referohej pasazheve të tilla si Levitiku 21:9 ku shohim
gjykimin e Perëndisë në rastin kur bija e priftit bëhej prostitutë. Çfarë do të ndodhte me të? Ajo do të digjej me zjarr. Shih edhe shembuj të tjerë të ngjashëm të
gjykimit të Perëndisë që jepen te Lev. 10:1-2; Numrat 11:1-3, 16:31-35, 26:8-10
dhe 2 Mbret. 1:9-15.
A do të gjykojë Perëndia?
Sot po jetojmë në një kohë kur njerëzit,
madje edhe besimtarët nganjëherë, e kanë të vështirë të besojnë në një Perëndi
që gjykon. “Perëndia është dashuri, kështu që Ai nuk do të gjykojë”, - thonë
ata, sikur gjithë kjo të ishte shuma e gjithë mesimeve biblike për karakterin e
Perëndisë. Çështja qëndron kështu: Po,
ne besojmë se Perëndia është dashuri, por a nuk është edhe i shenjtë në të
njejtën kohë? A nuk kërkon karakteri i
Tij i drejtë që mëkati të gjykohet? “Perëndia
është dashuri”, por a nuk kërkonte kjo dashuri e Tij që Ai të dërgonte Birin e
Tij të gjykohej në vendin tonë dhe të vdiste në kryq, në mënyrë që ne të mundë
të përjetonim dashurinë e Tij? Në mënyrë
që ne të mundë të gëzonim dashurinë e Perëndisë si besimtarë, Jezu Krishti DUHEJ TË VDISTE për mëkatet tona – gjykimi
i Perëndisë mbi mëkatin nuk kërkonte asgjë më pak se vdekja e vetë Birit të
Tij.
Në Bibël ka shumë pasazhe të cilat flasin
për zemërimin e Perëndisë dhe gjykimin e Tij mbi mëkatin. Për shembull, Romakët 1:18,32: “Sepse zemërimi
i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi dhe padrejtësi të njerëzve, që
mbysin të vërtetën në padrejtësi... Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e
Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo
vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë”. Hebrenjtë 6:2 thotë se gjykimi i përjetshëm
është një nga mësimet themelore të besimit të krishterë.
Shembuj të gjykimeve të Perëndisë
Si shembull, le të shohim gjykimin që
Perëndia u dha qyteteve në fushë tek Zanafilla 18:16-19:29. Njerëzit e Sodomës dhe Gomorës ishin njerëz
jashtëzakonisht të këqij, njerëz të cilët jo vetëm kishin shkuar tej pikës së
pendimit për mëkatin e tyre, por, pa pikë turpi, ata qeshnin për mëkatin e
tyre, në rebelim të plotë kundër Perëndisë. Perëndia nuk mund t’i duronte më
mëkatin dhe rebelimin. Klithma kundër
mëkatit të tyre ishte tepër e fortë. Kishte
ardhur koha që mbi ta Ai të sillte gjykimin.
Gjykimi i Perëndisë është i rreptë (Rom.
11:22). Veprimi i Tij këtu ishte
vendimtar, shkatërrues dhe përfundimtar, me synimin që ta zhdukte këtë lloj
mëkati. Shohim urrejtjen që Perëndia
kishte për të. Ai u tregua i mëshirshëm duke e lënë që ai të arrinte deri në
këtë farë shkalle, duke u dhënë atyre mundësinë që të largoheshin nga
poshtërsia e tyre, nëpërmjet dëshmisë së Lotit. Perëndia është i drejtë dhe po kështu janë
edhe veprimet e Tij. Mëkati është si një
sëmundje ngjitëse që përhapet mes njerëzve. Këta njerëz e kishin kapërcyer pikën e
pendimit dhe, nëse gjendja do të lihej të vazhdonte ashtu siç ishte, këto mëkate
vetëm do të ishin përhapur gjithnjë e më shumë derisa popuj të tërë do t’i
kryenin. Perëndia e shkatërroi
sëmundjen. Ishin vetë njerëzit ata që e
kishin fajin për këtë fat që pësuan. Në
qoftë se duam dhe vendosim të qëndrojmë me mëkatet tona në rebelim ndaj
Perëndisë, në vend që të pendohemi dhe t’i bindemi Atij, atëherë duhet të
vuajmë pasojat nëse Ai vendos t’i gjykojë këto mëkate.
Veprimi i Perëndisë ishte i rreptë dhe
vendimtar. Mund ta shikojmë sa
përfundimtar ishte ky veprim te Zanafilla 19:24,25,28,29: “Atëherë Zoti bëri që
nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit. Kështu Ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën,
tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën... Pastaj [Abrahami] drejtoi shikimin nga Sodoma
dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës dhe kështu pa një tym që ngrihej
nga toka, si tymi i një furre. Kështu
ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua
Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte
banuar”.
Në Bibël kemi gjithashtu edhe shembullin e
Përmbytjes në ditët e Noeut, veprim ky që ishte gjykimi i Perëndisë mbi mëkatet
e botës së asaj kohe. Te Zanafilla
6:5,11-12 lexojmë: “Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që
tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja
në çdo kohë... Por toka ishte e
korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë. Tani Perëndia vështroi
tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur
sjelljen e tij”. Zgjidhja që Perëndia i
dha kësaj situate ishte një veprim gjykimi final dhe vendimtar në formën e
Përmbytjes. Por le të mos harrojmë që
ndaj Noeut, njeriut të drejtë dhe që besonte në Të, dhe në fakt tërë familjes
së tij, Perëndia tregoi mëshirën e Tij.
Ja pra, ku e shohim. Perëndia e gjykon mëkatin. Paga e mëkatit është vdekja (Rom. 6:23). Dhe kurrë të mos harrojmë çmimim e tmerrshëm
që duhej të paguhej në mënyrë që ne të merrnim faljen! Vdekja e Krishtit në kryq
nuk ishte diçka e lehtë. Ajo ishte
gjykimi që na solli faljen. Të besosh në
një Perëndi që nuk ka për të gjykuar mëkatin do të thotë të tallesh me kryqin
dhe vdekjen e Krishtit. Ai u gjykua në
vendin tonë që ne të mos gjykoheshim. Nëse
Perëndia nuk gjykon mëkatin, atëherë vdekja e Krishtit nuk ka kurrfarë kuptimi.
Gjykimi i ardhshëm
Bibla na mëson gjithashtu për gjykimin që
do të ndodhë kur Krishti të kthehet përsëri. Ka shumë pasazhe të tilla dhe më poshtë po
citojmë disa prej tyre. Për shembull
mund të marrim një pasazh që flet mjaft qartë te 2 Selanikasit 1:6-10: “sepse
është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,
kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të
shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u
hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden
Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata
do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga
lavdia e fuqisë së Tij, kur Ai të vijë, atë ditë...”
Gjithashtu pasazhi te Mateu 25:41 kur Ai
gjykon cjeptë: “Pastaj Ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë:
«Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për
djallin dhe engjëjt e tij»“.
Kemi gjithashtu edhe pasazhin te Marku
9:45-48 ku Jezui citon nga Isaia 66:24 “është më mirë për ty të hysh me një sy
në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit, atje ku
krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket”.
Gjithashtu, tek Heb. 10:26-31 gjejmë fjalë
të ashpra në lidhje me gjykimin e atyre që mbeten të papenduar edhe pasi kanë
dëgjuar Ungjillin. Shih vargjet 27,31: “një
pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë
kundërshtarët... Gjë e tmerrshme është
të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë”.
Mund t’u referohemi gjithashtu fjalëve aq
të njohura tek Danieli 12:2 “Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të
zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të
përjetshme”.
Mund t’u referohemi gjithashtu edhe
pasazheve në shëmbëlltyrat e Zotit Jezu te Mateu 13:30: “Në kohën e korrjes unë
do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur;
por grurin futeni në hambarin tim”; te Mateu 13:41,42: “Biri i njeriut do të
dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e Tij gjithë
skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh”;
dhe te Mateu 13:49,50: “Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë
engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; dhe do t’i hedhin në
furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje
dhe kërcëllim dhëmbësh”. Është e qartë nga të dy të fundit prej këtyre
pasazheve se ata që do të gjykohen në këtë mënyrë do të jenë të vetëdijshëm për
vendin e tyre të gjykimit.
Mund të shohim te Mateu 24:51 gjykimin që
do t’i jepet shërbëtorit të këq: “do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i rezervojë
fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e
qara dhe kërcëllim dhëmbësh”, dhe te Mateu 25:30: “Flakeni në errësirën e
jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje
do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”. Përsëri, të dyja këto pasazhe na tregojnë se
ata që do të gjykohen në këtë mënyrë do të jenë të vetëdijshëm për vendin e
tyre të gjykimit.
Hadesi dhe Gehena
Në DhR-në ka dy fjalë greke që përdoren
për ferrin – fjalët Hades dhe Gehenë. Fjala Hades
i referohet vendit në të cilin jobesimtari shkon pas vdekjes së tij për të
pritur Gjykimin e Fundit prej Perëndisë, ndërsa fjala Gehenë i referohet liqenit të zjarrtë në të cilin, pas Gjyqit të
Fundit, do të flaken ata, emrat e të cilëve nuk gjenden të shkruar në Librin e
Jetës që ka Qengji (Zbulesa 20:11-15). Fjala
Gehenë është marrë nga emri që kishte
vendi i cili ndodhej jashtë mureve të Jeruzalemit dhe ku judenjtë hidhnin
plehrat dhe i digjnin. Një fjalë tjetër
e tretë që përdoret për ferr është fjala Tartar
që përmendet tek 2 Pjetri 2:4. Sidoqoftë
kjo fjalë nuk u referohet as Hadesit
dhe as Gehenës, por një vendi tjetër
ku u dërguan dhe mbahen ata engjëj të rënë që përmenden në atë varg.
Mund të shohim se çfarë lloj vendi është
Hadesi te Lluka 16:19-31. Pasaniku ishte në një zjarr (v24), ai ishte i
vetëdijshëm (v23-24,27,30) dhe madje kishte mundësi të komunikonte se ai po
vuante (v23,24,28), por jo me të gjallët. Ai vetë e quan atë vend një “vend mundimesh”
(v28). DJ-të gjithmonë thonë se nuk mund
ta marrim këtë pasazh tekstualisht siç është, se gjithçka që thuhet atje është
vetëm një ilustrim figurativ me një interpretim frymëror që kishte të bënte me
kohërat në të cilat Krishti jetonte. Por
përsëri, ashtu siç bëmë edhe në kapitullin 12, e shtrojmë pyetjen: Kur Jezui u
dha mësim njerëzve duke përdorur histori dhe shëmbëlltyra të tilla, mos përdori
Ai doktrinën e gabuar? Ne nuk e mohojmë faktin që Ai përdori një
gjuhë figurative dhe simbolike në shumë raste, por është e sigurt që Ai nuk u
mësoi kurrë njerëzve doktrina të gabuara. Doktrinat që jepen në këtë pasazh janë të
qarta. Pas vdekjes ky njeri ishte i
vetëdijshëm, ai ishte në zjarrin e Hadesit dhe ndodhej mes mundimeve.
DJ-të besojnë se Gehena është një vend ku
frymërat e të papenduarve do të asgjësohen njëherë e përgjithmonë. Ata arsyetojnë duke thënë se ky gjykim është
vdekja e dytë. Ata thonë se vdekja do të
thotë mungesa e vetëdijshmërisë ose joekzistueshmëria. Siç e pamë edhe në kapitullin 12, ata besojnë
te psikopanikia, d.m.th. që pas vdekjes fizike njeriu nuk është më i
vetëdijshëm deri në ditën e ringjalljes. Nga ky besim ata nxjerrin argumentimin se, në
të njëjtën mënyrë, edhe vdekja e dytë do të thotë që njerëzit nuk do të jenë
aspak të vetëdijshëm dhe do të shkatërrohen krejtësisht, duke mos pasur kështu
asnjë shpresë të mëtejshme për ringjallje. Sidoqoftë, ne e pamë në kapitullin 12 falsitetin
e mësimeve të tyre mbi psikopanikinë, dhe e pamë gjithashtu se vërtet njerëzit janë të vetëdijshëm pas vdekjes fizike. Vdekja fizike nuk do të thotë mungesa e
vetëdijshmërisë, ajo është thjesht shkëputja e frymës prej trupit. Për rrjedhojë, edhe termi “vdekje e dytë” nuk
mund të interpretohet sikur të jetë diçka që do të thotë mungesë
vetëdijshmërie.
Ka tre tipa vdekjesh. Së pari, kemi vdekjen frymërore. Kjo ndodhi kur njeriu mëkatoi në Eden. Perëndia tha: “Ditën që do të hash prej saj ke
për të vdekur me siguri”. Kur e hëngrën
frutin, ata vërtet vdiqën, vdiqën frymërisht, por fizikisht ata ishin akoma të
gjallë dhe të vetëdijshëm. Vdekja e tyre
fizike pasoi më vonë si rrjedhojë e natyrshme (Zan. 5:5). Kjo vdekje frymërore është gjendja në të cilën
çdo njeri e gjen veten kur lind në këtë botë (shih tek Efes. 2:1), por
natyrisht që ai është i vetëdijshëm. Pastaj
kemi vdekjen fizike, një pasojë e vdekjes frymërore, diçka kjo që përsëri i
ndodh gjithkujt. Por, ashtu siç e kemi
parë, njeriu vazhdon të jetë i vetëdijshëm pas vdekjes fizike, shkëputjes së
frymës prej trupit. Pastaj kemi atë që e
quajmë vdekje të përjetshme, në Gehenë, ku do të hidhen të gjithë të
papenduarit. Meqë as vdekja frymërore,
as vdekja fizike nuk janë mungesë ekzistence, atëherë nuk kemi asnjë të drejtë
të hamendësojmë se vdekja e përjetshme do të jetë mungesë ekzistence. Jezui erdhi për të sjellë zgjidhjen për këtë
gjendje të tmerrshme në të cilën ndodhet njeriu. Ai vdiq mbi Kryq në vendin tonë në mënyrë që
ata që besojnë tek Ai të mundë të përjetojnë përtëritjen frymore, lindjen
sërisht dhe të kenë jetën e re frymërore në Krisht tani (Gjoni 1:12,13; Efes.
2:1,5), ringjalljen trupore në Ardhjen e Dytë (1 Kor. 15:20-23,42-49,51-56) të
shpëtohen prej vdekjes së përjetshme në Gehenë (Zbul. 20:6) dhe në vend të saj
të marrin dhuratën e jetës së përjetshme (Mat. 25:46; Rom. 6:23).
E vërteta e pashmangshme e Shkrimeve
1. Në Ditën e
Gjykimit, Perëndia do të gjykojë çdo njeri për veprat që ka kryer në mish (2
Kor. 5:10)
Kjo jepet qartë
nga shumë pasazhe. Disa nga vargjet po i
japim më poshtë: Rom. 2:16; Juda 14-15; Zbul. 20:12-13; 2 Pjet. kap.2, 3:7. Gjithashtu edhe 1 Kor. 3:12-16 flet për
gjykimin e veprave të besimtarëve.
2. Ata, emrat e të
cilëve nuk janë shkruar në Librin e Jetës që ka Qengji (d.m.th. të
papenduarit), do të flaken në liqenin e zjarrtë, në Gehenë (Zbul. 20:15).
3. Gehena është e
përjetshme (Zbul. 20:10; Mat. 25:41,46).
4. Njerëzit do të
jenë të vetëdijshëm në Gehenë (Zbul. 14:9-11; Mateu 24:51,25:30; Mateu
13:41,42,49,50).
Mësimi e DJ-ve në lidhje me Gehenën
tingëllon i këndshëm, por nuk ka të vërtetën e Shkrimeve. Ne parapëlqejmë që t’i lëmë Shkrimet të flasin
vetë hapur e qartë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.