12
– A do të jemi të vetëdijshëm pasi të vdesim?
DJ-të mësojnë se kur vdes besimtari, fryma
e tij nuk shkon në qiell në praninë e Perëndisë (dhe gjithashtu se një
jobesimtar, kur vdes, nuk shkon në Hades, banesën e jobesimtarëve të vdekur),
por se të gjithë ata, qofshin besimtarë apo jobesimtarë, futen në një gjendje
që e quajmë “gjumë fryme”. Me këtë ata
duan të thonë se personi nuk ka ekzistencë të vetëdijshme, por “fle” deri në
ditën e ringjalljes, kur ai të ngrihet përsëri në jetë (d.m.th. zgjohet nga
gjumi!). Këtë doktrinë të rreme e quajmë
psikopanikia.
DJ-të e përkufizojnë vdekjen si mungesa e
jetës (shih tek revista e tyre Frymërat e
të vdekurve). Por duke u nisur nga
ky mësim ata vazhdojnë më tej duke kaluar në mësimin që thotë se vdekja do të
thotë mungesë e ekzistencës së
vetëdijshme, gjë kjo që është diçka krejt tjetër. Kështu, për shembull, në rastin e vdekjes
fizike, ata thonë se trupi i njeriut kthehet në pluhur dhe se fryma e tij nuk
ka ekzistencë të vetëdijshme (shih tek faqet 76-80 tek libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë
mbi Tokë), në vend që të thonë se vdekja fizike është thjesht shkëputja e
frymës (që mbetet e vetëdijshme) prej trupit (që kthehet në pluhur), gjë kjo e
fundit të cilën na e mëson Bibla. Dhe natyrisht ata kalojnë nga ky mësim për “gjumin
e frymës” gjatë gjendjes së ndërmjetme (d.m.th. gjatë periudhës mes vdekjes dhe
ringjalljes) në mësimin se as ata që do të shkojnë në Gehenën pas Gjyqit të
Fundit nuk do të jenë të vetëdijshëm në përjetësi por do të asgjësohen (shih te
kapitulli 14).
Ata abuzojnë vargje të ndryshme të Biblës
për të arritur në këtë lloj mësimi. Ata
marrin vargun te Zanafilla 3:19 “deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke
dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” dhe komentojnë kështu:
“Përpara se Perëndia ta krijonte nga pluhuri, Adami nuk ekzistonte. Kështu, pasi vdiq, Adami u kthye në po atë
gjendje të joekzistueshmërisë” (Ti mund
të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 76). Kjo është një logjikë vërtet tepër e
shtrembëruar! Trupi i Adamit u krijua
prej Perëndisë nga pluhuri dhe pastaj Perëndia i fryu atij frymën e jetës në
vrimat e hundës (Zan. 2:7). Fjalët që
Perëndia i thotë atij te Zanafilla 3:19 kishin të bënin vetëm me trupin e tij fizik, jo me frymën e tij! Fryma e Adamit nuk erdhi prej pluhurit në fillim,
Perëndia ia fryu atë atij në vrimat e hundës. Vetëm ai që erdhi prej dheut (d.m.th. trupi)
do të kthehej në dhe. Vargu nuk thotë
asgjë për atë që do të ndodhë me frymën e tij pas vdekjes. Ata nuk mund të thonë aspak se Adami hyri në
një gjendje joekzistence pas vdekjes së tij fizike.
Disa vargje të tjera që ata përdorin janë
këto të mëposhtmet: “Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga
pluhuri dhe kthehen në pluhur” (Predikuesi 3:20); “të vdekurit nuk dinë asgjë”
(Predikuesi 9:5); “Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë
zhdukur tashmë...” (Predikuesi 9:6); “sepse në Sheol [varr] ku po shkon nuk ka
më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri” (Predikuesi 9:10); “Kur fryma
e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken”
(Ps. 146:4). Ka edhe disa vargje të
tjera që ata citojnë por, për arsye vendi nuk do t’i citojmë apo shqyrtojmë ato
të gjitha!
Ashtu siç e kemi thënë edhe herë të tjera
në këtë libër, duhet të bëjmë kujdes që vargjet të mos i shkëpusim nga
konteksti i tyre në mënyrë që të gjejmë kuptimin e tyre të vërtetë dhe jo të
përpiqemi t’ua veshim atyre një kuptim të cilin as shkruesit nuk i shkoi kurrë
në mendje. Ashtu siç do të shohim më
poshtë, në DhR-në ka pasazhe të ndryshme që na e bëjnë të qartë se fryma e
njeriut është vërtet e vetëdijshme pas vdekjes. Kështu, nëse vargjet e mësipërme kanë atë
kuptim që DJ-të thonë se kanë, atëherë jemi të detyruar të nxjerrim përfundimin
se në Bibël ka mësime kontradiktore për këtë çështje, por sigurisht që ne nuk e
besojmë këtë gjë.
Për shembull, le t’i shqyrtojmë vargjet e
mësipërme, të cilat të gjitha citohen nga DJ-të në revistën e tyre Frymërat e të vdekurve dhe në librin e
tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në
parajsë mbi Tokë për ta mbështetur këtë doktrinë të tyren. Do ta nxisnim lexuesin t’i lexonte këto vargje
në Biblën e tij brenda kontekstit të tyre në mënyrë që t’i kuptojë komentet që
do të bëjmë më poshtë rreth tyre.
Së pari, fjalët që citohen nga Predikuesi
3:20 në fakt nuk kanë të bëjnë aspak me atë nëse fryma e një personi është apo
jo e vetëdijshme pas vdekjes. Ky varg
thjesht na thotë se të gjithë njerëzit kanë të njëjtin fat në këtë jetë. Ata të gjithë do të vdesin fizikisht një ditë
dhe atë ditë do të përmbushet ajo që Perëndia tha te Zanafilla 3 se ne jemi
pluhur dhe në pluhur do të kthehemi. Vargu
nuk thotë asgjë më tepër se kaq. Për
këtë DJ-të nuk mund ta përdorin atë për të mbështetur doktrinën e tyre.
Së dyti, kemi fjalët që citohen nga
Predikuesi 9:5,6,10. Vini re se të
gjitha këto vargje citohen jashtë kontekstit të tyre. Konteksti i të tri këtyre vargjeve është
pasazhi te Pred. 9:1-10. E rëndësishmja
është që të kuptojmë mësimin e përgjithshëm që na jepet nga i gjithë ky pasazh
dhe pastaj mund të kuptojmë se çfarë thotë shkruesi në këto vargje të
shkëputura që DJ-të citojnë. Shkruesi,
ashtu si edhe më sipër te 3:20, flet për fatin e përbashkët që ne të gjithë
ndajmë, pra faktin që një ditë ne të gjithë do të vdesim fizikisht, pavarësisht
nga kush apo çfarë jemi, qofshim me famë, të pasur apo të varfër. Kjo është një pjesë e argumentimit të të
gjithë librit të Predikuesit, që na tregon se jeta pa Perëndinë është në fund
të fundit pa kuptim. Ai flet këtu për
faktin se sa i pashpresë është njeriu para vdekjes.
Ai krahason jetën dhe njerëzit e gjallë në
kënaqësitë jetëshkurtra njerëzore që ata mund të gëzojnë në këtë jetë, me
vdekjen dhe ata që kanë vdekur, të cilët nuk mund të marrin më pjesë në këtë
jetë dhe nuk mund t’i gëzojnë më ato gjëra që i kishin në këtë jetë. Ai thotë se ata që kanë vdekur nuk i kanë më
gjërat që kishin në këtë jetë. Duket qartë se ky është kuptimi i Pred.
9:5,6,10 të marra si vargje të plota.
Vdekja do të të marrë të gjitha ato
gjëra që ti pate dhe gëzove në këtë jetë. Ti do të ndahesh prej njerëzve të kësaj jete
dhe nuk do të dish asgjë për ato që ndodhin këtu (9:5); dashuria, urrejtja dhe
zilia që ti ke shprehur në këtë jetë
nuk do të jenë më këtu në këtë botë,
dhe të gjallët nuk do të kenë më asnjë përvojë me ty apo me këto gjëra të tuat
(9:6); gjërat e kësaj jete marrin fund kur arrijmë tek varri (9:10). Kështu, thotë ai, gëzoje jetën sa e ke. Një qen i gjallë vlen më tepër (ose, e ka më
të mirë) se një luan i ngordhur (9:4)!
Këto vargje nuk japin ndonjë mësim për gjendjen
e njeriut pas vdekjes, për atë nëse ai është i vetëdijshëm apo jo; nga këto
vargje nuk mund të nxjerrim asnjë mësim për gjendjen e ndërmjetme. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë
kontekstin e shkruesit që e sheh jetën nga këndvështrimi i një njeriu pa
Perëndinë, një njeri që nuk mund të gjejë kënaqësi në jetë edhe pse përpiqet me
të gjitha mënyrat për ta gjetur atë. Por
për këdo që e njeh Krishtin, puna është krejt e ndryshme. Çfarë shprese dhe çfarë prespektivash që ka ai
për të ardhmen dhe jetën pas vdekjes! Vdekja
nuk është diçka e pashpresë, ajo është thjesht porta për realizimin e një
shprese më të madhe. Në vend që të flasë
për vdekjen si diçka që të merr gjithçka dhe që nuk të lë asgjë, duke të lënë
kështu të pashpresë në këtë jetë, ashtu siç thotë edhe shkruesi i Predikuesit,
besimtari mund të flasë për shpresën e lavdishme dhe gëzimin që e pret te
Perëndia kur lë prapa këtë jetë. Shkruesi i Predikuesit flet për gjërat e mira
që mund të gëzohen në këtë jetë dhe nuk sheh asnjë shpresë përtej vdekjes;
besimtari në Krisht nuk sheh gjë tjetër
përveç lavdisë dhe shpresës në anën përtej vdekjes. Për ne që besojmë, kjo është një punë krejt
tjetër!
Së treti, kemi fjalët te Psalmi 146:4. Së
pari, vargu na mëson diçka që DJ-të nuk e pëlqejnë aspak! Ai flet për vdekjen si shkëputje e frymës nga
trupi. Trupi futet në varr dhe fryma
ikën. Arsyen pse ata zgjedhin këtë varg
në përpjekje për ta mbështetur doktrinën e tyre, unë nuk e di! Por shih komentin që ata i bëjnë vargut: “Kur
njeriu vdes, fryma, fuqia e tij jetësore...«del jashtë». Nuk ekziston më.” (Ti mund
të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 77). Përsëri logjikë e shtrembër, ose, shprehur më
mirë, pa kurrfarë logjike! Ata thonë se
kur fryma e lë trupin, kjo do të thotë që ajo nuk ekziston më. Por vargu, në mënyrë kategorike, nuk e thotë
këtë. Ai thotë se fryma ikën. Kjo do të
thotë që fryma ikën prej trupit dhe vetëm
kaq! Vargu nuk ka të bëjë aspak me
atë nëse fryma vazhdon të ekzistojë më apo jo. Ky varg nuk e mbështet aspak doktrinën e tyre.
Në fakt, tek Predikuesi 12:7 na thuhet
se kur një person vdes, trupi i tij kthehet në pluhur dhe fryma e tij kthehet
te Perëndia që e dha.
Gjithashtu, shih kontekstin e këtij vargu
në vargjet 3-5 (dhe më pas). Është një
inkurajim për besimtarët ta vënë shpresën e tyre te Perëndia (v5 e më pas) në
vend që ta vënë atë te njeriu i vdekshëm (v3-4). Vargjet 3 dhe 4 flasin për kotësinë e të
besuarit përfundimisht tek njeriu që nuk mund të të shpëtojë dhe e ilustron
këtë duke thënë se ai i nënshtrohet vdekjes dhe kjo u jep fund gjithë planeve
dhe shpresave që ai kishte për këtë jetë (pikërisht ashtu siç e pamë edhe te
libri i Predikuesit). Këto vargje nuk
thonë asgjë për gjendjen e njeriut pas vdekjes.
Kështu, siç mund ta shohim, nëse lexohen
në kontekstin e tyre, asnjë nga këto vargje (që DJ-të citojnë në mbështetje të
doktrinës së tyre) nuk mbështet në fakt atë që DJ-të duan të besojnë.
Ezekieli 18:4,20
Një tjetër nga pasazhet e preferuara të
DJ-ve është Ezekieli 18:4,20 “Shpirti që mëkaton ka për të vdekur”. Ata përsëri e shkëpusin këtë frazë nga
konteksti dhe e interpretojnë sikur do të thotë se shpirti i njeriut vdes
d.m.th., sipas tyre, pas vdekjes fizike shpirtrat e njerëzve pushojnë së
ekzistuari.
Nëse
shohim kontekstin menjëherë do të shohim se nuk
është kjo domethënia e këtyre fjalëve. Fjala
“shpirt” këtu nuk thuhet për jetën e brendshme të shpirtit të njeriut (psychen e tij), ajo nënkupton njeriun si
një të tërë, d.m.th. i referohet njeriut si person. Një përkthim më i mirë do të ishte ky: “Njeriu
që mëkaton është ai që do të vdesë”. Shqyrtoji
të gjitha këto pasazhe vargjesh: 5-13,14-18,19-20,21-23,24,25-30. Konteksti
këtu bën fjalë për atë që çdo person mban përgjegjësinë për mëkatin e vet. Çdo person do të gjykohet për mëkatin e vet,
jo për ato të atit të tij.
Vini re gjithashtu se na jepet edhe mësimi
paralel, pra në vargun 9 lexojmë: “ai është i drejtë dhe me siguri ka për të
jetuar” (shih edhe vargjet 19,21,22). Me
fjalë të tjera, nëse një njeri është i drejtë për vete, atëherë ai ka për të
jetuar dhe nuk ka për të vdekur për mëkatet e një personi tjetër; ose, nëse ka
qenë mëkatar dhe heq dorë prej paudhësive të tij, atëherë ai ka për të jetuar
dhe nuk ka për të vdekur.
Por, për të qenë konsekuentë ndaj atyre që
thonë, DJ-të duhet ta marrin këtë mësim paralel dhe të thonë që shpirti i një
njeriu të drejtë do të vazhdojë të jetojë d.m.th. që pas vdekjes fizike shpirti
i një njeriu të drejtë do të vazhdojë ekzistencën e vetëdijshme (sipas
interpretimit të tyre). Por, sigurisht,
këtu ata nuk qëndrojnë konsekuentë ndaj atyre që thonë dhe kështu, as që duan
të mendojnë rreth këtyre nënkuptimeve që rrjedhin prej vetë interpretimeve të
tyre të gabuara!
Kështu, përsëri, shohim se këto vargje që
ata përdorin në asnjë lloj mënyre nuk mbështetin doktrinën false të tyre.
Gjumi i vdekjes
Në vende të ndryshme Bibla përdor një
gjuhë metaforike për ta përshkruar vdekjen si gjumë (p.sh. Danieli 12:2; 1
Selan. 4:13). DJ-të nganjëherë përpiqen
t’i përdorin këto vargje që flasin për “gjumin e vdekjes” në mbështetje të
besimit të tyre se frymërat e njerëzve nuk do të kenë ekzistencë të vetëdijshme
pas vdekjes. Kjo është prejardhja, pra,
e termit “gjumë i frymës”. Tek faqja 80
e librit të tyre Ti mund të jetosh
përgjithmonë në parajsë mbi Tokë ata thonë: “Kur një njeri ndodhet në një
gjumë shumë të thellë, ai nuk mban mend asgjë. Njësoj është edhe me të vdekurit. Ata nuk kanë ndjenja. Nuk ekzistojnë më”. Por shih që përsëri
logjika e DJ-ve është djallosur! Ata
thonë që vdekja është si gjumi dhe se ashtu si personat që flenë nuk janë të
vetëdijshëm për këtë botë e nuk kujtojnë asgjë edhe njerëzit e vdekur nuk janë
të vetëdijshëm. Por nga kjo ata hidhen e
thonë se për këtë të vdekurit nuk
ekzistojnë. Përsëri, logjika e tyre
është krejt e gabuar. Të qenët i
pavetëdijshëm nuk është e njëjta gjë me joekzistencën! Një person që fle është i pavetëdijshëm, por akoma ekziston dhe, për më tepër se
kaq, ai është akoma i gjallë (madje ëndërron!), ai thjesht nuk është i zgjuar! Nëse vdekja është metaforikisht si gjumi,
atëherë ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të nxjerrim përfundimin se të
vdekurit akoma ekzistojnë.
Në fakt, kjo gjuhë metaforike flet për
vdekjen me këndvështrimin e atyre që janë akoma gjallë, jo të atyre që kanë
vdekur. Vdekja krahasohet me gjumin në
kuptimin që personi i vdekur nuk është më i vetëdijshëm për ndodhitë e kësaj
jete dhe që me të të gjallët nuk mund të komunikojnë. Personi që është në gjumë nuk është i
vetëdijshëm për këtë botë (ose më mirë është i pavetëdijshëm por akoma i
gjallë) dhe të gjallët nuk mund të komunikojnë me të. Përsëri, nuk na thuhet asgjë për atë nëse
personi vetë është i vetëdijshëm apo jo përtej vdekjes, një gjendje kjo për të
cilën as vetë të gjallët nuk janë të vetëdijshëm, as janë të ndërgjegjshëm dhe
as dinë ndonjë gjë në këtë jetë.
DJ-të abuzojnë me historinë e ngjalljes së
Llazarit për t’u përpjekur ta mbështetin doktrinën e tyre. Jezui përdor këtu këtë metaforë, duke folur
për vdekjen si gjumë (Gjoni 11:11,13,14). DJ-të thonë se për këtë Llazari, kur ishte i
vdekur, ishte i pavetëdijshëm dhe nuk ekzistonte, por ata e mbështesin
arsyetimin e tyre mbi një supozim që nuk ka kurrfarë baze në Bibël. Shih se çfarë thonë ata: “Në çfarë gjendje
ishte Lazari gjatë këtyre katër ditëve që ishte i vdekur? A ishte në qiell? Ai ishte njeri i mirë. Megjithatë, Lazari nuk tha asgjë rreth
shkuarjes në qiell, gjë që sigurisht do ta bënte në qoftë se do të kishte qenë
atje. Jo, Lazari kishte vdekur me të
vërtetë... Lazari i vdekur ishte i pavetëdijshëm...” (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 80).
Përse u dashka pritur që Llazari të kishte
thënë ndonjë gjë rreth të shkuarit e tij në qiell, nëse vërtet kishte shkuar
atje? Si mund ta përdorin DJ-të këtë
lloj arsyeje për të thënë se ai nuk kishte shkuar në qiell? Ky është një hamendësim i pabazë! Nga e dimë ne se çfarë tha apo nuk tha Llazari
pasi u ngjall së vdekuri? Asgjë nga këto
nuk na jepet në Shkrimet nga Gjoni. Nuk
dimë se çfarë ndodhi më pas apo se çfarë Llazari u tha njerëzve. Ky fakt, që në Bibël nuk na jepet ajo që tha
apo nuk tha ai, nuk ka të bëjë aspak me atë që i ndodhi atij gjatë atyre katër
ditëve në të cilat ishte i vdekur. Nga
kjo histori nuk mund të nxjerrim asnjë lloj përfundimi për gjendjen e ndërmjetme.
Vërtet vetë apostull Pali, që përjetoi
rrëmbimin deri në qiellin e tretë ndërsa ishte akoma i gjallë, thotë se kur
ishte atje, ai dëgjoi gjëra të cilat ishin të palejueshme të thuheshin prej
njeriut. Kështu, më pas, ai kurrë nuk i
tregoi tjetërkujt ndonjë nga hollësitë e përvojës që pati (2 Kor. 12:2-4).
Të vdekurit janë të vetëdijshëm
DhR-ja na jep disa pasazhe prej të cilave
mund të nxjerrim dy përfundime më se të qarta: 1. Të vdekurit janë të
vetëdijshëm dhe 2. Ata janë ose në qiell ose në Hades.
Te Fil. 1:22-23, Pali na e thotë mjaft
qartë diçka me të cilën DJ-të kanë probleme, pra me atë që ai thotë se, kur të
vdesë, do të shkojë menjëherë në praninë e Krishtit dhe do të jetë me Të: “Por
nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them
çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë
të iki nga kjo çadër dhe të jem
bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë...” Kjo
na mëson dy gjëra. Së pari, na thotë se
pas vdekjes, do të vazhdojmë të jemi të vetëdijshëm (d.m.th. se nuk futemi në
një ekzistencë të pavetëdijshme deri në ringjalljen) dhe, së dyti, se
besimtarët (në Krisht) do të shkojnë në qiell kur të vdesin. Shih edhe tek 2 Kor. 5:8 ku shkruhet: “jemi të
sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë
bashkë me Zotin”.
Ka edhe një pasazh tjetër interesant te
Zbulesa 6:9-11 ku shohim shpirtrat e atyre që kanë rënë si martirë për besimin
e tyre në Jezuin. Edhe këtu ka dy gjëra. Së pari, duket qartë që ata janë njerëz që
kanë vdekur por shihen të gjallë
(d.m.th. që vazhdojnë në një ekzistencë të vetëdijshme) dhe, së dyti, ata janë
nën altar në qiell.
Lluka 16:19-31
Ky pasazh na mëson disa gjëra mjaft të
qarta për gjendjen e ndërmjetme. Ai na
tregon se besimtari është i vetëdijshëm në parajsë dhe se jobesimtari është po
ashtu i vetëdijshëm në Hades ku shihet se vuan. Por, meqenëse nuk duan të besojnë se njerëzit
do të vuajnë përjetësisht në Gehenë (shih te kapitulli 14), DJ-të mohojnë edhe
mësimin e qartë të këtij pasazhi te Lluka që flet për Hadesin dhe për vuajtjet
që jobesimtarët do të përjetojnë atje (por, në të njëjtën kohë, nuk mohojnë
lumturinë e vendit në të cilin ndodhej Llazari! Sa kontradiktore!). Komentet që ata bëjnë, në librin e tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë
mbi Tokë, përdorin një tipologji që është krejtësisht e gabuar dhe që
efektivisht e zhvesh këtë pasazh nga gjithë kuptimi që ka dhe kështu kjo
histori nuk ka asnjë pikë domethënieje. Për
shembull, nëse lypësi Llazar do të merret sikur përfaqëson njerëzit e thjeshtë
që besuan në Krishtin gjatë shërbesës që Ai pati para vdekjes së Tij, atëherë
kjo gjë i bën të gjithë ata besimtarë të vërtetë të jenë si lypësit plagët e të
cilëve lëpiheshin prej qenve! Sigurisht që ata do ta konsideronin këtë shumë
fyese. Vetë Jezui tha se ata ishin kripa
e botës! A ishte Maria, nëna e Jezuit,
si një lypëse plagët e së cilës i lëpinin qentë? Për më tepër, fjalët e tyre: “Vdekja e të
pasurit dhe Lazarit nënkupton një ndryshim në gjendjen e tyre. Ky ndryshim ndodhi atëherë, kur Jezui filloi
në mënyrë frymore t’i ushqejë njerëzit e lënë pas dore, ngjashëm Lazarit, me ç’gjë
ata arritën nën mëshirën e Abrahamit më të Madh, Perëndisë Jehova” janë fare
dokrra! Lexo se çfarë thonë ata tek
faqet 88-89. Ata mendojnë se ky është
vetëm një ilustrim figurativ me një kuptim frymëror për kohën në të cilën jetoi
Krishti. Më vjen keq, o dëshmitarë të
Jehovait, por interpretimi juaj është i gabuar dhe doktrina juaj e rreme!
Në këtë pasazh Jezui na tregon se lypësi
shkoi në gjirin e Abrahamit pas vdekjes dhe e shohim atë të jetë mirë dhe
vërtet i vetëdijshëm (v22,26,27) dhe pasaniku shkon në Hades, ku e shohim të
vetëdijshëm dhe në mundime (v22,24,28).
Ne besojmë se Jezui vetë nuk do ta kishte
treguar këtë shëmbëlltyrë nëse vetë doktrinat
për të cilat Ai po fliste nuk do të ishin të vërteta. Ai shumë mirë mund të ketë përdorur një
shëmbëlltyrë me personazhe të trilluara (si p.sh. shëmbëlltyra e djalit
plangprishës - Lluka 15:11-32), por këtë e bëri Ai si mjet për t’u mësuar të
tjerëve të vërteta frymërore dhe kjo
nënkupton edhe të vërteta doktrinale.
Përndryshe shëmbëlltyra nuk do të kishte kuptim. Ai na i paraqet qartë të dy, si lypësin ashtu
edhe pasanikun, si njerëz që, pas vdekjes, janë të vetëdijshëm. Nëse do të ishte e vërtetë që njerëzit nuk
janë të vetëdijshëm pas vdekjes, përse, fundja, vetë Jezui përdori një histori
të tillë? Kështu Ai do të akuzohej prej
judenjve se u mësonte njerëzve doktrina të gabuara!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.