15 – Mbi futjen e emrit Jehova në Dhiatën e Re
prej Dëshmitarëve të Jehovait
Në kapitujt 3 dhe 7 e pamë se si DJ-të
gabimisht deklarojnë që kishat e krishtere gjatë gjithë historisë i kanë
ndryshuar me qëllim shkrimet e DhV-së kështu që Emri hyjnor, tetragramatoni הוהי (JHVH), është hequr dhe
ndryshuar në ZOT. Ne pamë që ky është
pikërisht një parim normal i pranuar i përkthimit. Për më tepër, pamë moskonseguencën e këtij
deklarimi të tyre të rremë, përderisa ata vetë e kanë vendosur emrin Jehova në
tekstin e DhR-së (në versionin e tyre të Biblës, Bota e Re) në shumë pika pa asnjë të drejtë për ta bërë këtë,
përderisa fjala Jehova nuk haset në shkrimet e DhR-së, dhe përderisa nuk
ekziston dëshmi dorëshkrimore për ta mbështetur atë që kanë bërë ata.
Në këtë kapitull dëshirojmë ta shikojmë
këtë çështje një çikë më me hollësi, përderisa mund të zbulojmë disa gjëra me
interes për ne.
Versioni
Septuagint i DhV-së
Septuaginti (LXX-ja) është një përkthim i
shkrimeve hebraike të DhV-së në gjuhën greke, bërë afërsisht dy shekuj para se
të lindej Krishti. Një grup studjuesish
hebrenj, duke jetuar në Egjipt, e përkthyen DhV-në në greqisht, në mënyrë që
këto Shkrime të mund të lexoheshin dhe kuptoheshin prej popullsisë johebraike
të asaj kohe. Atëhere greqishtja ishte lingua franca[1]
e asaj pjese të botës. Siç do ta shohim
më vonë, apostujt, kur shkruan DhR-në, shpeshherë cituan vargje nga versioni
grek i DhV-së.
Pika e kundërshtimit është nëse këta
studjues e përkthyen drejtpërdrejt ose jo tetragramatonin JHVH në përkthimin
LXX-në, ose nëse ata e përkthyen atë duke përdorur fjalë greke të tilla si kyrios
dhe theos. DJ-të deklarojnë që,
ata fillimisht përdorën tetragramatonin por pastaj më vonë të krishterët e
ndryshuan fjalën në të gjitha kopjet e LXX-së, në secilën prej fjalëve të
mësipërme greke, duke e fshirë kështu tetragramatonin nga LXX-ja. Atëhere, kjo do të nënkuptonte që sa herë që
apostujt në shkrimet e tyre të DhR-së i përdorën citimet nga versioni LXX-ja e
DhV-së, që (nga sa thuhet) përmbajnë tetragramatonin, atëhere kjo duhet të
mbesë e njëjtë në përdorimin e DhR-së, por meqenëse të krishterët (me sa
thuhet) e ndryshuan fjalën, atëhere në të gjitha këto citime të DhV-së në
DhR-në, tetragramatoni paraqitet si fjalë greke. Prandaj, DJ-të thonë që, ai duhet të
rivendoset nga fjalët greke në tetragramaton, në DhR-në.
“Dëshmia” që përdorin DJ-të për të
argumentuar deklarimin e tyre është një fragment i një kopjeje të LXX-së të
bërë prej hebrenjve, dhe që daton nga shek.1&2 p.e.s., i quajtur “P.Fouad
inv. No.266”. Ky fragment u botua së
pari pas zbulimit të tij në 1944. Ai
përbëhet vetëm prej një pjese të gjysmës së dytë të Ligjit të Përtërirë, dhe
përdor tetragramatonin nga fillimi në fund.
Nga ky fragment i fundit DJ-të bëjnë
deklarimin e ekzagjeruar që, atëherë që të gjithë kopjet e LXX-it duhet të kenë
përdorur tetragramatonin nëpër gjithë tekstin e tyre, kështu që prandaj ata e
kanë vendosur tetragramatonin në të gjitha vargjet e DhR-së, që citojnë vargje
nga DhV-ja që (me sa thuhet) përdorin tetragramatonin. Megjithatë, ekziston një kopje tjetër
fragmenti të LXX-së që daton nga e njëjta periudhë p.e.s., e quajtur “P. Ryl.
GK. 458” që nuk e përdor tetragramatonin, por kyrios.
DJ-të gjithashtu i referohen një numri
kopjesh të tjera të LXX-së në përpjekjen e tyre për të argumentuar deklarimin e
tyre. Megjithatë, nga shqyrtimi konstatojmë
që, vetëm njëri prej këtyre daton p.e.s., dhe nuk e përdor në mënyrë strikte
JHVH; të tjerët janë rishikime të tekstit të LXX-së, të bëra në shekullin 1
p.e.s., ose fragmente të pjesshme të bëra prej hebrenjve që e ndryshuan fjalën
në formën hebraike, por përsëri jo plotësisht kështu; një kopje hebraike që
daton në shek. 1 p.e.s., që në fakt nuk përdor tetragramatonin, por një formë
të çuditshme “IAW” (d.m.th., madje as kyrios); një kopje që daton në shek. 3
p.e.s., që përdor një formë tjetër të çuditshme për tetragramatonin; dhe një
version prej Akuilës (një hebre) që e përdor tetragramatonin, por i cili
gjithashtu përdor edhe kyrios në vende, dhe gjithashtu i ndryshon fjalët
e tjera (madje dhe fjalën kristos) në disa vende. Prandaj këto versione nuk janë dëshmi të
besueshme për DJ-të dhe në fakt nuk e argumentojnë deklarimin e tyre.
Historikisht, studjuesit kanë konkluduar
në fakt që, shumica e dorëshkrimeve të LXX-së përdorin kyrios dhe theos
dhe jo tetragramatonin, por gjenden disa versione jo të zakonshme të LXX-së që
e përmbajnë tetragramatonin. Prandaj, në
asnjë mënyrë nuk mund të arrijmë përfundimin siç deklarojnë DJ-të, që të gjitha
apo shumica e kopjeve e përmbajnë tetragramatonin. Përkundrazi, e kundërta d.m.th., që shumica e
kopjeve përmbajnë kyrios dhe theos, jo tetragramatonin. DJ-të nuk
kanë dëshmi për ta provuar deklarimin e tyre.
Ekzistenca e një fragmenti të tillë të
LXX-së si ai i mësipërmi, të cilin e përdorin DJ-të nuk provon asgjë më shumë
se ajo që, fragmenti i veçantë e kishte tetragramatonin; gjenden shumë kopje të
tjera që nuk e kanë atë. Versione të
tjera të tilla si ai i Akuilës përsëri provojnë vetëm që JHVH përdorej disa
herë, por vetëm rrallë. E vërteta e
përgjithshme është që LXX-ja (me përjashtime të vogla) përdor kyrios ose
theos, jo JHVH.
Gjithashtu, si një pikë tjetër e vogël,
ekzistenca e tetragramatonit në disa kopje apo fragmente kopjesh të LXX-së nuk
nënkupton që prandaj ai shqiptohej kur lexoheshin ato kopje të veçanta. Ka shumë të ngjarë që, në vend të asaj fjale
të shqiptohej fjala kyrios, tamam siç hebrenjtë shqiptonin adonai
kur lexonin JHVH në shkrimet e tyre hebraike.
Një shembull i mirë i asaj se ku e përmban
DhV-ja hebraike tetragramatonin, dhe ku në LXX-në është përkthyer me kyrios,
është në Psalmin 110:1; ku në hebraisht thuhet: “Zoti (JHVH - tetragramatoni) i
tha Zotërisë tim (adonai)...” Në
versionin e LXX-së, si tetragramatoni ashtu dhe fjala adonai janë
përkthyer me kyrios, Zot: “Zoti (kyrios) i tha Zotit (kyrios)
tim...” Ka shumë vargje të tilla.
Citime
nga Septuaginti në DhR-në
Ka shumë vende në DhR-në ku apostujt
citojnë nga DhV-ja. Ne do ta prisnim që,
duke qenë se ata vetë ishin kryesisht hebrenj, ata do të citonin nga DhV-ja e
tyre hebraike, por nuk ndodh gjithmonë kështu.
Meqenëse ata shkruan në greqisht (duke qenë kjo lingua franca e
asaj kohe) ata në të vërtetë përdorin shumë citime nga LXX-ja. (Ata gjithashtu disa herë përdorin fjalë në
greqisht, që bazohet në DhV-në hebraike, por të tilla nuk paraqesin interes për
ne në këtë kapitull).
Tani thelbi është ky: DJ-të, të bazuar në
deklarimin e tyre të paargumentuar që, LXX-ja fillimisht e përmbante
tetragramatonin nga fillimi në fund, thonë që nëse apostujt cituan nga
Septuaginti, atëhere për këtë arsye ata duhet ta kenë shkruar tetragramatonin
në shkrimet e tyre të DhR-së, dhe ata thonë që, më pas të krishterët gjatë
shek. 2 & 3 e.s. e hoqën tetragramatonin nga teksti i DhR-së dhe e
zëvendësuan atë me kyrios dhe theos. Prandaj DJ-të e kanë rivendosur
tetragramatonin në DhR-në në BR-në e tyre në të gjitha citimet e konsideruara
të jenë nga LXX-ja (si dhe në disa vende të tjera – shih më poshtë). Megjithatë, përderisa siç e kemi parë më
sipër nuk ekziston provë për deklarimin e tyre që, LXX-ja përgjithësisht e
përmbante tetragramatonin, atëhere është e qartë që, apostujt kur citonin nga
LXX-ja duhet të kenë përdorur kyrios dhe theos, siç u shkrua në
LXX-në.
Atëhere kjo na çon në faktin e dukshëm që
përdorimi i tetragramatonit nuk ishte aq i rëndësishëm për apostujt sa do të
dëshironin DJ-të që ta besonim. Kur
citonin nga Septuaginti, ata e përdornin lirisht kyrios dhe theos. Të gjithë ne e pranojmë që, ata shkruan nën
frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Prandaj,
përdorimi i ndryshëm i tetragramatonit nuk mund të jetë një çështje aq e madhe
në sytë e Perëndisë!
Një shembull në DhR-në për një citim nga
LXX-ja kur tetragramatoni nuk haset në hebraisht është tek Hebrenjtë 10:5 ku
apostulli shkruan: “bëre gati për mua një trup...” që është çfarë shkruhet në
LXX-në e Ps. 40:6. DhV-ja hebraike në
këtë varg ka përkthimin: “ti ke shpuar veshët e mi...”
Një shembull tjetër është tek Hebrenjtë
10:38 ku fjalët: “Por nëse dikush tërhiqet prapa shpirti im nuk do të gjejë
pëlqim në të” përputhen me LXX-në. Ai
është një citim nga Habakuku 2:4. Hebraishtja
është: “Ja, është ngritur, shpirti i tij nuk është në rregull me të”.
Një shembull i një pasazhi në DhR-në ku
shkrimtari citon nga LXX-ja dhe jo nga DhV-ja hebraike, në citimin e të cilit
LXX-ja përdor kyrios, Zot, por ku në hebraishten origjinale fjala e
përdorur ishte tetragramatoni, d.m.th. JHVH, është tek Hebrenjtë 8:8-12. Këtu fjala kyrios, Zot, haset në
vargjet 8, 9, 10 dhe 11. Ai citon nga
Jer. 31:31-34 ku origjinalja hebraishte përdor tetragramatonin, JHVH. Shkrimtari nuk po citon nga hebraishtja, por
nga versioni LXX-ja, sepse në vargun 8:9 fjalët janë: “ata nuk vazhduan në
besëlidhjen time, dhe unë i braktisa” që përputhet me LXX-në e Jer. 31:32,
kurse hebraishtja thotë: “ata e thyen besëlidhjen time, megjithëse unë isha
bashkëshort për ta.” Kështu që, BR-ja
bën gabim që e përdor tetragramatonin në këto vargje tek letra drejtuar
Hebrenjve.
Pra, këtu nën frymëzimin hyjnor të Frymës
së Shenjtë, apostulli përdori kyrios, Zot, në vend të JHVH. Nuk mund të themi që ai e kishte gabim, sepse
ai po shkruante me frymëzimin hyjnor. Prandaj,
ne vetëm mund të konkludojmë, siç bëmë më sipër, që për Perëndinë nuk është një
çështje kaq e madhe që tetragramatoni është përkthyer si kyrios. Ekzistojnë shembuj të tjerë të kësaj në
DhR-së, p.sh. tek Heb. 12:5,6 që përdor kyrios, Zot, duke cituar nga F.
Urta 3:11,12 që përdor tetragramatonin; gjithashtu tek Heb. 10:30 që citon nga
L. Përt. 32:36; dhe gjithashtu Heb. 10:16 që citon Jer. 31:33, etj.
A do ta kishin shqiptuar zakonisht Emrin
Jezui dhe dishepujt?
DJ-të besojnë që Vetë Jezui do ta kishte
shqiptuar tetragramatonin dhe madje që Ai dha mësim shqiptimin korrekt të Emrit
(që ata besojnë të jetë J-e-h-o-v-a).
Ata i drejtohen faktit që në fillim të shërbesës së Tij në sinagogë në
Nazaret, Ai lexoi nga Isaia 61:1-2, që në hebraisht përmban
tetragramatonin. Shih tek Lluka 4:18-19.
Sidoqoftë, në lidhje me këtë ekzistojnë
një sërë pikash:
Së pari, Ungjilli i Llukës u shkrua në
greqisht, kështu që kyrios është fjala që ai shkroi në të vërtetë në pasazhin
tek Lluka 4. Ai po citon nga LXX-ja (shih
më vonë). Kjo në vetvete natyrisht që
nuk provon se Jezui nuk e shqiptoi Emrin kur Ai foli, është thjesht mënyra që
na raportohet prej Llukës. Jezui do të
ketë lexuar nga shkrimet hebraike.
Së dyti, zakoni hebraik për të thënë adonai
në vend të Emrit, filloi shumë më përpara kohës së Krishtit. Të gjithë farisenjtë e zbatonin këtë zakon
nga respekti për Perëndinë. Po ta kishte
thyer këtë zakon Krishti, dhe të kishte shqiptuar Emrin, farisenjtë me siguri
që do ta kishin vënë re dhe do ta kishin përndjekur. Por vini re që ata nuk e përndoqën;
përkundrazi, vargjet thonë që ata flisnin mirë për Të (v22), diçka që ata nuk
do ta kishin bërë nëse Ai do ta kishte shqiptuar Emrin (përndjekja erdhi më
vonë kur Ai i akuzoi ata për mospranimin e profetëve, v23-30). Si Krishti, ashtu dhe dishepujt e hershëm do
ta kishin zbatuar këtë zakon hebre. Edhe
sikur Lluka ta kishte shkruar tetragramatonin në tregimin e tij këtu, kjo ende
nuk do të provonte që Jezui në të vërtetë e shqiptoi atë kur foli; përsëri, ai
vetëm do të ishte duke raportuar pasazhin që Jezui po lexonte, si ligjeratë të
zhdrejtë. Jezui do ta kishte ndjekur
zakonin e të shqiptuarit adonai si alternativë.
Së treti, nëse Krishti e kishte prishur
zakonin, dhe në të vërtetë e kishte shqiptuar Emrin, dhe e bëri zakon ta
shqiptonte Emrin gjatë gjithë shërbesës së Tij, dhe i dha atij shqiptimin e
vërtetë, atëhere dishepujt do ta kishin vënë re këtë dhe do të kishin filluar
ta kopjonin Atë, duke e shqiptuar Emrin vetë.
Por ne nuk mund të supozojmë që dishepujt shkruanin ndryshe në shkrimet
e tyre nga çfarë shqiptonin. Ata nuk
shkruanin JHVH, prandaj ne nuk mund të supozojmë që ata e shqiptonin
Emrin. Ne nuk kemi provë që Jezui apo
dishepujt në të vërtetë e shqiptuan Emrin.
Pa provë, DJ-të nuk kanë bazë për argumentin e tyre. Ai është vetëm një supozim hipotetik.
Së katërti, nëse Jezui do të kishte dashur
që njerëzit ta dinin dhe ta përdornin shqiptimin e vërtetë të Emrit, atëhere ne
vetëm mund të themi që Ai dështoi në mënyrë të bujshme. Përsëri, nuk ekziston provë që njerëzit ose e
dinin shqiptimin e vërtetë, ose e përdornin atë në të folur të zakonshme si
rezultat i shërbesës së Krishtit. Në të
vërtetë, zbulesa që Jezui erdhi për t’u sjellë si hebrenjve ashtu dhe gjithë
njerëzimit, nuk ishte si ta shqiptonin Emrin, por për Perëndinë-Atë, diçka që
ishte, por që ishte zbuluar në mënyrë të paqartë në DhV-në. Përsëri e përsëri, Ai i drejtohet dhe i
referohet Perëndisë si Atit të Tij. Kjo
ishte zbulesa që mësuan dhe për të cilën shkruan më vonë dishepujt në shkrimet
e tyre. Dhe natyrisht, zbulesa tjetër e
madhe që erdhi si rezultat i shërbesës së Krishtit ishte që vetëm nëpërmjet
Emrit të Jezuit gjendet shpëtimi (Vep. 4:12) për njeriun.
Megjithatë, DJ-të duke besuar që Jezui dhe
apostujt e përmendën me të vërtetë Emrin, dhe që ai u shkrua në origjinalet e
DhR-së, siç kemi thënë, ata e kanë vendosur Emrin në tekstin e DhR-së të BR-së
së tyre. Kështu, në BR-në, ne gjejmë
Jezuin dhe apostujt duke e shqiptuar Emrin në bisedë dhe kur luten, dhe e
përdorin atë kur citojnë apo lexojnë pasazhe të DhV-së. Shih më poshtë për disa shembuj të kësaj.
A u përdor tetragramatoni prej apostujve
kur ata shkruan DhR-në?
Më sipër pamë që, DJ-të deklarojnë që
apostujt do ta kenë përdorur tetragramatonin në shkrimet e tyre të DhR-së kur
përdornin citime nga versioni LXX-ja e DhV-së.
Kështu që, ata e kanë vendosur atë në versionin e tyre BR-në të
DhR-së. Ata thonë që, kopjuesit e
hershëm të krishterë me qëllim e hoqën tetragramatonin nga LXX-ja (e pamundur
përderisa ekziston ai version i LXX-së që daton nga shekulli 1 p.e.s. dhe që
përdor kyrios – përpara se të ekzistonin të krishterët!) dhe pastaj nga
DhR-ja gjatë shekullit 2 & 3 e.s., duke e zëvendësuar atë qëllimisht me kyrios
dhe theos.
Për ta mbështetur këtë deklarim për
dorëshkrimet e DhR-së, ata thonë që Ungjilli i Mateut fillimisht u shkrua në
hebraisht, dhe prandaj do ta ketë patur tetragramatonin. Sidoqoftë, “dëshmia” që ata deklarojnë për
këtë është një citim nga vepra e Jeromit për një vepër që pastaj u mendua të
ishte Ungjilli i Mateut dhe i shkruar në hebraisht. Por vetë Jeromi më vonë e hodhi poshtë këtë
teori duke thënë që, ajo punë specifike ishte apokrifale. Pra, “dëshmia” e DJ-ve nuk është e vërtetë. Përsëri, deklarimi i tyre bazohet mbi një
supozim të rremë.
Në fakt, megjithëse disa studjues kanë
hedhur teorinë që disa prej librave të DhR-së mund të kenë qenë shkruar me të
vërtetë fillimisht në hebraisht, nuk ekziston absolutisht dëshmi për ta
mbështetur këtë ide. Gjithashtu, gjenden
mbi 5.000 dorëshkrime ekzistuese të DhR-së në greqisht, dhe tetragramatoni nuk
haset në asnjërin prej tyre. Pra, nuk
ekziston dëshmi që tetragramatoni ekzistonte në DhR-në, ose që u hoq më vonë
prej kopjuesve të krishterë. Deklarime
të tilla janë thjesht imagjinatë nga ana e DJ-ve.
Siç e thamë më sipër, DJ-të e kanë
vendosur tetragramatonin në DhR-në të tyre, në vende ku shkrimtarët citojnë nga
LXX-ja. Ata e kanë vendosur atë
gjithashtu në vende të tjera. Ata e
bazojnë arsyetimin e tyre për këtë në disa përkthime të DhR-së, të bëra
kryesisht prej hebrenjve, që datojnë nga periudha 1385-1981! Për shkak të natyrës së këtyre përkthimeve,
DJ-të e kanë përdorur këtë si arsye për të vendosur JHVH në vende të tjera të
DhR-së. Në të gjitha ato, ata e kanë
vendosur atë në DhR-në jo më pak se 237 herë!
Megjithatë, duke e bërë këtë, ata shpërfillin sasinë e jashtëzakonshme
të dëshmisë tekstuale të mbledhur gjatë shekujve që, greqishtja origjinale e
DhR-së nuk e përmbante tetragramatonin.
Me fjalë të tjera, ata nuk kanë të drejtë ta bazojnë atë që e kanë bërë
mbi pak përkthime të DhR-së të bëra gjatë periudhës 1385-1981, kur e gjithë
dëshmia tjetër tregon ndryshe.
Disa mënyra në të cilat DJ-të e kanë futur
fjalën Jehova në tekstin e DhR-së në BR-në e tyre
Gjenden një numër mënyrash të ndryshme në
të cilat DJ-të e kanë futur fjalën Jehova në tekstin e DhR-së të BR-së
së tyre, dhe më poshtë po japim disa shembuj për secilën. Gjenden shumë shembuj të tillë.
Shumica e shembujve që japim janë nga
shkrimet e Palit dhe të Llukës, të cilët të dy shkruan në greqisht. Lluka nuk
ishte hebre, dhe greqishtja në Ungjillin e tij është e një standarti
jashtëzakonisht të lartë; Pali shkroi në greqisht, lingua franca e asaj
kohe, për të arritur një publik sa më të gjerë që të ishte e mundur. Nuk ka dyshim që ata nuk shkruan në
hebraisht, dhe kështu ata nuk e përdorën tetragramatonin, dhe nuk ekziston
dëshmi dorëshkrimore, siç e thamë më sipër, që tetragramatoni ekziston në
shkrimet e tyre të DhR-së. Por, siç e
shohim tek shembujt, DJ-të e kanë vendosur tetragramatonin në shkrimet e këtyre
njerëzve (dhe të të tjerëve) në tekstin e BR-së së tyre.
1. Thjesht
si pjesë e tregimit të shkrimit të tyre
Në kapitullin 3 e pamë çfarë i kanë bërë
DJ-të pasazhit tek Romakët 14:8-9 dhe diskutuam përse e kanë bërë këtë. Shembuj të tjerë ka plot dhe vetëm pak minuta
duhen harxhuar për të lexuar BR-në për ta kuptuar këtë. Lexoni për shembull tek Veprat 8:25-26;
12:23-24; 13:12. Në disa prej këtyre
vargjeve ata e kanë zëvendësuar fjalën kyrios (Zot), dhe në vende të
tjera fjalën theos (Perëndi) me fjalën Jehova. Në asnjë prej këtyre vargjeve nga Veprat nuk
po flasin apostujt, as nuk po përdoren citime nga DhV-ja, fjala përdoret vetëm
si një pjesë e tregimit të Veprave, kështu që është e pamundur që
tetragramatoni të ketë të bëjë me këto vargje, Lluka nuk do ta kishte përdorur
atë. Ato janë vetëm pak prej shumë
shembujve të tillë që mund të gjenden.
2.
Kur një person në tregim po lutet ose po
flet dhe përdor Emrin
Në raste të tjera tek Veprat, BR-ja i
paraqet apostujt duke përdorur fjalën Jehova kur flasin ose luten
(d.m.th., pa cituar nga DhV-ja), p.sh. Veprat 1:24, 3:19; 8:22; 13:10,11. Por siç e pamë në kapitullin 7, kjo nuk do të
ndodhte përderisa hebrenjtë përgjithësisht nuk përdornin këtë fjalë për
Perëndinë në gjuhën e tyre të folur, ata përdornin fjalën adonai.
3.
Kur apostujt citojnë një varg nga DhV-ja në tregimin e
historisë apo letrës së tyre
Disa shembuj të kësaj janë si vijon: Pali
tek Rom. 9:29 citon nga Isa. 1:9; tek Rom. 10:13 nga Joeli 2:32; tek Rom. 15:11
nga Ps. 117:1; dhe 1 Kor. 2:16 nga Isa. 40:13. Në të gjitha këto citime Pali përdor kyrios,
dhe po citon nga versioni LXX-ja e DhV-së që përdor kyrios dhe jo
tetragramatonin. DJ-të e kanë zëvendësuar atë në BR-në e tyre me Jehova.
Një vend tjetër ku gjendet një citim i
ngjashëm është tek Rom. 10:16, ku Pali citon nga Isaia 53:1. Është interesante të shohim çfarë kanë bërë
DJ-të me këtë citim në BR-në e tyre.
DJ-të e kanë ndryshuar atë në: ‘Sepse Isaia thotë: “Jehova, kush beson
në gjënë e dëgjuar prej nesh?”’ në vend të përkthimit korrekt: ‘Sepse siç thotë
Isaia: “Zot, kush i besoi predikimit tonë?”’ (ABS, botimi 2002). Kështu ata e kanë ndryshuar fjalën Zot
(ose Perëndi, në versionin LiM) në Jehova (d.m.th., kyrie
në tetragramaton). Apostulli këtu po
citon nga pjesa e parë e Isaisë 53:1 në versionin LXX-në të DhV-së. Në versionin hebraik të Isaias 53:1, fjala Jehova
ose Zot nuk gjendet në pjesën e parë të vargut; përkthyesit e LXX-së e
shtuan fjalën kyrie në fillim të vargut në tekstin e tyre. Kështu, DJ-të kanë mashtruar kokë e këmbë në
këtë varg! Fjala në DhR-në këtu është kyrie,
që mund të përkthehet vetëm si Zot.
DJ-të nuk kanë fare të drejtë të fusin këtu fjalën Jehova. Dhe ata kanë bërë gjënë identike tek Gjoni
12:38, që në mënyrë të ngjashme citon nga Isaia 53:1. Ata kanë shtuar fjalën Jehova në vende
ku fjala është kyrie, dhe ku në hebraishten origjinale nuk kishte
tetragramaton.
4.
Kur Jezui apo apostujt duke folur citojnë apo lexojnë shkrime
të DhV-së
Në pasazhin tek Lluka 4:18-19 Lluka është
duke cituar nga LXX-ja (ai e shton frazën, “për të çliruar përsëri të shtypurit”,
e përkthyer në greqisht, që mungon nga LXX-ja, por është në hebraisht). Kështu ai përdor kyrios në citimin e
tij. Kjo thjesht është mënyra se si e
raporton Lluka atë që lexoi Jezui; ai nuk po na thotë fjalët e sakta që foli
Jezui, sepse LXX-ja dhe hebraishtja janë disi të ndryshme. Eshtë ligjeratë e zhdrejtë. Vetë Zoti në të vërtetë do të kishte lexuar
nga shkrimet hebraike, dhe do të kishte shqiptuar adonai në vend të
tetragramatonit sipas zakonit. Por DJ-të
e kanë futur fjalën Jehova dy herë në këtë pasazh për ta bërë atë të
duket sikur Jezui në të vërtetë e shqiptoi Emrin. Mirëpo, natyrisht çfarë ata nuk bënë në BR-në
e tyre ishte për t’i shkuar deri në fund dhe për ta ndryshuar citimin për të
qenë njësoj si hebraishtja (që është çfarë Jezui do të kishte lexuar). Fraza “dhe kthimin e të parit të verbërve”,
që është tek LXX-ja, por jo në hebraisht, është ende në BR-në e tyre (si në
DhR-në tonën). Kështu që ata kanë vënë
në gojën e Jezuit fjalën Jehova, si në hebraisht, sikur të ketë thënë “kthimin
e të parit të verbërve”, që në të vërtetë Ai nuk do ta ketë thënë, sepse nuk
është në hebraisht. Nëse ata do t’u shtojnë
vargjeve fjalën Jehova (që nuk duhet ta bëjnë, sepse Lluka nuk e
shkroi), ata të paktën duhet të jenë konseguentë me veten e tyre dhe ta
ndryshojnë të gjithë citimin për të qenë njësoj si në hebraisht. Por, natyrisht që kjo do të ishte prekje e shkrimeve,
apo jo?! DJ-të i ndryshojnë shkrimet
sipas asaj që i shkon përshtat doktrinave të parakonceptuara të tyre, dhe nuk
kuptojnë jo vetëm se sa e rrezikshme është kjo për ta, por gjithashtu se sa
jokonseguentë janë me veten në këtë proçes. Tetragramatoni nuk u përdor këtu prej Llukës;
ai përdori fjalën kyrios siç ishte në LXX-në. Përsëri, përdorimi i tetragramatonit nuk
ishte aq i rëndësishëm për apostujt siç mundohen DJ-të të na bëjnë ta
besojmë. Për të mos e përdorur atë, dhe
për të përdorur një fjalë tjetër në vend të saj, sigurisht që ishte e
pranueshme për Frymën e Shenjtë që i frymëzoi këta shkrimtarë!
Disa shembuj të tjerë të kësaj nga
predikimi i apostujve janë siç vijon: tek Veprat 2:20,21 citimi është nga Joeli
2:31,32 (shih gjithashtu Rom. 10:13); tek Veprat 2:25 nga Ps. 16:8; tek Veprat
2:34 nga Ps. 110:1; tek Veprat 4:26 nga Ps. 2:2; tek Veprat 7:49 nga Isaia
66:1; dhe tek Veprat 15:17 nga Amosi 9:12.
Gjenden dhe shembuj të tjerë të tillë.
Në të gjitha këto vargje, Lluka raporton duke përdorur një citim nga
LXX-ja e DhV-së, sepse ai po shkruan në greqisht, duke përdorur kështu
kyrios. Në të vërtetë, apostujt do të
kenë folur në aramaisht dhe kështu do të kenë thënë adonai në vend të
JHVH, sipas përdorimit të tyre normal.
DJ-të e kanë futur fjalën Jehova në të gjitha këto vargje, duke e
bërë atë kështu të duket sikur apostujt në të vërtetë e shqiptuan
tetragramatonin, që ata nuk do ta kishin bërë.
Përmbledhje
Meqenëse informacioni i përmbajtur në këtë
kapitull është disi i komplikuar, po ju ofrojmë një përmbledhje të komenteve që
kemi bërë.
1. Përgjithësisht, Septuaginti e zëvendëson
tetragramatonin me kyrios ose theos. Ekzistojnë pak përjashtime të vogla. Nuk ekziston dëshmi e vërtetë që provon që
origjinalët e LXX-së e përdorën tetragramatonin plotësisht, dhe sigurisht që
nuk ka dëshmi që kopjuesit e krishterë ta kenë hequr atë. Apostujt nuk e konsideruan LXX-në të rremë
thjesht sepse nuk përmbante tetragramatonin.
Ata cituan nga ai nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë në DhR-në. Prandaj
përdorimi i tetragramatonit nuk mund të ketë qenë aq i rëndësishëm për apostujt
(dhe prandaj gjithashtu për Vetë Perëndinë që i frymëzoi ata) sa për DJ-të e
kohës sonë.
2. Jezui dhe apostujt do ta kenë ndjekur
përdorimin normal të mosshqiptimit të Emrit hyjnor, duke përdorur si
alternativë fjalën adonai, si në të folurën normale kur luteshin, ashtu
dhe kur citonin apo lexonin shkrimet nga DhV-ja. Nuk ekziston provë që Vetë Jezui ta ketë
shqiptuar Emrin hyjnor, ose që ai ia mësoi të tjerët, ose që Ai i dha Emrit
shqiptimin korrekt. Zbulesa që solli
Jezui nuk ishte si ta shqiptonim Emrin, por që Perëndia të mund të njihej në
përvojë si Atë.
DJ-të në BR-në, për shkak të futjes që i
kanë bërë emrit Jehova, e bëjnë atë të duket sikur Jezui dhe apostujt e
shqiptuan Emrin. Kjo është diçka që ata
nuk do ta kenë bërë. Ata do të kenë
ndjekur zakonin e të thënit adonai, si alternativë.
3. Nuk ekziston dëshmi që origjinalet e
DhR-së të ishin shkruar në hebraisht. Tetragramatoni
nuk haset në dorëshkrimet greke të DhR-së.
Nuk ekziston dëshmi që apostujt ta kenë përdorur tetragramatonin në
origjinalet e DhR-së, dhe sigurisht që nuk ka dëshmi për komplot prej të
krishterëve të hershëm për ta hequr Emrin nga DhR-ja. Por DJ-të e kanë futur emrin Jehova në
tekstin e DhR-së pa mbështetjen e ndonjë dëshmie tekstuale nga dorëshkrimet
greke të DhR-së. Ata e kanë bërë këtë në
disa mënyra.
Pastor Michael A. Brown
Instituti Biblik Shqiptar
Durrës
Qershor 2004
Përkthyesi: Milto
Marko
[1] Një gjuhë e
përdorur për komunikim ndërmjet njerëzve të një zone në të cilën fliten disa
gjuhë, p.sh. anglishtja është bërë lingua franca e botës në ditët tona (marrë
nga Oxford Advanced Learner’s Dictionary; shën. i përkthyesit).
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.