1 – Historia e sektit Dëshmitarët e Jehovait
Sekti Dëshmitarët e Jehovait është një sekt relativisht i ri, meqë ka
nisur nga fundi i shekullit të 19-të. Ai
nuk është pjesë e Krishterimit të rrjedhës kryesore, duke qenë kështu, siç e
quajmë, një sekt i rremë, d.m.th. një grup që ndjek mësimet e një personi apo
disa personave të veçantë dhe që mohon shumë nga mësimet kryesore të Biblës.
Njeriu që themeloi këtë sekt ishte Çarlz
Teiz Rasëll (Charles Taze Russell) i cili lindi në vitin 1852 në Pensilvani të
ShBA-së. Ai u rrit si një frekuentues i
kishës, por e pati shumë problem të pranonte shumë nga mësimet e kishës, p.sh.
hyjësinë e Krishtit. Kështu pas
adoleshencës së tij, në rininë e hershme, ai ishte i zhgënjyer për sa i
përkiste kishës.
Gjatë kësaj kohe ai u njoh me një grup
adventistësh në Amerikë të cilët, gjithashtu, mohonin doktrina të caktuara të
Biblës dhe që kishin bërë profecira (të rreme) rreth Ardhjes së Dytë të
Krishtit, p.sh. se Ai do të kthehej në vitin 1843. Rasëlli u mrekullua me fushën e eskatologjisë,
d.m.th. me studimin e ngjarjeve që do të ndodhin në fund të botës siç na i
parathotë Bibla. Pa dyshim kjo është
edhe arsyeja pse shumë nga mësimet e sektit të DJ-ve dominohen prej
eskatologjisë.
Rasëlli u bë një mësues, me popullaritet
gjithnjë e më të madh, i këtyre doktrinave dhe më së fundi formoi një organizatë
që u quajt Shoqata Ndërkombëtare e
Studentëve të Biblës (“The International Bible Students’ Association”). Ai formoi gjithashtu një nëndegë botuese të
quajtur Shoqëria e Trakteve Kulla e Rojës
e Sionit (“Zion’s Watchtower Tract Society”), e cila botonte revista të
ndryshme, p.sh. Agimi i Mijëvjeçarit
(“Millennial Dawn”) dhe Studime në
Shkrimet (“Studies in the Scriptures”).
Më 1886, ai botoi një libër të quajtur Plani Hyjnor i Epokave (“The Divine Plan
of the Ages”) në të cilin parashikonte se beteja e Amargedonit (që do ta
tregojë fundin e kësaj epoke) do të zhvillohej më 1914 dhe se atëherë do të
fillonte Mbretëria Mijëvjeçare e Krishtit mbi Tokë. Ai mësonte gjithashtu se “kohët e fundit”
filluan më 1799 dhe se Prania e Dytë e Krishtit kishte filluar më 1874. Më pas, kur Amargedoni nuk ndodhi më 1914, ai
i ndryshoi vitet. Në vitin 1906, ai u
divorcua prej gruas dhe vdiq më 1916, pasi kishte parë se profecitë e tij
kishin dështuar.
Pasuesi që u bë udhëheqës i këtij grupi
tashmë në rritje quhej Xhozef Radhërford (Joseph Rutherford). Ai i mori dhe i ndryshoi mësimet e Rasëllit,
duke bërë përsëri profecinë e rreme se Amargedoni do të ndodhte më 1918, pastaj
më 1925. Ai bëri gjithashtu profecinë e
rreme se disa njerëz të Perëndisë nga DhV-ja do të ringjalleshin për të
drejtuar Mbretërinë e Perëndisë pas 1925-ës.
Madje më 1929 ndërtoi një shtëpi në Kaliforni në të cilën do të mundë të
banonin ata! Profecia e tij natyrisht që
dështoi. Radhërfordi bashkoi në një “kishat”
e grupit me organizatën botuese. Këtë
bashkim e quajtën Dëshmitarët e Jehovait,
emër të cilin e ka edhe deri më sot.
Pas vdekjes së Radhërfordit, më 1942,
udhëheqës i tyre u bë Nejthën Nori (Nathan Knorr). Ngjarja kryesore nën mbretërimin e tij ishte
mbikqyrja e përfundimit dhe botimit të përkthimit Bota e Re (BR), versionit të Biblës së DJ-ve, që doli për herë të
parë në vitin 1950. Tashmë është zbuluar
se vetëm një nga të katër anëtarët e komisionit që nxori në dritë BR-në kishte
një farë njohurie të hebraishtes dhe greqishtes. Ky njeri ishte Frederik Franc (Frederick
Franz), i cili kishte studjuar greqishten për dy vjet në Universitetin e
Çinçinatit, ndërsa hebraishten e kishte studjuar vetiu. Ai u bë udhëheqësi i DJ-ve në vitin 1977.
Më 1966, Franci kishte nxjerrë një libër
me titullin Jeta e Përjetshme në Lirinë e
Bijve të Perëndisë (“Life Everlasting in the Freedom of the Sons of God”),
ku parashikonte se Amargedoni dhe vendosja e dukshme e Mbretërisë së Krishtit
mbi Tokë do të fillonin më 1975. Shumë
DJ-të e besuan këtë profeci të rreme, madje shitën edhe shtëpitë e pronat e
tyre duke pritur këtë gjë dhe, natyrisht, që mbetën të zhgënjyer kur panë se
kjo nuk ndodhi. Pavarësisht nga
zhgënjimi që pësuan shumë prej DJ-ve në atë kohë, udhëheqësit e mbuluan këtë
profeci të rreme dhe e justifikuan mosplotësimin e saj.
Sekti i DJ-ve vazhdon të rritet edhe sot. Ata i propagandojnë mësimet e tyre kryesisht
duke shitur ose shpërndarë kopje të revistës së tyre Kulla e Rojës e cila ka një tirazh mujor prej miliona kopjesh në
gjuhë të ndryshme. DJ-të i propagandojnë
mësimet e tyre të rreme në më shumë se 200 vende anembanë botës dhe totali i
anëtarësisë së tyre pohohet se tashmë i ka kaluar 4 milionët. Revistat e tyre përkthehen në shumë gjuhë. Thuhet se ata janë botuesi privat më i madh në
botë, meqë ka shtypur më shumë se një miliard copë literature qysh prej vitit
1920. Trupi udhëheqës e drejton sektin
nga qendra e përgjithshme e tyre, që ndodhet në Bruklin të Nju Jorkut.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.