4
– Hyjësia e Krishtit
DJ-të, meqenëse e mohojnë Trininë (shih
tek kapitulli 6), nuk besojnë se Jezui, Biri Perëndi, ka ekzistuar që nga
përjetësia, por thonë që Ai ishte një krijesë e Atit Perëndi. Ata thonë se Perëndia Jehova krijoi së pari
perëndinë Jezu. Kjo, sigurisht që është
e gabuar, por ata përpiqen ta mbeshtesin këtë në fraza të tilla si p.sh. te
Kol. 1:15 ku thuhet se Krishti është i parëlinduri mbi gjithë krijimin. Ata e interpretojnë në mënyrë të gabuar fjalën
“i parëlindur” duke thënë se ajo ka kuptimin “gjëja e parë e krijuar”; mirëpo
fjala “i parëlindur” në Shkrimet nuk ka të bëjë aspak me krijimin apo me të
qenët i krijuar, por flet në fakt për “një përparësi në pozitë, një pozitë
sunduesi, një pozitë autoriteti”. Fjala
është “i parëlindur” dhe jo “i parëkrijuar”! (Shih tek Rom. 8:16-17,29 për
të parë kuptimin e vërtetë të fjalës “i parëlindur”).
Ata përpiqen gjithashtu që më kot të
argumentojnë këtë ide me atë që thuhet te Fjalët e Urta 8:22-26, ku e shikojmë
Krishtin si personifikimin e urtësisë së Perëndisë. Ata, duke u nisur nga v22, thonë se Krishti
duhet të ketë pasur një fillim, d.m.th. Ai është krijuar. Por folja hebreje “më
kishte ndë kryet” [sipas përkthimit të vjetër të Kristoforidhit] (ose, “më
zotëroi” sipas përkthimit Diodati i Ri),
ka kuptimin “më lindi” (në anglisht “begat”), jo “më krijoi”. Këtu ata
bëjnë edhe dy gabime të tjera: së pari, para krijimit të botës nuk ekzistonte
koha, por përjetësia, prandaj Krishti duhet të jetë që nga përjetësia si në v23
(dhe kështu jo i krijuar, por, në lidhje me faktin e mësipërm që u lind, i
lindur nga përjetësia – shih edhe te Gjoni 1:18); dhe së dyti, nëse ata thonë
që Krishti është personifikimi i urtësisë së Perëndisë dhe se Ai kishte një
fillim, ata duhet që logjikisht edhe të thonë se Perëndia nuk kishte urtësi nga
përjetësia dhe iu desh të krijonte urtësinë e Tij. Sigurisht që ky është një budallallëk
trashanik. Nëse Perëndia nuk pati urtësi që nga përjetësia, atëherë Ai thjesht
nuk është Perëndi!
DJ-të thonë disa gjëra që tregojnë se ata
besojnë që Jezui është princi kryeengjëll, Mikaeli, që përmendet te Danieli dhe
Juda 9. Në revistën e tyre Kulla e Rojës të datës 1 maj 1994, në
faqen 6 thuhet: “Libri i Zbulesës shpjegon: «Pastaj në qiell shpërtheu një
luftë: Mihaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij...»”. Por kjo është e pamundur pasi engjëjt nuk mund
të adhurohen, vetë ata thonë se vetëm Perëndia mund të adhurohet (Zbul. 22:8,9)
kurse ne shohim se Jezui u adhurua dhe e pranoi adhurimin (shih te kapitulli
11); gjithë engjëjt e Perëndisë urdhërohen që të adhurojnë Krishtin (Heb. 1:6).
Kështu, si mund të jetë Jezui Mikaeli? Jezui është më i madh se engjëjt (Heb. 1:4-6)
dhe kështu, më i madh edhe se Mikaeli.
Ka shumë thënie në Bibël të cilat na
flasin qartë për hyjësinë e Jezu Krishtit, d.m.th. që na tregojnë hapur se Ai
ishte Perëndia i shfaqur fizikisht, apo që Ai ka natyrë hyjnore. Le t’i shohim ato me radhë.
Isaia 9:5
“Sepse
na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
dhe do të quhet këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm,
Princ i paqes”.
Gjithë mësuesit e Biblës dhe në të vërtetë
edhe vetë DJ-të bien dakord në atë që ky varg i referohet Jezu Krishtit. Fjalët
e tij janë të qarta: “Perëndi i fuqishëm”. Këtu Jezu Krishti quhet Perëndi. Vini re që Ai nuk quhet një perëndi por
Perëndi d.m.th. Perëndi në kuptimin më të plotë të fjalës. DJ-të përpiqen t’i shmangen kuptimit të këtij
vargu duke thënë se Ai quhet i fuqishëm dhe jo i gjithëfuqishëm dhe se për këtë
arsye nuk mund të themi se e quan Jezuin Jehova. Po vallë, sa Perëndi ka? Një apo dy? Sa Perëndi kanë DJ-të? Mos vallë janë politeistë?
I pari dhe i fundit
Ky është një nga emrat e Perëndisë në
DhV-në që gjendet tek Isaia 44:6. Jehova
është i Pari dhe i Fundit (“dhe përveç meje nuk ka Perëndi”). Është më se e qartë që vetëm Perëndia mund ta
quajë veten kështu. Sidoqoftë, shohim se
Jezui e përdor pikërisht këtë titull për veten e Tij tek Zbul. 1:17 dhe 22:13. Gjithashtu tek Zbul. 1:8 Zoti Perëndi e quan
veten Alfa dhe Omega. Përsëri, Jezui i
referohet vetes së Tij në të njëjtën mënyrë tek Zbul. 22:13. Kjo na tregon mjaft qartë se Jezui është
Perëndi.
Gjoni 8:54-59
Vini re mënyrën se si shprehet Jezui në
këto vargje: “para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. Jo “unë isha” por “unë jam”. Nënkuptimi këtu
është ky se Jezui po i referohej vetes si UNË JAM-i i Eksodit 3:14 d.m.th. si
Jehovai. Dhe pikërisht kjo ishte edhe
mënyra si judenjtë e kuptuan. Prandaj
donin ta vrisnin me gurë për blasfemi.
Pati një ngjarje të ngjashme me këtë te
Gjoni 10:30-33. Jezui bëri një deklaratë
që u interpretua nga judenjtë se Ai po e quante veten Perëndi, interpretim të
cilin Ai nuk e mohoi. Kështu ata u
përpoqën ta vrisnin me gurë duke thënë: “të vrasim me gurë... për blasfemi,
sepse ti duke qenë një njeri, e bën veten Perëndi”.
Nëse judenjtë e kishin gabim në kuptimin e
fjalëve të Tij në këto dy raste, patjetër që Jezui do ta kishte mohuar dhe do
të kishte thënë që nuk i kishte thënë ato fjalë me këtë kuptim. Vërtet, kur shohim përshkrimin e kryqëzimit,
kuptojmë se arsyeja e shfaqur për të cilën judenjtë e donin Jezuin të kryqëzuar
ishte ngaqë Ai e kishte pohuar se është hyjnor (Mateu 26:63-66). Shih gjithashtu edhe një ngjarje tjetër të
ngjashme te Gjoni 5:16-18.
Zoti drejtësia jonë (JEHOVAI TSEDAKA)
(Jer. 23:5-6)
Përsëri, gjithë mësuesit e Biblës bien
dakord se ky varg i referohet Jezu Krishtit. Ai është Filizi i premtuar i Shkrimeve të
DhV-së (Isa. 4:2; 11:1-3; Jer. 23:5; 33:15-16; Zek. 3:8-9; 6:12). Shih emrin që i jepet Jezuit këtu – Jehovai Tsedaka. Kjo është mjaft e qartë dhe e pamohueshme. Unë vetë nuk kam gjetur asnjëherë një DJ që
mund të ma shpjegojë këtë. Nëse Jezui
nuk ishte Perëndia i trupëzuar, atëherë pse këtu quhet Jehova?
Emanuel
Ky është emri që gjejmë për Jezuin te Mat.
1:23 që është një përmbushje e profecisë tek Isa. 7:14. Përsëri një referencë shumë e qartë. Jezui quhet Emanuel që do të thotë Perëndia me
ne. Jezu Krishti ishte Perëndia i
trupëzuar në mish.
Biri është vula e qenies së Perëndisë
Ka disa fjalë shumë të rëndësishme që i
gjejmë te Hebrenjtë 1 mbi këtë çështje. Që
në kapitujt e parë të Hebrenjve shkruesi u tregon lëxuesve të letrës se kush
është Jezui. Ai është më i madh se
profetët (1:1-2); Ai është më i madh se engjëjt (1:4-14); Ai është më i madh se
Moisiu i DhV-së (3:1 e në vazhdim) etj.
Vini re që te 1:8 Ati Perëndi i thotë
Birit: “Froni yt, O Perëndi...” Ati Perëndi këtu e quan Birin (d.m.th. Jezuin)
Perëndi! Kjo është një deklaratë e pamohueshme që na tregon se Jezui është
Perëndi! Gjithashtu, në vargun 3 thuhet që Biri është shkëlqimi i lavdisë
së Perëndisë dhe vula e qenies së Tij.
Në vargun 6 shtohet se Ati Perëndi
urdhëron engjëjt ta adhurojnë Jezuin. Vetëm
Perëndisë i takon adhurimi. Ç’vargje më
të sakta se këto të Hebrenjve mund të gjejmë që të na tregojnë hyjësinë e
Krishtit? Këtyre mund t’u shtojmë ato që
tha Jezui te Gjoni 12:45: “Kush më sheh mua sheh atë që më ka dërguar”, dhe te
Gjoni 14:7,10: “Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim... A
nuk beson se unë jam në Atin dhe Ati është në mua?”
Shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm
Te Kol. 1:15 Krishti përshkruhet si “shëmbëllesa
e Perëndisë të padukshëm” d.m.th. Ai është zbulesa e plotë e gjithçkaje që
Perëndia është. Ç’është Perëndia, është
edhe Krishti. Nëse duam të dimë si është Perëndia, le të shohim Krishtin! Pali vazhdon me këtë te Kol. 1:19 ku thotë se “Perëndisë
i pëlqeu që gjithë plotësia e Tij të banonte në Krishtin” dhe te Kol. 2:9 ai
vazhdon të thotë se “tek Krishti banon gjithë plotësia e Hyjnisë”.
Gjoni 1:1,14
Gjoni 1:1 na tregon mjaft qartë se Krishti
është Perëndi. Krishti na përshkruhet si
Fjala: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi”. Siç e kemi përmendur edhe në një vend tjetër,
i vetmi përkthim i saktë i frazës së fundit të këtij vargu sipas studjuesve më
të njohur të Biblës është Fjala ishte
Perëndi. Asnjë thënie nuk mund të jetë më e qartë se kjo që të na tregojë
se Jezui është Perëndi, por është pikërisht ky vargu që DJ-të e ndryshojnë
qëllimisht në përkthimin e tyre për ta bërë atë të thotë se Jezui nuk është
Perëndi, por vetëm “një perëndi”. Gjoni
1:14 pason për të thënë se “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne”. Pra është e qartë se Krishti është Perëndia i
trupëzuar në mish; Perëndia, në Krishtin, u bë njeri; Krishti është
Perëndi-njeriu.
Gjoni 20:28 “Zoti im dhe Perëndia im”
Kjo është thënia e famshme e Thomait, ajo
që ai i tha Krishtit pas ringjalljes. Thomai
e adhuron Atë si Zotin e tij dhe Perëndinë e tij. Vini re që Jezui këtu nuk i
refuzon fjalët e Thomait dhe as i thotë se kjo që ai po thotë nuk është e
vertetë, gjë që do ta kishte bërë nëse ato do të ishin vërtet të pavërteta.
Jezui është Jehova
Mund të shohim, duke krahasuar disa vargje
të DhV-së me disa nga vargjet e DhR-së, se Jezuit i atribuohen disa fakte, emra
dhe tituj që i atribuoheshin Jehovait në DhV-në, gjë kjo që vërteton hyjësinë e
Krishtit.
Tek Isaia 44:6, Jehovai quhet i Pari dhe i
Fundit. Por shohim që Jezui thotë për
veten e Tij se është i Pari dhe i Fundit te Zbulesa 22:13. Tek Isaia 9:5, Jezui
quhet Perëndi i fuqishëm; tek Isaia 10:20-21 Jehovai quhet Zot i fuqishëm.
Tek Isaia 43:11 Jehovai thotë: “përveç
meje nuk ka Shpëtimtar tjetër”; po a del kështu se Jezui nuk është Shpëtimtari
i botës? Jehovai thotë te Zak. 12:10 se
Ai do të theret. A nuk ishte Jezui Ai që
u ther mbi kryq?
Ashtu siç dihet mjaft mirë, te Gjoni
10:11,14 Jezui tha se Ai vetë ishte Bariu i vërtetë i popullit të Perëndisë. Por pasazhe të tilla në DhV-në si: Psalmi
23:1, Isaia 40:10,11 dhe Ezekieli 34:11-16 thonë se Jehovai është Bariu i
popullit të Perëndisë.
Tek Isaia 43:10 thuhet se besimtarët do të
jenë dëshmitarët e Jehovait, por tek Veprat 1:8 thuhet se besimtarët do të jenë
dëshmitarët e Jezuit.
DJ-të i kanë sjellë problem vetvetes në
përkthimin që i kanë bërë Gjonit 17:11,12 te BR-ja e tyre. Edhe pse përkthime të ndryshme i japin në
mënyra paksa të ndryshme këto fjalë – disa versione thonë se Ati ia dha
dishepujt Jezuit dhe të tjerë thonë se Ati i dha emrin e Tij Jezuit – DJ-të
vetë, në BR-në e tyre, i kanë përkthyer këto fjalë në mënyrën e dytë d.m.th. që
Ati i jep emrin e Tij Jezuit. Ja se
çfarë thotë BR-ja e tyre: “O Atë i shenjtë, ruaji ata për hesap të emrit tënd
të cilin ma ke dhënë mua... Kur isha me ta i kam ruajtur për hesap të emrit
tënd që ti ma ke dhënë...”. Sigurisht,
për të krishterët, që besojnë në Trininë, kjo çështje ka pak rëndësi (sepse
Jehova është emri i Trinisë dhe, për këtë, emri i çdonjërit nga Personat e
Trinisë); por për DJ-të, që nuk besojnë në Trininë, kjo është një çështje shumë
e rëndësishme. Ata thonë se Jezui nuk
është Jehovai, por këtu, sipas tyre, Ati i jep emrin e Tij, Jehova, Jezuit. Kështu, Jezui është Jehovai sipas vetë
versionit të tyre të Biblës!
Tek Isaia 45:23-24 thuhet se Perëndia
është betuar se çdo gju do të përkulet para Tij dhe çdo gjuhë do të betohet për
Të. Pali e merr këtë frazë nga DhV-ja
dhe e përdor atë për Jezu Krishtin te Fil. 2:10-11 kur thotë se çdo gju do të
përkulet dhe çdo gju do të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të
Perëndisë Atë.
Tek Isaia 44:6,8; 45:6,14,21, Jehovai
thotë se Ai është Perëndia i vetëm dhe se përveç Tij nuk ka Perëndi tjetër. Atëherë, çfarë jemi të detyruar të themi për
doktrinën e DJ-ve që thotë se Jezui është “një perëndi” i krijuar prej
Jehovait? Është mjaft e thjeshtë; kjo do
të thotë se ata janë duke kundërshtuar DhV-në dhe se janë politeistë! Ata besojnë në dy Perëndi.
Natyra e dyfishtë e Krishtit
DJ-të nuk mund të konceptojnë që Jezui
është Perëndi për shkak të racionalizmit të tyre. Ata duan të kuptojnë gjithçka me limitet e
kufizuara të mendjes së tyre dhe, meqë ata nuk mund ta kuptojnë Trininë (shih
tek kapitulli 6) apo ta pranojnë se Jezui është Perëndi Biri, atëherë ata
thjesht i mohojnë të dyja këto dhe kështu mohojnë gjithë thëniet tepër të qarta
të Biblës, të cilat i përmendëm më sipër.
Në përpjekje për ta mohuar hyjësinë e
Krishtit, DJ-të u referohen gjithë vargjeve që flasin për natyrën njerëzore të
Krishtit apo atyre vargjeve ku Jezui tha se Ati ishte më i madh se vetë Ai, dhe
pastaj pyesin se si mund të jetë Jezui Perëndi. Kjo thjesht tregon se DJ-të nuk kanë arritur
të kuptojnë aspak faktin që Krishti kishte dy natyra. Kjo është arsyeja
pse ne flasim për natyrën e dyfishtë të
Krishtit.
“[Krishti],
edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për
të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij duke marrë trajtë
shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit...”
(Fil. 2:6-7).
Këto janë vargje shumë të rëndësishme për
të kuptuar kush është Jezui në natyrën e Tij. Ai përshkruhet se është “në trajtë Perëndie”
dhe në vargun tjetër se mori “trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit”.
Kjo na tregon qartë për natyrën e
dyfishtë të Krishtit d.m.th. se Ai i ka të dyja, natyrën hyjnore dhe atë
njerëzore. Ai kishte natyrën hyjnore dhe
veshi edhe natyrën njerëzore. Prandaj
dhe Bibla flet për të si Perëndi dhe si njeri. Ka ato vargje që flasin për hyjësinë e Tij,
vargje të cilave iu referuam më sipër, por ka edhe shumë vargje që na flasin
për natyrën e Tij njerëzore.
Për shembull, tek 1 Timoteu 2:5 flitet për
“Krishtin Jezu njeri”. Në ungjijtë e
shohim Jezuin shumë herë të hajë, të pijë, të jetë i lodhur, të jetë duke
fjetur; Ai u rrit dhe u bë zdrukthëtar; Ai kishte mish e kocka etj. Natyra
njerëzore e Krishtit, siç tregohet në Shkrimet, është e pakundërshtueshme. Në fakt, nëse Krishti nuk do të kishte pasur
natyrë njerëzore, d.m.th. nëse Ai nuk do të kishte qenë njeri i vërtetë,
atëherë Ai nuk mund t’i shlyente mëkatet tona. Flijimi i Tij do të kishte qenë i pavlerë për
ne. Si njeri Ai mori ndëshkimin që ishte
për ne si njerëz, në mënyrë që ne si njerëz të mërrnim faljen (Heb. 2:14-18, 1
Tim. 2:5) – zëvendësim! Po kështu, nëse
Ai do të kishte qenë vetëm njeri,
flijimi i Tij zëvendësues do të kishte pasur vlerë vetëm për një njeri, por fakti që Ai kishte edhe natyrë hyjnore
do të thotë që flijimi i Tij ka vlera pajtuese për gjithë njerëzit. Gjithë
njerëzit që besojnë mund të falen sepse zemërimi i Perëndisë për mëkatin u shua
krejtësisht për arsye të vdekjes së Krishtit. Krishti mbajti mëkatet e gjithë njerëzve (Isa. 53:4-6,12).
Kështu gjithë vargjet dhe fjalët që Jezui
tha gjatë jetës së Tij tokësore, duhet të kuptohen në dritën e këtij fakti, që
Ai kishte dy natyra, jo thjesht një. Ai gjithmonë flet si Perëndi-njeriu. Kështu, shumë nga fjalët e Tij mund të
kuptohen në dritën e natyrës së Tij njerëzore dhe shumë të tjera në dritën e
natyrës së Tij hyjnore. Ai mund të
fliste për Atin si “Perëndia i Tij”; Ai mund t’i lutej Atit dhe ta adhuronte
Atë çdo ditë; Ai mund të thoshte se Ati ishte më i madh se Ai; por gjithashtu
Ai edhe mund të bënte deklarata të qarta për hyjësinë e Tij që judenjtë
kërkonin ta vrisnin me gurë për shkak të atyre që thoshte; Ai mund të thoshte
se Ai dhe Ati ishin një; Ai mund të thoshte se gjithkush që kishte parë Atë,
kishte parë Atin, e kështu me radhë.
Nëse DJ-të nuk duan ta pranojnë faktin që
Jezui është Perëndi-njeriu, d.m.th. Perëndia i trupëzuar në mish, detyrohemi ta
bëjmë pyetjen: “Çfarë është Krishti atëherë? d.m.th. çfarë lloj krijese është Ai?” Ai është “një perëndi” thonë DJ-të, duke iu
referuar Gjonit 1:1 në versionin e tyre (fals) të Biblës (shih te kapitulli 3).
Por çfarë duan ata të thonë me këtë? Çfarë është “një perëndi”? Dhe si ky “perëndi” u bë njeri 2.000 vjet më
parë? Kur u bëhen këto pyetje, DJ-të nuk
dinë si të përgjigjen.
Dhe vërtet, mund të shkojmë edhe më tej. Nëse Jezui është “një perëndi”, atëherë sa
Perëndi apo perëndi ka? DJ-të besojnë në
2 perëndi. Njërin ata e quajnë Jehova
(d.m.th. Ati Perëndi) dhe tjetrin Jezu (një “perëndi”). DJ-të qenkan politeistë! Për çudi, ata e mohojnë të vërtetën e Isaias
43:10 (pikërisht të atij vargu prej të cilit ata marrin edhe emrin e tyre!): “Para
meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër”. Ka vetëm një Perëndi, i cili ka
ekzistuar qysh nga përjetësia si një Trini; Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë (shih
tek kapitulli 6). Jezu Krishti ishte
Perëndia i trupëzuar në mish si Perëndi-njeriu.
Për më tepër, ashtu siç e pamë edhe më
sipër, nëse Krishti nuk kishte të dyja natyrat, edhe atë hyjnore edhe atë
njerëzore, atëherë është e pamundur që ne të shpëtohemi. Shlyerja ishte e mundur vetëm ngaqë Krishti i
kishte të dyja natyrat. KJO ËSHTË
NJË ÇËSHTJE SHUMË E RËNDËSISHME! Nëse DJ-të besojnë se Krishti nuk kishte
natyrë të vërtetë njerëzore, atëherë është e pamundur që ata të shpëtohen, pasi
ai duhej të vdiste si njeri
për mëkatet; dhë nëse nuk besojnë se Ai kishte natyrë hyjnore, po ashtu atëherë
është e pamundur që ata të shpëtohen pasi flijimi i Tij do të kishte vlerë
vetëm për një njeri!
Çfarë lloj shlyerje mund të bëhet prej “një
perëndie” që nuk ka as natyrë të vërtetë njerëzore dhe as natyrë të vërtetë
hyjnore? Mjaft thjesht përgjigjja është
kjo: ASNJË shlyerje nuk mund të bëhej
që ta shuante zemërimin e Perëndisë mbi mëkatin dhe të sillte shpëtim për
gjithë ata që besojnë! Nëse Jezu Krishti
nuk ishte Perëndi-njeriu, atëherë ne të gjithë mbetemi në mëkatet tona dhe nuk
ka asnjë shpëtim për asnjërin prej nesh! DJ-të nuk kanë një Shpëtimtar i cili mund t’i
shpëtojë vërtet prej zemërimit të Perëndisë! E vetmja gjë që u mbetet atyre është një fe
për shpëtim me anë të veprave, në të cilën ata duhet të përpiqen dhe të
mundohen për të fituar shpëtimin e tyre! DJ-të gabojnë kur mendojnë se Jezui është “një
perëndi” – kjo është një doktrinë e gabuar dhe e pavlerë që nuk mund t’i
shpëtojë, por që thjesht i dënon për të kërkuar shpëtimin me anë të forcave të
tyre. Mjerë ata!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.