5 – Fryma e
Shenjtë është Person hyjnor
DJ-të thonë se Fryma e Shenjtë është
jofrymore d.m.th. që Ai është vetëm një forcë, një fuqi, një energji që
Perëndia e përdor për t’i përmbushur qëllimet e Tij. Për pasojë Ai është, sipas teorisë së tyre,
fuqia e Perëndisë dhe asgjë më shumë; ashtu siç mund të flasë njeriu për
energjinë dhe fuqinë e trupit të tij fizik por që këto nuk janë njeriu vetë. Revista e tyre Kulla e Rojës, që u botua më 1 maj 1994, tek faqja 11 thotë: “fryma
e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë”.
Ata marrin vargje që flasin për derdhjen e
Frymës së Shenjtë dhe pastaj shtrojnë pyetjen: “Nëse Fryma e Shenjtë është
Person, atëherë si mund të derdhet Ai?”, pa kuptuar se, sigurisht në Shkrimet
për Frymën e Shenjtë flitet simbolikisht
si për ujin (Gjoni 7:37-39) dhe si për zjarrin (Veprat 2:3), vajin (Isaia
61:1-2), erën (Veprat 2:1-4) po ashtu edhe si për një pëllumb (Mateu 3:16).
Gjithashtu ata nganjëherë kapen pas faktit
që fjala greke që përdoret për frymë
në DhR-në është pneuma, fjalë e cila
është e gjinisë asnjanëse. Ata thonë se,
meqenëse është e gjinisë asnjanëse, atëherë Fryma e Shenjtë nuk mund të jetë
Person, por duhet të jetë jofrymore. Sigurisht, ky argumentim është i pabazë,
pasi gjinia gramatikore e një fjale nuk ka të bëjë aspak me faktin që diçka
është frymore apo jofrymore. Nëse
argumenti i DJ-ve do të ishte i vërtetë, atëherë, meqë fjala Perëndi në shqip është e gjinisë
femërore, kjo do të thoshte që Perëndia është femërore. Dhe, sigurisht, kjo është marrëzi! Si një shembull tjetër mund të marrim dy
fjalët shqipe frymë dhe shpirt që përdoren zakonisht për ta
përkthyer fjalën spirit në anglisht. Fraza Holy
Spirit jepet herë si Fryma e Shenjtë
dhe herë të tjera si Shpirti i Shenjtë.
Fjala shqipe frymë është e gjinisë femërore; fjala shpirt është e gjinisë mashkullore; atëherë (sipas argumentimit të
tyre) cilës gjinie i përket kjo përfundimisht? Argumentimi i tyre që mbështetet në gjininë
gramatikore të një fjale është i pakuptimtë!
Prandaj edhe nuk të çudit fakti që DJ-të
mohojnë hyjësinë e Frymës së Shenjtë, pasi e kupton se ky mohim është një
pasojë e natyrshme e besimit që ata kanë se Ai nuk është Person. Nëse Ai nuk është një Qenie frymore, atëherë
si mund të jetë Ai Perëndi? DJ-të
gjithmonë i referohen Frymës së Shenjtë si “frymë e shenjtë” për të bërë që
emri i Tij të tingëllojë jofrymor.
Sidoqoftë, në Shkrimet ka vargje që flasin
për Frymën e Shenjtë që i japin Atij atributet dhe karakteristikat që vetëm një
person mund t’i ketë dhe të cilat është e pamundur t’ia veshësh një force
jofrymore. Për më tepër, në Shkrimet
zbulohet qartë edhe natyra e Tij hyjnore.
Fryma e Shenjtë është Person
1.
Ai lidhet me të dy, me Atin dhe
Birin, të cilët, të dy, janë Persona, në formulën e pagëzimit (Mateu 28:19). Kjo bashkëvendosje tregon
se Ai është Person. Mateu thotë këtu të pagëzohen “në emër të...Frymës së
Shenjtë”. Ne mund të pagëzojmë në emër të Tij vetëm nëse Ai është Person. Vini re se të pagëzohesh për dikë apo në emër
të dikujt do të thotë të lidhesh me këtë person si me udhëheqësin tënd frymëror
(1 Kor. 1:12-16, 10:1-4) dhe nga kjo duket qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me
ndonjë lloj force. Një forcë nuk mund të
jetë udhëheqësi ynë frymëror. Kështu
nëse kemi për t’u pagëzuar në emër të Frymës së Shenjtë atëherë Ai duhet të jetë
Person.
2.
Ai erdhi ta zëvendësonte Krishtin mbi
tokë. Ai është Ngushëlluesi i premtuar (Gjoni 14-16). Jezui tha se ishte diçka e mirë që Ai vetë
po largohej (16:7) që kështu të vinte Fryma e Shenjtë. Jezui ishte person dhe nuk do të ishte aspak e
mirë nëse do ta kishte zëvendësuar veten me një “diçka” që nuk mund të ishte
gjithçka që Ai kishte qenë për dishepujt për ato tri vite; kjo do të ishte një
humbje e pallogaritshme!
3.
Ai mund të trishtohet (Efes. 4:30). Është diçka që dihet mjaft mirë që një gjë jofrymore
nuk ka ndjenja të cilat mund të preken dhe kështu kjo gjë të trishtohet; vetëm
personat kanë ndjenja të tilla. Këtu
Fryma e Shenjtë na përshkruhet me ndjenja. Për këtë Ai është Person. Shumë herë u kam bërë sfidë DJ-ve në lidhje me
këtë varg dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme rreth
kësaj çështjeje.
4.
Ai mund të gënjehet (Veprat 5:3). Është e logjikshme që dikush nuk mund të
gënjejë diçka që është jofrymore. Nuk
mund ta gënjesh një “gjë”! Ai është
Person.
5.
Ai ka vullnet dhe vepron (1 Kor. 12:11). Në këtë varg na flitet për shpërndarjen e
dhuntive të Frymës së Shenjtë në të gjithë Trupin e Krishtit. Kjo punë bëhet prej Frymës ashtu si vendos Ai
vetë. Kështu Ai edhe ka vullnet edhe
vepron për ta bërë shpërndarjen. Përsëri
pra, duket qartë që këto nuk janë veçori që mund t’i ketë një “gjë”.
6.
Ai ka mendje (Neh. 9:20, Rom. 8:27). Duket qartë që është Person.
7.
Ai flet, udhërrëfen, mëson dhe
drejton (Veprat
8:29; 13:2,4; 16:6,7; Lluka 2:27; Zbulesa 2:7,11,17,29; 3:6,13,22; Gjoni 14:26;
Rom. 8:14). Është e qartë se një “diçka”
nuk mund të komunikojë. Mjaft interesante gjithashtu janë fjalët te Veprat 16:7
ku na thuhet se Fryma nuk i lejoi të predikonin Ungjillin në Bitini.
8.
Ai ka njohuri të mendimeve të
Perëndisë (1 Kor.
2:10,11).
9.
Ai zbulon të vërteta frymërore (Lluka 2:26). Përsëri, kjo është puna e një Personi.
Fryma e Shenjtë ka natyrë hyjnore
1.
Ndaj Tij mund të blasfemohet (Mat. 12:31-32). Përsëri është një fakt i thjeshtë dhe i qartë
që mund të blasfemohet vetëm kundër Perëndisë. As ndaj njerëzve, as ndaj sendeve jofrymore
dhe as ndaj forcave nuk mund të blasfemohet, veçse ndaj Perëndisë. Shih edhe tek Heb. 10:29.
2.
Ai quhet Perëndi te Veprat 5:3-4. Në vargun 3 Pjetri e akuzon Ananinë se ka
gënjyer Frymën e Shenjtë, dhe pastaj në vargun 4 vazhdon duke thënë se ai ka
gënjyer Perëndinë.
3.
Atij i atribuohen veti dhe veprime
hyjnore.
a.
Ai krijon (Jobi 33:4, Ps. 104:30).
b.
Ai është i kudondodhshëm (Ps. 139:7-10).
c.
Ai është i gjithëdijshëm (1 Kor. 2:10,11).
d.
Ai është dhënësi i jetës (Gjoni 6:63).
e.
Ai është Autori i rilindjes (Gjoni 3:5,6).
f.
Ai bind botën për mëkat, drejtësi e gjykim (Gjoni 16:8-11).
Mësimi i qartë i vargjeve të mësipërme
është një mësim të cilit nuk mund t’i shpëtosh dot dhe DJ-të nuk mund t’i
shmangen. Fryma e Shenjtë është PERSON
që ka NATYRË HYJNORE. Ai është Perëndia,
në kuptimin më të plotë të fjalës.
Çfarë gabimi tragjik!
Ç’gabim të mjerë e tragjik që bëjnë këtu
DJ-të! Ata e quajnë Perëndinë Frymë të
Shenjtë një gjë jofrymore, në vend që ta nderojnë Atë si një PERSON
HYJNOR! Ata e kthejnë Atë në diçka të
krijuar në vend që ta nderojnë Atë së bashku me Atin dhe Birin si Zotin dhe
Dhënësin e jetës.
Mohimi i doktrinave të tilla bazë të
Krishterimit rreth të qenit Person dhe hyjësisë së Frymës së Shenjtë kanë pasoja
të rënda. Këto nuk janë çështje të vogla dhe të parëndësishme! Në vend që të mundë ta njohin Perëndinë
nëpërmjet Zotit Jezu dhe në vend që t’i njohin thesarin dhe lavdinë e shpëtimit
dhe bekimeve të Tij në jetën e tyre, DJ-të mbeten vetëm me një fe që ata vetë e
kanë krijuar, një fe të bazuar në shtrembërimin e Shkrimeve sipas ideve të
gabuara që janë shpikur prej njerëzve, nëpërmjet ideve që nuk i kanë aspak
veprimin, praninë ose bekimin e Frymës së Shenjtë. Ata kanë lëvozhgën dhe guackën – një fe boshe –
pa jetën e vërtetë dhe fuqinë e një marrëdhënieje të vërtetë me Perëndinë dhe
kështu, me forcat e tyre të dobëta njerëzore, ata vazhdojnë në rropatjet e tyre
fatkeqe për ta kënaqur një Perëndi që nuk e njohin. Zemrat e tyre mbeten po aq boshe sa edhe ato
të çdo jobesimtari. Gjithmonë janë duke
mësuar, por kurrë nuk arrijnë ta njohin të vërtetën! Ata kanë fenë, por e kanë atë të pajetë!
Në vend të kësaj, dëshira dhe vullneti i
Perëndisë për njerëzit është që këta ta njohin Atë si Shpëtimtarin dhe Atin e
tyre; duke njohur në brendësi të tyre fuqinë ripërtëritëse të Frymës së Tij që
i krijon rilindjen dhe jetën e re; duke njohur dëshminë e Frymës së Tij në
brendësi të tyre dhe sigurinë e pranimit të Perëndisë në jetën e tyre; duke
njohur thirrjen “Aba, o Atë!”, thirrjen e Frymës në zemrat e tyre, dhe dëshminë
e Frymës që u tregon se ata janë vërtet fëmijë të Perëndisë; duke njohur çdo
ditë brendabanimin e praninë e ëmbël që mbetet në zemrat e tyre, dhe fuqinë e
ngushëllimin e Tij në kohë nevoje; shoqërinë e praninë e Tij të ëmbël në
mbledhje besimtarësh, si dhe në shoqëri me besimtarët e tjerë; udhëheqjen e
drejtimin e Tij në jetën e në punën e përditshme dhe rritjen e bukur të hireve
dhe frutave të Frymës së Shenjtë në jetën e tyre; lavdërimin dhe adhurimin e
vërtetë për Zotin që Fryma u jep zemrave të tyre, lavdërim dhe adhurim që i
ngre lart, i ndërton dhe i forcon; fuqinë dhe mirosjen e Tij në jetën, dëshminë
dhe predikimin e tyre; dashurinë e thellë për Krishtin që është krijuar dhe
rritet gjithnjë e më shumë, gjë kjo që çon në dëshirën për ta njohur, për ta
dashur dhe për të jetuar për Të gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre. Dhe të gjitha këto gjëra DJ-të nuk i njohin
aspak, atyre u mungojnë të gjitha këto! Çfarë
gabimi tragjik dhe çfarë pasojash tragjike për ta!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.